“Srpska” pret ftesë nga Mustafa

Aktuale September 14, 2016 - 08:19

Shefi i Listës Serbe, Slavko Simiq, thotë se ende nuk janë ftuar nga kryeministri Mustafa për të biseduar rreth çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ai thotë se nuk kanë kërkesa të reja për partnerët e koalicionit qeverisës

Kryeministri i Kosovës vazhdon të zotohet se shumë shpejt do të riprocedojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend dhe ratifikimin e saj për të plotësuar kushtin e fundit për liberalizimin e vizave. 

Mirëpo, shefi i Qeverisë ende nuk ka ndërmarrë veprime për të bindur Listën Serbe për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar pro ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin. Kjo, pasi Lista Serbe thotë se ende nuk kanë diskutuar me partnerët e koalicionit për çështjen e demarkacionit. Derisa kanë ftuar partnerët e koalicionit PDK-LDK që t’i respektojnë më shumë.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka konfirmuar për “Zërin” se ende nuk janë ftuar nga kryeministri Isa Mustafa për të biseduar rreth çështjes së demarkacionit. “Si kryetar i Listës Serbe nuk kam pasur asnjë mbledhje me partnerët e koalicionit kur është fjala për demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Përfaqësuesit e Listës Serbe janë përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes të kësaj Marrëveshjeje”, ka thënë Simiq për “Zërin” duke kërkuar nga dy partitë me të mëdha PDK-LDK që t’i respektojnë më shumë deputetët serbë. “Si Listë nuk kemi kërkuar diçka të re nga partnerët tanë të koalicionit, duke dashur të respektohet konstruktiviteti, përgjegjësia dhe serioziteti ynë. Ne vetëm po kërkojmë shumë më tepër respekt nga partnerët e koalicionit LDK dhe PDK”, është shprehur ai.

Kreu i Listës Serbe nuk ka dashur të komentojë nëse do të jenë pjesë e seancës së ardhme kur pikë e rendit të ditës do të jetë Marrëveshja për Demarkacionit, duke thënë se ata janë për ruajtjen e stabilitetit politik. “Ne duam dhe jemi duke punuar për ruajtjen e stabilitetit politik në Kosovë, dhe në atë drejtim do të vazhdojmë të punojmë, në mënyrë që qytetarëve tanë t’i mundësojmë një mjedis të pakufizuar”, ka theksuar Simiq.

Mustafa zotohet për ratifikimin e Demarkacionit

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vazhdon të insistojë se Marrëveshja për Demarkacionin do të riprocedohet në Kuvend dhe do të ratifikohet, në mënyrë që të përfundojnë edhe kushtin e fundit për liberalizimin e vizave. “Biseduam po ashtu edhe për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për ne. Theksova përkushtimin tonë që ne të përplotësojmë edhe kriterin e fundit, i cili ka mbetur”, ka thënë Mustafa, pas një takimi që ka pasur me shefen e re të BE-së në Kosovë. Duke dashur që ta argumentojë Marrëveshjen aktuale për Demarkacionin, kreu i ekzekutivit ka zhvilluar edhe një takim me shefin e KOSTT-it, Mustafë Hasani. Sipas një njoftimi për media të Qeverisë, gjatë këtij takimi u konstatua se dokumentacioni që gjendet në arkivat e KOSTT-it do të shërbejë për qartësimin edhe me të madh të demarkacionit aktual. “Gjatë takimit, ndër të tjera, u konsultua edhe dokumentacioni i cili daton që nga viti 1977 lidhur me shtrirjen e largpërçuesve të Kosovës në brezin kufitar me Malin e Zi dhe kufirin ndarës ndërmjet dy vendeve, sa i përket shtrirjes dhe menaxhimit të linjës së transmisionit. Ishte konstatim i përbashkët se dokumentacioni i cili ndodhet në arkivat e KOSTT-it do t’i kontribuojë sqarimit të plotë të procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Mustafës.

 Opozita nuk zmbrapset

Por, partitë opozitare vazhdojnë të mos zmbrapsen në kundërshtimin e tyre të Marrëveshjes aktuale për Demarkacionin. Sekretari i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, e quan të vdekur këtë Marrëveshje, që nga tërheqja e saj në seancën e 1 shtatorit. Madje, sipas tij, janë dy alternativa që ka kryeministri aktualisht. “Pas tërheqjes që Qeveria i bëri versionit aktual të Marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi, ajo që i ka mbetur asaj të bëjë tani e tutje është tërheqja nga Marrëveshja. Ose, nëse ajo, pra Qeveria, për çfarëdo arsye nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, atëherë ose le ta sjellë në Kuvend për ta rrëzuar me votë ose le të japë dorëheqje dhe t'i lëshojë rrugë zgjedhjeve të parakohshme”, ka theksuar Sherifi për “Zërin”.

Një valë të re të konsultave me banorët e zonave që preken nga demarkacioni, e ka nisur kryeministri Isa Mustafa, veprim ky që u vlerësua i vonë nga partitë opozitare.