Koalicioni, i pakoordinuar për demarkacionin

Aktuale September 03, 2016 - 08:04

Moskoordinimi i partnerëve të koalicionit është arsyeja kryesore e tërheqjes së Demarkacionit nga votimi në Kuvend. Qeveritarët zotohen se Marrëveshja me Malin e Zi do të procedohet sa më shpejt në Kuvend, ndërsa opozita kërkon që kjo çështje të konsiderohet “e vdekur”

Partnerët e mëdhenj të koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk janë koordinuar me partnerin tjetër, Listën Serbe, për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, prandaj serbët nuk kanë marrë pjesë në seancën kur është dashur të ratifikohet kjo Marrëveshje. Por, tani përfaqësuesit e Qeverisë thonë se në periudhën deri në riprocedimin e Demarkacionit në Kuvend do të zhvillojnë konsultime me subjektet politike dhe me deputetët për ta sqaruar këtë çështje.
Opozita kërkon nga Qeveria që të mos e riprocedojë më këtë Marrëveshje pas tërheqjes nga Kuvendi, më 1 shtator. Opozitarët thonë se nëse pushteti këmbëngul në ratifikimin e Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, situata do të tensionohet.
Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se Demarkacioni do të procedohet tutje përsëri në Kuvend pa vonesë, por me krijimin e rrethanave optimale dhe të përshtatshme për këtë çështje.
“Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme, për shumë arsye tashmë të njohura e një nga më të rëndësishmet është shënjimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit tonë dhe Malit të Zi, me çka kështu vazhdojmë procesin e shtetndërtimit edhe në këtë formë, duke mos përjashtuar edhe normalizimin e raporteve me fqinjët, si dhe shfrytëzimin e mundësisë së mirë për heqjen vizave për qytetarët tanë”, ka deklaruar Abdullahu.
Ai më tej ka thënë se periudha deri te procedimi i ardhshëm në Kuvend do të shfrytëzohet për të vazhduar sqarimet dhe për t’iu dhënë mundësi deputetëve e subjekteve politike, që, siç ka thënë ai, të reflektojnë në interes të Kosovës.
“Periudhën kohore prej tërheqjes së Projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend do ta shfrytëzojmë pos tjerash edhe për të vazhduar me sqarime e interpretime të drejta, për t’u dhënë mundësi të gjitha subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë, të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt, të informohen drejt, gjithanshëm, me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka përfunduar Abdullahu.

Lista Serbe: Partnerët e koalicionit nuk na kontaktuan tash e 5 muaj

Shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e ka quajtur fëmijëror arsyetimin e Qeverisë se tërheqja e demarkacionit nga Kuvendi është bërë për shkak të mungesës së Listës Serbe, pasi, sipas tij, kryeministri Mustafa mossuksesin e tij po mundohet t’ua hedhë deputetëve serbë. Simiq ka thënë se ata janë shumë të përgjegjshëm, por se nuk kanë marrë pjesë në seancën e së enjtes për shkak të gjendjes së sigurisë, si dhe për shkak të mungesës së komunikimit të partnerëve të koalicionit me këtë subjekt politik.
Edhe deputeti tjetër nga ky grup parlamentar, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk kanë marrë pjesë në seancën e 1 shtatorit për shkak se nuk janë ftuar asnjëherë nga parterët e koalicionit (PDK e LDK) që të diskutojnë për këtë çështje.
“Faji nuk duhet të na hidhet neve, sepse një komunikim i tillë për demarkacionin ka munguar në mes të partnerëve të koalicionit dhe deputetëve serbë. As unë dhe as kolegët e mi serbë nuk kemi marrë pjesë në takime ku është trajtuar demarkacioni dhe nuk jemi informuar për këtë proces. Tërë kohën komunikimi ynë dhe i kryeministrit ka qenë përmes mediave... Në pesë muajt e fundit nuk kemi pasur takime dhe ne kemi menduar se për këtë çështje duhet të kemi ndonjë takim, të zhvillohet debat nëse ka nevojë”, ka deklaruar Rashiq.
Ai më tej ka thënë se kjo duket sikur Qeveria ka qenë e interesuar që të dështojë votimi i kësaj Marrëveshjeje.

Opozita: Qeveria të mos guxojë ta riprocedojë Demarkacionin

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria nuk duhet të guxojë që ta riprocedojë në Kuvend Marrëveshjen e 26 gushtit 2015, pas kësaj tërheqje që ka bërë në seancën e 1 shtatorit. Përndryshe, sipas saj, do të ketë tensionim të situatës dhe përgjegjëse për pasojat Haxhiu e bën Qeverinë.
“Pas tërheqjes së Demarkacionit nga rendi i ditës dje fituan qytetarët e Republikës së Kosovës, fitoi rezistenca paqësore e tyre dhe Qeveria apo kryeministri nuk ka të drejtë apo nuk duhet të guxojë që ta riprocedojë këtë Marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Riprocedimi i kësaj Marrëveshjeje nënkupton përsëri rezistencë të qytetarëve të Kosovës dhe tensionim të situatës në vend. Dhe për çfarëdo që ndodh në Kosovë do të mbahet përgjegjëse Qeveria e Isa Mustafës”, është shprehur Haxhiu, duke thënë se me tërheqjen nga rendi i ditës më 1 shtator kjo Marrëveshje për Demarkacionin është e vdekur.
Kurse deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, është shprehur e bindur se koalicioni nuk do të arrijë t’i sigurojë votat për ta ratifikuar këtë Marrëveshje.
“Demarkacioni nuk është tërhequr për shkak të mungesës së Listës Serbe, por në mungesë të votave të koalicionit, pasi edhe me Listën Serbe në seancë koalicioni nuk do t’i kishte votat për shkak se disa deputetë të koalicionit janë kundër kësaj Marrëveshjeje. Edhe po të sillet prapë në Kuvend nuk besoj që do të ndryshojë diçka, edhe po të vijë Lista Serbe në Kuvend Demarkacioni nuk do të ratifikohet”, ka theksuar Kadrijaj.
Ajo më tej ka thënë se nëse Qeveria e riprocedon Demarkacionin në Kuvend, atëherë organet e partisë do të vendosin se si do ta kundërshtojnë këtë Marrëveshje.
Përndryshe, Kuvendi e ka përfunduar sesionin pranveror dhe është në pushim deri të hënën e dytë të muajit shtator.