Kërkohet afatizim i dialogut me Serbinë

Aktuale September 14, 2016 - 08:10

Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se dialogu me Serbinë nuk mund të zgjasë në pafundësi, prandaj kërkojnë që ky proces të afatizohet. Këtë kërkesë ia kanë drejtuar edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se dialogu Prishtinë - Beograd duhet të afatizohet, pasi, sipas tyre, ky proces nuk mund të zgjasë deri në pafundësi. Madje përfaqësuesit e kabinetit qeveritar këtë kërkesë e kanë prezantuar edhe para zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.

Ndërsa opozita nuk është unike për çështjen e dialogut. Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se ky dialog duhet të ndërpritet dhe se me Serbinë, sipas tyre, mund të dialogohet vetëm pas njohjes nga shteti fqinj dhe vetëm për çështje të përbashkët, e jo për çështje të brendshme të Kosovës. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se dialogu duhet të ndryshojë format dhe se duhet të ketë agjendë të qartë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, ka kërkuar nga BE-ja që të bëjë më shumë presion te Serbia për të zbatuar marrëveshjet e arritura. Ai madje ka kërkuar që dialogu Prishtinë - Beograd të afatizohet.

“Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj evropiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës. Pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progres dhe normalizim të mirëfilltë”, ka thënë Hoxhaj, duke folur për takimin që ka zhvilluar me shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini.

T’i bëhet presion Serbisë

Ndërkohë Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë për “Zërin” se duke e parë moszbatimin e marrëveshjeve të deritanishme nga ana e Serbisë, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të bëjë më shumë trysni mbi Serbinë që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen.

“Duke i parë ngecjet e pajustifikueshme të cilat po e prolongojnë jetësimin e marrëveshjeve të arritura, ne gjithsesi se kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të gjejë metoda edhe më efikase me të cilat do të ushtrojë trysni përmbajtjesore ndaj Serbisë me qëllim që marrëveshjet e arritura të zbatohen”, ka deklaruar Abdullahu.

Më tej ai ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdohet deri në pafundësi. “Thjesht ne nuk mund ta vazhdojmë dialogun deri në pafundësi. Ai ka kuptim nëse marrëveshjet zbatohen e jo nëse ato vetëm lidhen dhe nënshkruhen. Prandaj për shkak të kësaj qasjeje jokonstruktive ne do të jemi të shtrënguar që të afatizojmë zbatimin e marrëveshjeve”, ka shtuar Abdullahu.

Selimi: Dialogu me Serbinë, pas njohjes reciproke

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se sa më shumë që zgjat dialogu me Serbinë, aq më i dëmshëm bëhet, prandaj ai ka thënë se ky dialog duhet të përfundojë sa më parë. Selimi ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të dialogojnë vetëm për çështje të përbashkëta dhe vetëm si të barabarta në dialog.

“Fillimi i dialogut me Serbinë, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka qenë humbje dhe nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit... Kosova dhe Serbia mund të dialogojnë vetëm si dy shtete të barabarta dhe vetëm pas njohjes reciproke. Gjithashtu këto dy shtete mund të bisedojnë për çështje të përbashkëta, por jo për çështje të brendshme të Kosovës”, është shprehur Selimi.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se dialogu i Kosovës me Serbinë është një çështje e cila i ka shpenzuar shumë energji Kosovës, duke e çorientuar në temat zhvillimore të brendshme, pasi, sipas tij, e tërë energjia e Qeverisë është orientuar në këto bisedime. Pavarësisht kësaj, Lekaj ka thënë se nuk ka pasur rezultate të mëdha nga Qeveria e Kosovës, pasi, sipas tij, ka përfituar vetëm Serbia.

“Kosova asnjëherë nuk ka mbërritur diçka në raport me BE-në edhe përkundër koncesioneve të shumta që Qeveria jonë i ka bërë Serbisë në emër të normalizimit të marrëdhënieve e integrimit përmes këtyre bisedimeve. Sot pjesa veriore ende nuk është nën kontroll nga Qeveria, atje ka ende struktura paralele që financohen nga Serbia, e i bëjnë telashe Kosovës. Qytetarët tanë ende kanë probleme në pikat kufitare me Serbinë. Kosova nuk e ka arritur asnjë pikë që e ka arritur Serbia në emër të negociatave”, ka theksuar Lekaj.

Madje, sipas tij, dialogu me Beogradin është kthyer në një çështje abuzive. Kështu, sipas tij, duhet të përcaktohet një agjendë për këtë proces.

“Pra duhet të ndërpritet ky model i negociatave, të bëhet një agjendë me tema bilaterale e jo për tema të brendshme të Kosovës dhe të afatizohen këto biseda në një kohë optimale, pa dashur të theksohet me ditë, javë apo muaj, por që duhet të ketë agjendë kohore, e cila do të përmbyllej me njohje reciproke, kjo është më se e nevojshme”, ka përfunduar Lekaj.