Jeta ndërmjet urisë dhe sëmundjes (VIDEO)
E sëmura jeton në një barakë prej dërrase me plot myk, ku të ftohtit e shiu, minjtë e insektet hyjnë e dalin ngado. Varfëria ia solli sëmundjen që po ia “gërryen” trupin Zelihe Hasimit, e cila tash e tri vjet me të birin jeton në “Strehimoren e pëllumbave”, shkruan sot gazeta Zeri.
E prekur nga një sëmundje e gjirit, me djalin dy vjet e gjysmë, Zelihe Hasimi jeton në myk e lagështirë. Në barakën prej dërrase, pranë Parkut të Qytetit, në Prishtinë, jo më shumë se 20 metra katrorë, që i është mbështetur rrethojave të këtij Parku, ajo po strehohet tash e tri vjet. E ndërtuar nga një banor i kryeqytetit për t’i vendosur pëllumbat, kjo barakë është bërë streha e kësaj familjeje pasi pronari i saj ndërroi mendje duke mos vendosur pëllumbat, por këtë familje që tashmë kishte mbetur në një nga rrugët e kryeqytetit. Të ftohtit dhe shiu depërton kudo në dhomën e vetme të anëtarëve të familjes Hasimi. Rrobat, dyshemeja dhe dy divane (kauçë) që ka dhoma janë lagur nga të rënat e shiut që pikon nga kulmi në gjithë hapësirën e barakës. Sapo shkel këmbën era e mykut të zë frymën, por kjo familje rrezikon të presë edhe këtë dimër në këtë barakë që nuk është e projektuar për banim të njerëzve.
Për ta ndihmuar këtë familje telefononi në këtë numër: 049 484 766
Trupin e saj ka nisur “ta gërryejë” varfëria, Zelihja thotë se papunësia e bashkëshortit dhe e saja ia ka mbytur shpresat për të ardhmen. E operuar në gji, Zelihja kohëve të fundit ka marrë dhe një lajm të hidhur nga mjekët se duhet hequr edhe një copë nga trupi i saj (gjiri) pas dyshimeve se është prekur nga kanceri. Por, kjo nuk po ia shton vetëm dhimbjen në trup, por po ia shton edhe borxhet familjes.
“Barnat po më kushtojnë shumë, pastaj dhe bashkëshorti duke u munduar të kryejë punë të rëndomta fizike vuan nga boshti kurrizor. Kur kam pasur dhimbje dhe nuk kisha të holla të shkojë tek mjeku më binte dhe më bien të fikët nga dhimbja, por edhe borxh sot vështirë të hysh diku kur nuk ke si t’i kthesh”, thotë ajo.
E, ajo që i ka shqetësuar më shumë është paraqitja e disa kokërrzave në fytin e djalit të tyre të vetëm, diagnostikuar nga mjekët si infeksion. “Këtu ka jo vetëm myk, por dhe minj, është vështirë të ruhet edhe ushqimi i paprekur prej tyre, madje dhe insekte të ndryshme”, rrëfen Zelihja duke treguar kuzhinën e improvizuar prej një frigoriferi të vjetër dhe po ashtu një dollap i vjetër për larjen e enëve në korridor, ngjitur për tualetin dy mure të veshura të barakës.
Presin vitrat e Bajramit që të ngopen me ushqim
Në kuzhinën e saj ushqimet mungojnë. “Prej urisë edhe të fikët më ka rënë. Veç një herë në ditë jam ushqyer”. Zelihaja thotë se në këtë kohë ishte madje dhe shtatzënë, kurse vakti i vetëm i ushqimit që merrte ishte ai i mbrëmjes. “Jepeshin iftare gjatë Ramazanit tek Pallati i Rinisë, aty kam shuar urinë gjatë shtatzënisë duke shkuar dhe ngrënë iftare. Jam ushqyer vetëm një herë në ditë”, rrëfen ajo për gazetën.
Tani që sërish është shtatzënë, e njëkohësisht vuan nga sëmundja e gjirit, por ende nuk e mbush barkun bukë plotësisht. “Isha e vetëdijshme për gjendjen ekonomike që po kalojmë dhe nuk doja të lind më shumë se një fëmijë, pasi këtij nuk po arrijmë t’i sigurojmë bukë, lëre të kemi më shumë, mirëpo mjekët më thanë se duhet të lind dhe një fëmijë sepse ndoshta ashtu sëmundja e gjirit mund të hiqet”. Tash ajo thotë se është shtatzënë e në anë tjetër merr terapinë për gjirin.
