Kadaj - Bujupi paralajmëron tensionim të situatës

Aktuale August 24, 2016 - 08:08

Nëse Qeveria e Kosovës nuk zmbrapset nga marrëveshjet për Demarkacion dhe Asociacionin, atëherë eskalimi potencial i situatës do të jetë përgjegjësi mbi ta, ka thënë Donika Kadaj - Bujupi në intervistën dhënë gazetës “Zëri”

Sa herë që preket interesi i vendit do të këtë tensionim të situatës, sepse qytetarët e Republikës nuk mund të pajtohen me këtë fakt.

Ky është paralajmërimi i deputetes Donika Kadaj – Bujupi, tashmë pjesë e Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila shton se ky tensionim mund të këtë konsekuenca të ndryshme dhe të rrezikshme.

“Prandaj Qeveria duhet ta këtë parasysh këtë dhe të mos vazhdojë me kokëfortësinë e saj, sa të habitshme, aq edhe të dëmshme për Kosovën. Për çfarëdo eskalimi potencial, përgjegjësia e plotë është te ta”, ka thënë në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, Kadaj - Bujupi.

Duke folur në emër të “Vetëvendosjes”, Kadaj - Bujupi thotë se kosovarët nuk mund të presin as nga ambasadorët e as nga zv/presidenti Biden, që të përkujdesen të mos humbet territor.

Ajo përmend se si ShBA-ja, e cila ka sipërfaqe të territorit rreth 9.4 milionë km2, në asnjë moment nuk lëshon pe ndaj Meksikës në mosmarrëveshjen e tyre për shumë pak territor, saktësisht 2.4 km2.

“Kemi plot këso raste. Prandaj, ‘Vetëvendosja’ nuk do të zmbrapset në këtë drejtim, bile do ta këtë kundërshtimin edhe më të fuqishëm”, ka thënë për “Zërin” mes tjerat Kadaj – Bujupi.

Zëri: Zonja Kadaj - Bujupi, Marrëveshja me Malin e Zi për shënjimin e kufirit po vazhdon të ndajë në dysh spektrin politik kosovar për arsye tashmë të njohura. A ka zgjidhje kjo situatë dhe cila mund të jetë ajo, sipas jush?

Kadaj - Bujupi: Që nga koha kur Qeveria e Kosovës filloi punën për kontrabandimin e dy marrëveshjeve jashtëzakonisht të dëmshme për të ardhmen e vendit (për Demarkacionin me MZ dhe 'Zajednicën'), skena politike u nda në dysh: pushtetarët që me çdo kusht kërkonin dhe po kërkojnë copëtimin e Kosovës dhe opozita që kundërshtonte me të gjitha forcat këto dy projekte. Pas rezistencës intensive disamujore, është Lëvizja “Vetëvendosje” që në mënyrën e njëjtë po e vazhdon kundërshtimin dhe rezistencën. Në anën tjetër, Qeveria vazhdon me insistimin e njëjtë. Në këtë mes, zgjidhja është në dorën e Qeverisë. Tashmë para tyre janë shpalosur argumentet e ekspertëve në lidhje me Demarkacionin që tregojnë si Kosova humb territor me këtë shënjim të kufirit që është bërë, sikurse Gjykata Kushtetuese konstatoi se Marrëveshja për “Zajednicën” është antikushtetuese. Pra çelësi është te tërheqja e Qeverisë nga pozicioni që ka mbajtur deri më tash, madje edhe të japë dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi për tentimin e vazhdueshëm për shkelje të rendit kushtetues dhe cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Zëri: A e ndjeni sikur situata është tensionuar së fundmi dhe a ka rrezik për ndonjë eskalim të situatës?

Kadaj - Bujupi: Sa herë që preket interesi i vendit do të këtë tensionim të situatës, sepse qytetarët e Republikës nuk mund të pajtohen me këtë fakt. Ky tensionim mund të këtë konsekuenca të ndryshme dhe të rrezikshme, prandaj Qeveria duhet ta ketë parasysh këtë dhe të mos vazhdojë më kokëfortësinë e saj, sa të habitshme, aq edhe të dëmshme për Kosovën. Për çfarëdo eskalimi potencial, përgjegjësia e plotë është te ta.

Zëri: Demarkacionin po e mbështesin edhe ambasadorët e huaj në vend, ndërsa edhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha se edhe kjo Marrëveshje duhet të përfundohet. A do të thotë diçka ky “insistim” edhe i ndërkombëtarëve karshi këtij problemi? A mund të ndryshoni qëndrim në këtë drejtim?

Kadaj - Bujupi: Ne nuk mund të presim as nga ambasadorët, e as nga zv/presidenti Biden, që të përkujdesen që ne të mos humbim territor. Sigurisht që bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që të arrihen sa më lehtë marrëveshjet mes Kosovës dhe shteteve fqinje, por është në dorë të udhëheqjes së shtetit tonë të mbrojnë interesin shtetëror. Këta nuk po e bëjnë këtë dhe në të gjitha negociatat po dalin humbës, e çfarë është më e keqja dhe e më e çuditshmja, humbës të lumtur. ShBA-ja, e cila ka sipërfaqe të territorit rreth 9.4 milionë km2, në asnjë moment nuk lëshon pe ndaj Meksikës në mosmarrëveshjen e tyre  për shumë pak territor, saktësisht 2.4 km2. Kemi plot këso raste. Prandaj, “Vetëvendosje” nuk do të zmbrapset në këtë drejtim, bile do ta këtë kundërshtimin edhe më të fuqishëm.

Zëri:  Si e vlerësuat Ju në përgjithësi vizitën e zv.presidentit amerikan. Një kohë të mirë të fjalimit të tij ia kushtoi edhe korrupsionit dhe shtetit të së drejtës. Mirëpo, foli edhe për ndalimin e dhunës në Kuvend?

