Sulmet prekin vijën e kuqe të terrorizmit

Aktuale August 27, 2016 - 08:11

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur se Demarkacioni me Malin e Zi është bërë pa gabime dhe duhet të ratifikohet në Kuvend më 1 shtator. Në intervistën dhënë “Zërit” ai e quan të pakuptimtë dhunën dhe rreshtimin e opozitës kundër marrëveshjeve, ndërsa sulmet e fundit me bomba, sipas tij, “prekin vijat e kuqe të terrorizmit”

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nuk ka asnjë arsye të shtyhet më, por duhet të miratohet më 1 shtator, në mënyrë që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave dhe formimit të FAK-ut. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në intervistën e parë dhënën gazetës “Zëri”.

Mosratifikimin e marrëveshjes brenda një viti Thaçi nuk e quan papjekuri politike, por nevojë për shoshitjen e të gjitha modaliteteve dhe argumenteve lidhur me kufirin. Përveç opozitës e cila po aplikon dhunë, ratifikimin, sipas presidentit, po e kërkojnë të gjithë në Kosovë, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar. “Është për keqardhje që kjo dhunë ka vazhduar edhe pas apeleve të qarta, të ardhura nga përfaqësues politikë në Kosovë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, të medieve dhe akademikëve; por edhe pas apeleve të qarta të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Thaçi.

Është edhe më shqetësuese se në Kosovë, në muajin e fundit, sipas tij, ka dhunë të paparë ndonjëherë qëkur jemi shtet. “Po t’i shohim definicionet nëpër fjalorë dhe enciklopedi, këto sulme mund të thuhet pa ekuivok se prekin vijën e kuqe të terrorizmit. Edhe këtu besoj që ekziston një konsensus i plotë në Kosovë. Nuk duam dhunë”, thotë ai. 

Presidenti Thaçi foli edhe për skandalin e përgjimeve “Pronto” dhe për kërkesën e ndërkombëtarëve për ta luftuar korrupsionin. Ai inkurajoi drejtësinë që të merret me të gjitha rastet “pa presion”. Thaçi foli edhe për raportet me opozitën, por edhe për protestën e 1 shtatorit, të organizuar nga “Vetëvendosja”. “Pretendimet e opozitës janë kauzë e rreme dhe përpjekje për mashtrim të opinionit”, tha ai.

Zëri: Z. President, ka kaluar një vit nga koha kur janë nënshkruar marrëveshjet në Bruksel e në Vjenë dhe akoma nuk kemi miratimin e tyre në Kuvend. Çka tregon kjo, për papjekuri politike, jotransparencë apo mungesë konsensusi?

Presidenti Thaçi: E saktë, ka kaluar një vit nga nënshkrimi i marrëveshjeve në Bruksel dhe në Vjenë. E para, asnjëra nga këto marrëveshje nuk është se kanë afate të përcaktuara kohore kur është dashur të implementohen. Është e vërtetë që sa më parë të implementohen, aq më mirë. Por nëse shoqëria kosovare, nëse qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës besojnë se kanë nevojë për debat ende për t’i shoshitur të gjitha argumentet, atëherë më mirë është të jetë kështu. Kjo garanton transparencë të plotë, si dhe dëshmon pjekuri politike. Por, tani është koha për vendim dhe votim. Nuk kemi pse ta shtyjmë më këtë. E gjitha është e qartë. Marrëveshja për Demarkacion është e saktë dhe e drejtë. E kanë kuptuar të gjithë. Ndërsa, për vonesë mund të paguajmë çmime të menjëhershme, liberalizimin e vizave dhe formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Kur është fjala për marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ndër arsyet e vonesës në implementim është edhe se në Beograd nuk ka pasur një qeveri qe një kohë të gjatë. Pra, është vonuar implementimi i të gjitha marrëveshjeve.

Përsëri, kur jemi te Demarkacioni me Malin e Zi, ndonëse në fillim nuk ka pasur afate kohore të paracaktuara, tash kemi një afat e ky është votimi për rekomandimin për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian. Nëse më 1 shtator nuk miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, atëherë jo vetëm rrezikojmë, por edhe e humbim trenin e tashëm për liberalizimin e vizave.Duke pasur parasysh zhvillimet e përgjithshme në BE dhe faktin që BE-ja nuk mund të merret më me Kosovën dhe me rajonin si në të kaluarën, është pikëpyetje se kur do të vijë treni tjetër për Kosovën për liberalizimin e vizave.