Ajo thotë se po i shtyjnë ditët me ndihmat që ia sjell për Festën e Bajrami ndonjë banor i lagjes. “Po të mos na jepnin vitrat vdesim urie” thotë ajo, duke treguar sesi ndihma sociale prej 75 eurosh nuk i del as për barna. Zelihja tregon se ka qenë dhe është ankuar edhe në Komunën e Prishtinës e po ashtu edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku ka marrë përgjigje se nuk mund t’i bëhet zgjidhje pasi ka familje më keq. Ajo thotë se nuk e di ku ka që shkon më keq se gjendja e saj. “Nuk e kam parë në Prishtinë dikë që rri në këtë gjendje, mjafton të hedhësh një sy barakës dhe sheh vrima të hapura nëpër dërrasa, kurse sapo të errësohet dhe fik dritën i sheh minjtë teksa lëshohen nga tavani dërrasave teposhtë....”, thotë Zelihja që i ka vendosur ngjitës prej letre vrimave në dërrasa duke u munduar kështu t’u zë udhë minjve.
Institucionet “flenë” para kërkesave të të varfërve
Kjo familje ka paraqitur rastin tek institucionet lokale dhe qendrore, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. E vetmja gjë që ka bërë Komuna është se ka ndërprerë rrënimin e barakës. “Kemi aplikuar edhe për banesë para dy muajve”, thotë ajo, duke treguar se familja nuk ka asnjë copë tokë të veten.
“Një copë tokë dhe një shtëpi ëndërroj ta kem sado të vogël, veç për djalin merakosem tash sepse fati im është vulosur nga sëmundja, madje mjekët më thonë nuk duhet bërë nervoz apo mërzitur, por ky rekomandim nuk mund t’i jepet të papunëve, të varfërve në Kosovë, unë nuk mund të shmang mërzinë kur shoh djalin teksa luan në dyshemenë prej çimentos mbuluar me një tepih”, thotë ajo.
Madje, ditëve me shi kur divanet nuk shpëtojnë pa u lagur familja fle në këtë dysheme mbi një sfungjer. “Kur bie shi e shtroj një sfungjer sepse pikon brenda e jashtë. Sidomos kur ra ky shiu i madh jam detyruar unë me djalin të shkojmë të flemë tek fqinjët”. Ajo frikësohet se shiu me furtunë mund t’ia rrëzojë një ditë barakën.
Orenditë e vetme në barakë janë të huazuara dhe nuk janë më shumë se dy divane dhe dollap për rroba dhe ato të falura.
“Çka shihet me sy krejt të falura i kam. Asgjë unë nuk kam blerë për vete as për ketë djalë”, tregon ajo. Ndërsa, shpeshherë atyre u është ndërprerë dhe energjia elektrike në pamundësi që ta paguajnë. Me dokumentet që marrin ndihmë sociale nga shteti kanë arritur në ujdi me korporatën energjetike që të paguajnë nga 20 euro herë pas here që të mos ua shkëpusin. Zelihaja thotë se hyjnë në borxh që të paguajnë taksat e energjisë.
75 euro social nga shteti, sapo vë këmbën në spital shpenzohen të gjitha
Visar Hasimi, kryefamiljari i familjes, thotë se e ka të vështirë t’i plotësojë nevojat e familjes me punën që bën si punëtor krahu.
Ndonëse ka kërkuar të punësohet qoftë si kamerier, roje diku apo ndonjë punë të ngjashme të rëndomtë ai thotë se nuk ka siguruar ende një punë të tillë. Ndodh disa ditë radhazi dhe me javë askush të mos e thërrasë për ndonjë punë fizike, por kur e thërrasin pagesa është dëshpëruese.
“Tetë metra dru i copëtoj për 7 euro dhe kjo nuk përsëritet çdo ditë, por shkojnë ditë të tëra që pres mos më thërret dikush të copëtoj dru, pasi që është dhe sezoni për këtë punë”, thotë ai.
Për shkak të punëve të rënda që kryen për të mbijetuar, ai thotë se tash ka edhe probleme me boshtin kurrizor, por megjithëkëtë tregon se nuk ndalet së kërkuari ndonjë punë çfarëdo qoftë ajo vetëm që familja të mos i vuajë për bukë. Burri që asnjëherë s’ka marrë pagë në konton e tij përveç ndihmës sociale që merr nga shteti prej 75 eurosh, thotë se nuk po rrezikohen vetëm nga uria. Jeta në barakën prej dërrase, ku myku të mbytë frymën sapo vë këmbën, tani po rrezikon shëndetin e tij dhe të familjes.
Ndërsa, për të dërguar tek mjeku gruan apo djalin, ai thotë se shpeshherë detyrohet të hyjë edhe në borxh. Ai që copëton drutë të tjerëve, nuk ka për ta ngrohur familjen e tij. Drunjtë që thahen e bien në tokë në Parkun e Qytetit ai thotë se arrijnë t’i shpëtojnë nga të ftohtit.