Aparatet kryesore në QKUK, të prishura
Tri pajisje shumë të rëndësishme për pacientët nuk janë duke punuar në QKUK. ESWEL për thyerjen e gurëve në veshka është jashtë funksionit tash e sa muaj. Edhe mamografi mobil ka nevojë për servisim, kurse në defekt është edhe koronarografi. QKUK-së i është zvogëluar buxheti për servisim të pajisjeve mjekësore
Aparati për kryerjen e koronarografisë, pajisja për thyerjen e gurëve në veshka, si dhe mamografi mobil, që përdoret për diagnostikimin e kancerit te femrat, janë vetëm tri pajisjet kapitale të QKUK-së që nuk punojnë.
Pacientët po detyrohen që ekzaminimet e nevojshme që kryhen me këto pajisje t’i bëjnë në sektorin privat shëndetësor, derisa QKUK-ja ka alarmuar se shkurtimi i buxhetit për servisimin e pajisjeve mjekësore mund ta krijojë një krizë të thellë brenda spitalit.
Ali Ulaj, shefi i shërbimit të pajisjeve biomjekësore në QKUK, ka thënë për “Zërin” se janë diku 95 për qind e pajisjeve mjekësore të nivelit më të ulët diagnostik që mirëmbahen prej sektorit të mirëmbajtjes së QKUK-së. Kurse, janë afërsisht 5 për qind të pajisjeve më të sofistikuara që mirëmbahen prej serviseve të jashtme.
Pajisjet të prishura, pacientët mësyjnë sektorin privat
“Janë këto aparate të radiologjisë, si CT, rezonanca magnetike, akseleratorët që përdoren për radio-terapi etj.”, ka thënë Ulaj, sipas të cilit mirëmbajtja e këtyre pajisjeve ka edhe kosto më të lartë.
Ulaj duke folur për pengesat që u janë shkaktuar për servisimin e aparaturave, ka përmendur disa nga pajisjet për të cilat kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha, ndërkaq janë jashtë funksionit.
“E kemi problematik tani mamografin mobil. Në muajin korrik kemi proceduar kërkesën për servizim te operatori përkatës që është i specializuar për atë punë. Mirëpo, buxheti për këtë kategori të shpenzimeve është zvogëluar”, ka thënë Ulaj, duke alarmuar për pajisjen në fjalë.
Problem, sipas tij, vazhdon të paraqesë aparatura për kryerjen e koronarografisë, përmes të cilës pacientët identifikojnë sëmundjet e zemrës, konkretisht nëse kanë nevojë për stenta apo intervenime kardiokirurgjike. “Ka qenë në servisim dhe është proceduar kërkesa për servisim. Për koronarograf mjetet fatmirësisht janë të siguruara”, ka thënë Ulaj.
Por, ai ka shpjeguar se është një pajisje tjetër shumë e rëndësishme, ajo për thyerjen e gurëve në veshka, e cila nuk është duke punuar tash e disa muaj, ndërkaq mundësitë për ta servisuar janë shumë të vogla.
“Problematika është te sigurimi i fondit shtesë për servisim të këtyre pajisjeve çka në rishikim të buxhetit nuk janë aprovuar”, ka thënë drejtori i shërbimit biomjekësor.
Ai ka thënë se edhe shërbimi biomjekësor nuk ka një fond të veçantë për mirëmbajtje të brendshme të pajisjeve mjekësore.
“Për këto që mirëmbajmë ne duhet të porosisim pjesën që prishet. Kjo shkon në procedurë normale, varësisht sa është fondi”, ka thënë Ulaj.
S’ka para për servisimin e aparaturave
Drejtori Ulaj ka thënë se procedurat e prokurimit megjithatë shpesh bëjnë që të stërzgjatet servisimi i pajisjeve mjekësore.
“Fondi për pajisje ka qenë 1.5 milion tash është shkurtuar përgjysmë në rishikim të buxhetit dhe mjetet janë destinuar për qëllime tjera”, ka thënë Ulaj, sipas të cilit kjo vetëm se rrit problematikën sa i përket mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore.
Ai ka thënë se me këtë buxhet nuk ka më mundësi të bëhet furnizimi me pajisje të reja. Kurse mbi 99 për qind të pajisjeve që ka në dispozicion QKUK-ja, sipas tij, janë më të vjetra se pesë vjet. “Gjendja e pajisjeve që kemi në dispozicion nuk është shumë e mirë”, ka thënë ai, duke bërë me dije se kërkesat janë shtuar nga klinikat edhe për pajisje tjera si monitorë për mbikëqyrje të pacientëve, ultrazë etj.
Ndërkohë, në rishikimin e buxhetit, SHSKUK-së në total i është shkurtuar buxheti për 1.8 milion euro.
Ky shkurtim buxhetor, sipas zyrtarëve shëndetësorë, do të bjerë në kurriz të pacientëve pasi shkurtimet buxhetore janë bërë në pika mjaft të ndjeshme.
Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri”, e që është prezantuar gjatë dëgjimeve buxhetore për vitin 2017 në Ministrinë e Financave dhe një tjetër për shkurtimet buxhetore me rishikimin për vitin 2016 vetëm Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i është zvogëluar buxheti në rishikim për 83 mijë e 800 euro.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka thënë se në kohën kur kërkesat janë rritur dhe është kërkuar një buxhet shtesë në vlera prej 3-4 milionë eurosh ka ndodhur shkurtimi i buxhetit për SHSKUK-në.
“Kështu pa diskutim se do të paraqiten probleme në ditët në vijim...”, ka thënë Gjocaj.
Ai është shprehur se segmentet që po rrezikohen më së shumti ndërlidhen me mirëmbajtjen dhe blerjen e aparaturave të reja.