Koalicioni nuk konsultohet me 'Srpska'-n
Partnerët e mëdhenj të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk janë konsultuar me partnerin tjetër Listën Serbe për çështjen e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi as pas dështimit të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje më 1 shtator, kur u tërhoq nga votimi në mungesë të Listës Serbe.
Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës thonë se kanë takime me përfaqësuesit e serbëve, porse nuk janë konsultuar për këtë temë. Kështu ata thonë se ende nuk mund të flitet për mbajtjen e seancës për ratifikimin e Demarkacionit. Në anën tjetër, subjektet opozitare thonë se Qeveria do të dorëzohet në këtë temë. Prandaj, sipas tyre, opsioni më i mirë është që kjo marrëveshje të hedhet poshtë dhe se procesi i demarkacionit të nisë nga fillimi.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë për “Zërin” se përfaqësuesit e Qeverisë kanë vazhdimisht takime me përfaqësuesit e Listës Serbe, porse nuk kanë zhvilluar ndonjë takim të veçantë për çështjen e Demarkacionit.
“Takime me përfaqësues të Listës Serbe kemi përditë. Por takime të veçanta për këtë temë nuk kemi zhvilluar pas datës 1 shtator. Pra takime kemi për çështje të ndryshme, ku sigurisht diskutohet edhe për demarkacionin, por nuk ka pasur takim serioz në të cilin është diskutuar vetëm për Demarkacionin”, ka deklaruar Gecaj.
Demarkacioni nuk do të kthehet në pikën zero
Ai më tej ka thënë se kur do të riprocedohet për në Kuvend Marrëveshja për Demarkacionin pasi, sipas tij, së pari duhet të koordinohen grupet parlamentare, pastaj të ketë konsultime me deputetë dhe në fund mund të caktohet data për votimin e Demarkacionit.
Megjithatë, Gecaj ka thënë se procesi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk mund të kthehet në pikën zero.
“Demarkacioni nuk kthehet në pikën zero, ne do të vazhdojmë me këtë çështje. Kryeministri Mustafa kohët e fundit është duke i zhvilluar disa takime në mënyrë që të hiqet çdo dilemë rreth Demarkacionit. Është takuar edhe kryetarë të komunave të asaj zone, ka kërkuar takime me institucionet e ndryshme. Kështu do të hiqen të gjitha dilemat”, ka përfunduar Gecaj.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë shkurtimisht se ende nuk kanë zhvilluar takime me drejtuesit e Listës Serbe për t’u konsultuar për këtë çështje.
“Këtë javë ka qenë qetë, nuk ka pasur takime. Nuk kam çfarë të them”, ka thënë Pajaziti.
Në anën tjetër deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se më 1 shtator u dëshmua se marrëveshja e 26 gushtit 2015 është e vdekur, pasi, sipas saj, në seancën e 1 shtatorit Qeveria e ka kuptuar se ajo marrëveshje nuk do të kalojë.
Haxhiu ka thënë se alternativa më e mirë është që Kuvendi ta hedhë poshtë këtë marrëveshje dhe kështu Qeveria ta pranojë se ka gabuar, në mënyrë që procesi i demarkacionit të kthehet nga fillimi. Sipas deputetes së AAK-së, Qeveria tashmë ka filluar të dorëzohet në këtë temë.
Opozita: Qeveria do të dorëzohet
“Kryeministri tashmë ka filluar t’i pranojë disa mendime apo sugjerime të njerëzve që janë më të afërt me këtë proces apo që e njohin më mirë këtë proces. Qeveria duhet ta sjellë në Kuvend, por nuk duhet të bëjë presion tek deputetët dhe kështu të rrëzohet kjo marrëveshje”, është shprehur Haxhiu duke thënë se beson se edhe deputetë të koalicionit qeverisës do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje dhe se ajo do të bie poshtë.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se Qeveria është duke u dorëzuar për çështjen e demarkacionit.
“Isa Mustafa i ka dhënë sinjalet e para se versioni të cilin e ka mbrojtur me kokëfortësi është i dështuar. Këtë dështim e ka mundësuar jo vetëm zëri opozitar, por edhe vetë deputetët e mazhorancës, të cilët pavarësisht presionit kanë vazhduar kundërshtimin. Pavarësisht presioneve ndaj deputetëve kjo çështje po shkon drejt dështimit e Qeveria tashmë i ka dhënë sinjalet e para për zmbrapsje”, ka potencuar Berisha.
Ai më tej ka thënë se kjo marrëveshje duhet të rrëzohet nga Kuvendi dhe procesi të kthehet në pikën zero. “Demarkacioni me pajtimin e të gjitha partive parlamentare duhet të vijë në Kuvend dhe me 120 vota të kthehet në pikën zero. Ose Qeveria duhet ta shkarkojë këtë Komision dhe të formohet një komision i ri e të kërkohet prej Malit të Zi që të diskutohet me fakte të reja”, ka përfunduar Berisha.
Ndryshe, më 1 shtator Qeveria e tërhoqi nga votimi Demarkacionin me Malin e Zi për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe, të cilët kanë munguar me arsyetimin se askush nuk është konsultuar me ta për këtë çështje.