Besoj që të gjithë në Kosovë, në fakt kemi një konsensus të plotë se duhet të sigurojmë sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Por edhe se kemi konsensus të plotë se interesat e Kosovës janë mbi interesat partiake apo individuale.

Gjatë këtij viti kemi pasur edhe disa zhvillime që janë për keqardhje. Kemi parë të përdoret dhuna brenda në Kuvendin e Kosovës, por edhe në rrugë, jashtë Kuvendit. Kjo dhunë në fakt ka penguar transparencën, pra nuk ka lejuar që Qeveria të raportojë para Kuvendit dhe para qytetarëve për këto dy marrëveshje dhe për tërë zhvillimet tjera; ka pasur për qëllim të bllokojë punën e institucioneve të Republikës së Kosovës me qëllim që ta detyrojë vendin të shkojë në zgjedhje. Është për keqardhje që kjo dhunë ka vazhduar edhe pas apeleve të qarta, të ardhura nga përfaqësues politikë në Kosovë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, të medieve dhe akademikëve, por edhe pas apeleve të qarta të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk bën të harrojmë se dhuna nuk sjell asgjë të mirë. Përkundrazi. I hap rrugë intensifikimit të mëtutjeshëm. Është edhe më shqetësuese që në Kosovë, në muajin e fundit, kemi parë dhunë të paparë ndonjëherë qëkur jemi shtet. Në mënyrën më flagrante janë sulmuar me armë të rënda Kuvendi i Kosovës dhe transmetuesi publik, por duhet përmendur edhe sulmi në shtëpinë e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, Murat Mehës. Po të shohim definicionet nëpër fjalorë dhe enciklopedi, këto sulme mund të thuhet pa ekuivok se prekin vijën e kuqe të terrorizmit.
Edhe këtu besoj që ekziston një konsensus i plotë në Kosovë. Nuk duam dhunë. 

Zëri: Kush është fajtor për dështimin e këtyre marrëveshjeve, koalicioni apo opozita?

Thaçi: Nuk ka këtu fajtorë e nuk ka as fitimtarë. Por mund të ketë humbës. E këta mund të jenë qytetarët e tërë Republikës sonë nëse këtë herë nuk dëshmojnë pjekuri politike, çfarë kemi treguar në të kaluarën. Kam parë që gjithmonë, në çdo rrethanë, politikanët e Kosovës megjithatë kanë pjekurinë politike, kurajën politike, që në momentet vendimtare të ngrihen mbi interesat partiake e individuale e të bëhen bashkë për të vepruar për interesin e Kosovës.

Zëri: Pse ju po besoni se opozita po e ndjek kauzën e rreme?

Thaçi: Disa nga ai spektër politik po i shkelin vijat e kuqe atëherë kur pretendojnë se vetëm njëra palë është patriotike, se vetëm njëra palë e do Kosovën dhe kur përdorin fjalor urrejtjeje-nxitëse kundër Qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Është e papranueshme që të përmenden kauza pa besuar në to fare vetëm me shpresën se këto do të nxisin mjaft dyshim dhe tension tek qytetarët. Prandaj është kauzë e rreme dhe përpjekje për mashtrim të opinionit.

Zëri: A besoni se Komisioni Qeveritar e ka bërë shenjëzimin mirë sa i përket kufirit? Nëse është bërë keq, kush i bart konsekuencat - koalicioni apo Komisioni?

Thaçi: Komisioni Qeveritar ka pasur mandat vetëm t’i vërë në terren vijat deri ku "i ka letrat" Kosova. Pra, nuk ka negociuar kufirin dhe pikat e tij. Por vetëm ka konsultuar tërë materialin relevant për të gjetur se deri ku është kufiri i Kosovës dhe ku fillon kufiri i Malit të Zi, gjithnjë sipas dokumentacionit që ka në dispozicion secila palë.

