Shtyrja e demarkacionit nuk e vonon liberalizimin
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mbetet optimist se tërheqja e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi dhe shtyrja e ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje nuk do të ketë ndikim negativ në procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë për “Zërin” se kjo varet tërësisht nga institucionet e Bashkimit Evropian, por, sipas tij, BE-ja duhet ta kuptojë situatën në Kosovë.
“Varet në masë të madhe se si BE-ja e vlerëson situatën. Tani jemi në momente të reflektimit dhe nuk duhet të spekulojmë se si do të rrjedhin gjërat, por unë shpresoj që të mos kemi shtyrje e bllokada, sepse do të ishin të panevojshme dhe nuk do të ishin në dobi të askujt. Besoj se institucionet e BE-së duhet të kenë një qasje të mirëkuptimit dhe të përshtatjes me situatën aktuale dhe në këtë drejtim të mos kenë vetëm qasjen e presionit, sepse nëse kësaj situate i duhet diçka, ajo është ulja e tensionit”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas Çollakut, qytetarët e Kosovës nuk meritojnë dënim nëpërmjet liberalizimit, shkaku i shtyrjes së ratifikimit të Demarkacionit.
“Ne kemi treguar seriozitet dhe përkushtim të plotë dhe kjo duhet të çojë peshë dhe të vlerësohet dhe në asnjë rast nuk duhet të ndëshkohen qytetarët tanë”, është shprehur ministri.
Megjithëkëtë, Çollaku ka theksuar se ratifikimi i Marrëveshjes në fjalë ka qenë kërkesë e institucioneve të Bashkimit Evropian, brenda dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën, e për një gjë të tillë, sipas tij, Qeveria e Kosovës është përpjekur maksimalisht.
Ndërkaq, Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme i Parlamentit Evropian (LIBE), ka paraparë që më 5 shtator të votojë për procesin e liberalizimit të vizave në Kosovë, duke ia hapur kështu shtegun Parlamentit Evropian që të votojë rreth heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.
Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se mbetet e përkushtuar që ta procedojë për votim propozimin për liberalizim.
“Mbetem e përkushtuar për procesin. Plani im është që në LIBE të procedoj me votimin për udhëtimin pa viza”, ka deklaruar Fajon. Përkundër kësaj, ajo ka bërë thirrje sërish për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, në të cilat bën pjesë edhe ratifikimi i demarkacionit.
Kurse njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, është shprehur optimist se LIBE-ja do të votojë të hënën për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Siç e dini, LIBE e ka në agjendë dhe do të procedojë me votim. Aty ka shumë deputetë që ia duan të mirën dhe e përkrahin Kosovën dhe sigurisht që ka gjasa të kalojë, të aprovohet”, ka deklaruar Muharremi.
Mirëpo, sipas tij, edhe Kosova duhet të kontribuojë në këtë drejtim. “Pastaj mbetet votimi final i Parlamentit Evropian dhe deri atëherë shpresojmë që edhe Kosova të lëvizë, që t’ia mundësojë Këshillit të BE-së ta marrë vendimin final”, është shprehur ai. Në të kundërtën, sipas Muharremit, duhet të pritet derisa të përfundojë çështja e demarkacionit. Ndryshe, Marrëveshja për Demarkacionin pritej të ratifikohej dje në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, tek atëherë pasi filloi seanca, ajo u hoq nga rendi i ditës. Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje u shty, pasi që Lista Serbe vendosi ta bojkotojë seancën.