Kadaj - Bujupi: Në fakt, fjala e tij kryesore ishte kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, sado që Qeveria dhe disa media që luajnë tellallin e Qeverisë u munduan t'i jepnin kahje tjera mesazhit të z. Biden. Mesazhi i tij erdhi pikërisht në kohën kur ditë për ditë po dalin përgjime që tregojnë më së miri se si është kapur Kosova nga klani “Pronto”. Sa për “dhunën”, ajo çfarë ka ndodhur në Kuvend, është e tepërt të quhet dhunë. Gazi është i papëlqyeshëm dhe pamje jo e mirë, por dhunë është falja territorit, bosnjëzimi i Kosovës, varfëria e papunësia, korrupsioni... Efekti i gazit është disaminutësh, kurse i këtyre tjerave afatgjatë.

Zëri: Para një jave u mbajt edhe takimi i parë i liderëve partiakë, në të cilin ishte folur për situatën aktuale politike në vend. U përmend edhe gjetja e një konsensusi të mundshëm. A është i mundur konsensusi në këtë situatë?

Kadaj - Bujupi: Zgjidhja është e njohur dhe lehtë e mundur. Mjafton që Qeveria të tërhiqet nga insistimi që t'i avancojë tutje këto projekte të rrezikshme për ardhmërinë e vendit. Gjërat janë të qarta, debati është i shterur, dhe s'kemi pse t'i maltretojmë qytetarët me takime, tryeza a diskutime liderësh. Për Demarkacionin u mbajt debati i ekspertëve, dhe ende pa përfunduar debati, Qeveria doli me konferencë duke potencuar se Demarkacioni do të ratifikohet, pavarësisht çfarë doli nga ai debat, ku argumentet më bindëse ishin në anën e ekspertëve që e kundërshtonin shënjimin aktual të kufirit. Pra, debati për ta ishte sa për sy e faqe.

Zëri: Më 1 shtator është caktuar data kur në Kuvendin e Kosovës do të shkojë për ratifikim Marrëveshja për Demarkacionin. Çka nëse ratifikimi bëhet dhe Demarkacioni kalon?

Kadaj - Bujupi: Ratifikimi s'duhet të kalojë me asnjë kusht. Demarkacioni nuk guxon të kalojë. Ky është qëllimi i organizimit të protestës së 1 shtatorit. Nuk guxojmë të llogarisim në disa deputetë që flasin vazhdimisht me hamendje, dhe kur vjen momenti i ratifikimit, mashtrohen apo blihen, dhe japin arsye banale më pas. E kemi të freskët rastin e zgjedhjes së Thaçit president, ku u dhanë terminale dhe u bënë pazare të pista. Është përgjegjësi e secilit qytetar që atë ditë të jemi para Kuvendit dhe ta parandalojmë ratifikimin. Protesta është e vetmja zgjidhje atë ditë.

Zëri: Së fundmi ka ndodhur edhe afera e përgjimeve “Pronto 2”. Si po i shihini ju këto publikime?

Kadaj - Bujupi: Është shumë mirë që ato po publikohen, pasi që protagonistët e këtyre përgjimeve po e thonë me gojën e tyre se kush janë. Sikurse “Pronto 1”, edhe “Pronto 2”, kanë bërë që tashmë këta kriminelë të demaskohen me zë e figurë. Duhet thënë edhe se “Vetëvendosja” në vazhdimësi, në Kuvend, me konferenca, me shkrime, në emisione etj., ka treguar se kush janë këta banditë, qysh herët. Sot po i njohin të gjithë. Po shihet se kemi të bëjmë me dy koka të krimit (Hashimin e Kadriun), që përmes veglave të tyre e kanë kapur si është më së keqi Kosovën. Është domosdoshmëri dhe përgjegjësi e jona, e qytetarëve të Republikës, ta çlirojmë e shpëtojmë Kosovën nga këta gangsterë.

Zëri: Pse koalicioni i PDK-së, LDK-ja, po hesht për këto skandale. A e fajësoni edhe LDK-në për “Pronto 2”?

Kadaj - Bujupi: Sigurisht që po. Heshtja e LDK-së është e turpshme, skandaloze dhe e papranueshme. Por, për të qenë të sinqertë, ka arsye pse ndodh kjo. Duhet thënë se LDK-ja është bashkëfajtore shpesh për atë që i ka ndodhur Kosovës dhe ku është ajo sot. Mendojmë se LDK-ja është edhe e shantazhuar. Isa Mustafa, degraduesi i Prishtinës, i ka hiç më pak se 70 dosje në Prokurori, me të cilat kërcënohet herë pas here nga partneri i koalicionit. Si përfundim, LDK-ja e PDK-ja dallojnë mbase në nuanca, por po dëshmohet që janë mendësi e njëjtë. Dhe, s'mund të ketë shpresa në një subjekt që e akuzoi shërbimin sekret të PDK-së, ShIK-un, me vite për vrasje të aktivistëve të saj, dhe në fund hyn në koalicion me të dhe zhyten në heshtje e nuk thonë një fjalë. Është momenti ideal për LDK-në të distancohet nga klani “Pronto”, ta prishë koalicionin dhe kështu të bëhet besnike ndaj elektoratit të saj, i cili e ka votuar pikërisht për shkak të zotimit të Isa Mustafës që do ta luftojë klanin “Pronto”. Në anën tjetër, ne i kemi bërë thirrje edhe AAK-së që të reagojë fuqishëm ndaj këtyre skandaleve, sepse çdo qëndrim i afërt me PDK-në në këto momente është gabim historik.