Komisioni Qeveritar ka punuar në përputhje të plotë me mandatin e tij. Për tri vjet me radhë ka konsultuar tërë dokumentacionin relevant, ka mbajtur 22 takime me qytetarët e zonës për të marrë informacione relevante edhe nga ata. Punën e Komisionit e ka vlerësuar si të drejtë dhe të saktë edhe Komisioni Ndërkombëtar. E kanë vlerësuar dhe e kanë përkrahur zyrtarë të lartë nga e tërë bota, duke përfshirë edhe presidentin Obama. Pra, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se Komisioni Qeveritar nuk e ka kryer mirë punën e vet. Është i njëjti Komision që ka kryer demarkacionin suksesshëm me Maqedoninë.

Ç’është edhe më e rëndësishme, marrëveshja e tanishme nuk do të thotë se në të ardhmen, nëse dikush del me argumente të reja ligjore, nuk do të mundë të hapet përsëri tema e kufirit me Malin e Zi, madje edhe të kërkohet Arbitrazh Ndërkombëtar. Por, e para, duhet të ratifikohet ky kufi deri ku i kemi "letrat".

Zëri: Nëse nuk ratifikohet Marrëveshja për Demarkacion, cilat janë pasojat që do t’i bartë Kosova?

Thaçi: Konsekuencat janë të shumta, në shumë rrafshe dhe afatgjata. E ripërsërisë, pasojat konkrete janë vonesa e liberalizimit të vizave, shtyrja e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe vonesa e instalimit të dialogut politik me NATO-n.

Por, më të rënda do të jenë pasojat në rrafshin ndërkombëtar. Kosova ka nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare dhe tani nga Kosova pritet që ta implementojë atë marrëveshje, të qëndrojë prapa zotimeve që ka marrë. Nëse nuk ratifikojmë Marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë bashkësisë ndërkombëtare i themi se nuk jemi seriozë kur e japim fjalën, kur zotohemi për diçka, madje edhe kur nënshkruajmë atë zotim. Kjo do të prekë deri te investitorët potencialë, të cilët më nuk do t'i besojnë fjalës së Kosovës, madje edhe kur fjalën e pasojmë me nënshkrime të Qeverisë. Do të kërkohet kohë e gjatë për të përmirësuar këtë imazh në skenën ndërkombëtare.

Zëri: Demarkacionin po e mbështesin edhe ambasadorët e huaj, ndërsa edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se edhe kjo marrëveshje duhet të përfundohet. A ishte ky mesazh për opozitën?

Thaçi: Që nga nënshkrimi Marrëveshja për Demarkacionin ka marrë vlerësimet më të larta të zyrtarëve më të lartë të bashkësisë ndërkombëtare. Gjithashtu, zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë vazhdimisht kanë bërë thirrje, në mënyrën më eksplicite, për mospërdorim të dhunës as në rrugë e sidomos jo në Kuvendin e Kosovës. Këtë e kanë thënë gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë edhe sekretari Kerry, por një javë më parë edhe vetë zëvendëspresidenti Biden. Që të dy këta sikurse edhe tërë administrata amerikane, por edhe i tërë shteti amerikan, është dëshmuar historikisht, kanë dhënë gjithmonë rekomandimet më të mira, më largpamëse për Kosovën. Edhe këtë herë është njësoj. 

Zëri: Si e vlerësuat Ju në përgjithësi vizitën e zëvendëspresidentit amerikan? Një kohë të mirë të fjalimit të tij ia kushtoi edhe korrupsionit dhe shtetit të së drejtës, si do të luftohet korrupsioni?

Thaçi: Vizita e zëvendëspresidentit Biden ishte e rëndësishme për Kosovën, por edhe për tërë rajonin. E para, vizita tregon që edhe në këtë kohë kur bota po përballet me sfida shumë të mëdha, gjithandej globit, Kosova dhe rajoni vazhdojnë të gëzojnë vëmendjen e Washingtonit. E dyta, mesazhet e zëvendëspresidentit Biden janë formula e qartë se si mund të ecim përpara: të instalojmë sundimin e ligjit dhe të punojmë për zhvillimin ekonomik të vendeve tona, të kemi dialog me njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë drejt integrimit. Këto janë mesazhe për tërë rajonin, jo vetëm për Kosovën.

