Kuvendi në “gjumë”, 17 seanca për 8 muaj
Kuvendi i Kosovës gjatë këtyre tetë muajve ka mbajtur vetëm 17 seanca, në të cilat ka miratuar 35 ligje apo 25 për qind të agjendës legjislative për këtë vit. Ndërsa në procedurë të miratimit janë 20 ligje, kurse në pritje 80 të tjera.
Deputetët e opozitës thonë se numri i vogël i seancave pas bojkotimit të punës së Kuvendit nga opozita dëshmon se koalicioni qeverisës nuk është serioz dhe se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja të parakohshme, në mënyrë që të zgjidhet legjislacioni dhe qeveria e re.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Teuta Haxhiu ka thënë se fatkeqësia e kësaj legjislature janë Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi, pasi, sipas saj, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve ka krijuar situatë kur puna e Kuvendit nuk mund të ishte më normale.
“Situata e krijuar pas këtyre dy marrëveshjeve e ka pamundësuar zhvillimin normal të punës së Kuvendit. Edhe pasi ne kemi dalë nga Kuvendi është vërtetuar se ne kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se nuk mund të ketë normalitet në Kuvend derisa të anulohen këto dy marrëveshje. Edhe pasi kemi dalë ne, Kuvendi ka vazhduar me intensitet të ulët punën, ka pasur pak seanca dhe janë miratuar pak ligje”, është shprehur Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se mungon cilësia edhe tek ligjet që janë miratuar gjatë këtyre muajve, pasi konsideron se janë bërë pa debate të mirëfillta.
“Miratimi i ligjeve të përshpejtuara ose në formën çfarë është bërë pa debate sigurisht se ndikon në cilësinë e ligjeve. Prandaj duhet të anulohen këto marrëveshje, duhet të merren vesh partitë politike për zgjedhje të reja dhe pas zgjedhjeve të drejta të vijë një legjislaturë e re”, ka shtuar Haxhiu, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë Marrëveshjen për Demarkacionin, në mënyrë që, sipas saj, të mos i bëhet dëm vendit duke i falur tokë.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën” Zafir Berisha ka thënë se koalicioni qeverisës është joserioz, prandaj, sipas tij, do të ishte mirë që sa më parë të mbahen zgjedhje të reja.
“Ky koalicion që ka mbi 80 vota shpeshherë ka dështuar të mbajë seanca për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita e ka bojkotuar punën e Kuvendit. Dhe ky dështim për të mbajtur seanca tregon për mungesën e seriozitetit të këtij koalicioni. Prandaj sa më parë që mbahen zgjedhje të reja do të jetë më mirë për vendin, pasi do të dalë një legjislaturë dhe një qeveri e re”, ka deklaruar Berisha, duke thënë se edhe ato ligje që janë bërë “janë bërë shkel e shko”.
Kurse analisti Avni Zogiani ka thënë se kur Kuvendi ka agjendë të ngarkuar duhet të mbajë më shumë seanca, por, sipas tij, gjatë kësaj kohe legjislativi ka punuar në rrethana jo të zakonshme.
“Në princip, nëse ka shumë punë Kuvendi do të duhej të kishte më shumë seanca, por gjithashtu për një kohë Kuvendi ka punuar në rrethana të jashtëzakonshme. Kuvendi është shndërruar në arenë të përplasjeve politike sesa vend ku diskutohen çështjen e rëndësishme dhe ligjet. Funksioni ligjvënës i Kuvendit pothuajse është shkatërruar. Ka qenë e pamundur të pritet më shumë”, ka vlerësuar Zogiani.
Në fund ai ka thënë se Kosova ka nevojë për reformim rrënjësor institucional, që para së gjithash përfshin reformimin e legjislacionit. Zogiani ka thënë gjithashtu se pa u tejkaluar bllokada nuk mund të flitet për punë normale të Kuvendit.