Në Kosovë jemi duke bërë hapa të sigurt në luftimin e korrupsionit. Kemi Kodin Penal më të avancuar, por kemi vërejtur disa mangësi në të. Menjëherë kemi filluar punën që të korrigjojmë këtë dhe qysh në vjeshtë mund të priten rezultate konkrete. Kemi arrestuar zyrtarë të lartë të shtetit nën akuzat për korrupsion dhe shumë nga ta presin të dalin para gjyqit. Edhe këtu kemi gjetur disa mangësi, që vonojnë ose pengojnë gjyqin. Edhe këtë jemi duke punuar ta korrigjojmë sa më parë.

Vetëm ta kujtojmë se këtë vit Kosova ka marrë edhe MSA-në edhe MCC-në. Për të dyja këto sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në përgjithësi kanë qenë dhe janë ndër kriteret themelore. Asnjëra nga këto nuk do të bëhej sikur Brukseli dhe Washingtoni të mos ishin të bindur se kemi shënuar progres substancial, bindës në instalimin e sundimit të ligjit. Por jam i bindur se duhet bërë edhe më shumë sa i përket rendit dhe ligjit.

Zëri: Kanë kaluar 5 muaj prejse jeni emëruar president i Kosovës dhe asnjëherë nuk ke ftuar opozitën në takim, pse nuk po i ftoni ata?

Thaçi: Si president i vendit jam në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë etnie, çfarë feje i përkasin, apo edhe çfarë bindje politike kanë. Kam filluar duke vizituar komunitetet etnike, duke dhënë mesazhin se Kosova është shtëpi e të gjithëve. Kam takuar në shumë raste edhe përfaqësues të partive politike opozitare. Takimi dhe komunikimi me asnjërën palë nuk mungon. Të gjithë janë të mirëpritur në zyrën time për të diskutuar çdo çështje me interes, por para çdo interesi partiak unë respektoj agjendën shtetërore.

Zëri: Së fundmi ka ndodhur edhe afera e përgjimeve, si po i shihini ju këto publikime pasi që në disa prej tyre jeni edhe ju i përfshirë?

Thaçi: Nëse në ato përgjime apo edhe në skandalin më të ri të punësimeve në Komunën e Prishtinës ka material për Prokurorinë, atëherë drejtësia le të merret me to. Të lejojmë, të gjithë, që gjyqësia të veprojë pa presion. Të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Zëri: Kush mendoni se qëndron pas tyre dhe pse po ndodhin këto tash, pas 4 ose 5 vjetësh?

Thaçi: Përsëri, kjo është çështje për drejtësinë.

Zëri: A mund ta dëmtojnë ish-partinë tuaj këto përgjime?

Thaçi: Nuk kam mandat, prandaj edhe nuk lëshohem në komentime për opinionet e tilla nga pozicioni i presidentit të vendit për asnjë parti politike. Pozicioni im është mbi çdo interes partiak.

Zëri: Më 1 shtator është caktuar data kur në Kuvendin e Kosovës do të shkojë për ratifikim Marrëveshja për Demarkacionin, opozita ndërkaq ka paralajmëruar protesta, a besoni se marrëveshja do të kalojë dhe si e vlerësoni në fund situatën politike?

Thaçi: Gjithmonë kur ka qenë në pyetje interesi i Kosovës, interesi i qytetarëve të Kosovës, partitë politike, pa marrë parasysh se sa kanë qenë të acaruara me njëra-tjetrën, kanë gjetur urti dhe forcë të marrin vendimin më të mirë për shtetin tonë. Nuk kam asnjë arsye të besoj që këtë herë do të jetë ndryshe.

Më 1 shtator në Kuvend do të kalojë Demarkacioni, nuk kam asnjë dyshim. Deputetët do të kalojnë mbi emocionet apo logjikën provinciale për t’i respektuar interesat e shtetit.

Kosova si shtet ndërkombëtarisht është e njohur me kufijtë aktualë. Çdo interpretim tjetër është i gabuar dhe i rrezikshëm për të ardhmen euroatlantike të shtetit tonë. Ne sot nuk po korrigjojmë padrejtësitë historike-ballkanase, por po ndërtojmë të ardhmen evropiane të rajonit.