​ Lista Serbe kushtëzon Demarkacionin!

Aktuale August 23, 2016 - 08:17

Të paktën nëntë deputetë të dalë nga koalicioni qeverisës nuk do të votojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi më 1 shtator. Megjithatë, kjo nuk duket se po i shqetëson shumë partnerët e koalicionit pasi në “ndihmë” atyre pritet t’u vijë Lista Serbe.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri” çmimi që partnerët LDK-PDK duhet të paguajnë në rikthim të këtij “favori” është votimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. E krejt ky “pazar” nuk po i çudit shumë partitë opozitare. Ata thonë se vazhdimisht, koalicioni PDK- LDK- Lista “Srbska” i është përshtatur kërkesave të Listës Serbe. Sipas tyre, votimi për të dyja këto pika, do të ishte situatë fitoreje për Listën “Srbska” dhe situatë humbjeje për Kosovën.

Në anën tjetër analistët politikë thonë se tashmë është edhe realitet se Lista Serbe nuk do ta votojë demarkimin e kufirit me Malin e Zi nëse nuk "e blen" votën për Asociacionin!?

Lëvizja “Vetëvendosje” është e bindur se koalicioni PDK-LDK i është përshtatur vazhdimisht kërkesave të Listës Serbe. Sipas kësaj Lëvizje, pikërisht duke iu përmbajtur këtyre kërkesave, Kosova po rikthehet në Serbi. “Vazhdimisht, koalicioni PDK- LDK- Lista ‘Srbska’ i është përshtatur kërkesave të Listës Serbe.

Opozita: Koalicioni i ka bërë koncesione Listës Serbe

Fakti që kjo listë insiston në formimin e ‘Zajednicës’ është një argument shtesë që ajo çështje është shkatërruese për Kosovën. Duke iu përmbajtur këtyre kërkesave, Kosova po kthehet në Serbi”, ka thënë Frashër Krasniqi, zëdhënës i kësaj Lëvizjeje. Ai ka shtuar se asnjëra nga këto dy çështje Demarkacioni dhe Asociacioni duket të arrijnë në Kuvendin e Kosovës. “Votimi për të dyja këto pika, do të ishte situatë fitoreje për Listën ‘Srbska’ dhe situatë humbjeje për Kosovën, meqë të dyja e dëmtojnë rëndë funksionimin e shtetit. Zgjidhja është që asnjëra prej këtyre çështjeve të mos mbërrijnë në agjendë për votim në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

Në një vijë është shprehur edhe sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovës”, Bilall Sherifi. Sherifi ka thënë se Lista Serbe votat e saj deri më sot nuk i ka dhënë pa ndonjë marrëveshje të fshehtë, dhe tani do të jetë koha kur do të kuptohet cilat janë ato. “Që nga  krijimi i tij, ky koalicion i ka bërë koncesione Listës Serbe në funksion të votimit të disa çështjeve që kanë kërkuar 2/3 e votave të deputetëve. Mendoj se votat për Gjykatën Speciale dhe sidomos për zgjedhjen e Thaçit president, Lista Serbe nuk i ka dhënë pa ndonjë marrëveshje të fshehtë”, ka thënë Sherifi.

Pikërisht duke u nisur nga këto marrëveshje, Sherifi ka thënë se beson që një e tillë është bërë edhe rreth votimit të Demarkacionit në kthim të votimit për Asociacionin. “Prandaj mund të ketë marrëveshje që në këmbim të votës për Demarkacionin t'iu bëjnë koncesione për Asociacionin është e mundur dhe e besueshme. Koalicioni LDK-PDK-Lista Serbe, pa dyshim se do të hyjë në histori të Kosovës si "Koalicioni për të zezën e vendit" prandaj, deputetët e Kuvendit, sidomos ata të mazhorancës, e kanë një mundësi historike që duke u deklaruar publikisht se nuk do ta votojnë këtë version të Demarkacionit ta shpëtojnë vendin nga dëmet që kjo Qeveri është e gatshme t'ia shkaktojë Kosovës”, ka thënë Bilall Sherifi.

 Analistët: Lista Serbe e ka blerë votën për Asociacionin

Analistët politikë në vend janë të ndarë rreth mundësisë së shkëmbimit të votave ndërmjet koalicionit qeverisës dhe Listës Serbe për dy çështjet më të përfolura aktualisht në vend, Demarkacionit dhe Asociacionit. Halil Matoshi ka thënë se Lista Serbe e ka blerë votën për Asociacionin duke dhënë atë për ratifikimin e Demarkacionit. “Lista serbe është e krijuar në Beograd nga Vuçiqi dhe e miratuar në Prishtinë nga Hashim Thaçi, kjo parti është bërë për interesa personale të tanimë Presidentit të vendit për me e pasë më të lehtë kapjen e shtetit dhe natyrisht që kjo listë kalkulon për interesin serb në Kosovë, pra jep pak për të marrë shumë. Është realitet se kjo Listë nuk do ta votojë demarkimin e kufirit me Malin e Zi nëse nuk "e blen" votën për Asociacionin!?”, ka thënë Matoshi. Madje, sipas tij, tani votimi i Demarkacionit do t’i kushtojë PDK-së me humbjen e disa marrëveshjeve të tjera të cilat ka mundur t’i bëjë me Listën Serbe. “PDK-ja naivisht ka besuar se Asociacionin do ta ndërronte me krijimin e ushtrisë së Kosovës, por jo, Lista Serbe për ta votuar ushtrinë ka për të kërkuar postin e zëvendëskomandantit të saj, me mundësi edhe postin e ministrit të Mbrojtjes, si dhe postin e zëvendësdrejtorit të AKI-së”, ka përfunduar Matoshi.

Në anën tjetër, profesori universitar Blerim Burjani, edhe pse ka thënë se një marrëveshje e tillë në mes të Listës Serbe dhe koalicionit qeverisës është e mundshme, nuk beson se diçka e tillë do të ishte pozitive.

“Është e mundur të ketë një marrëveshje të tillë, mirëpo vendet e rezervuara në Kuvend janë kushtëzuar për votat për formimin e ushtrisë së Kosovës. Kosova ka kushtëzuar me lëvizjen e lirë mbi urën e Ibrit por edhe me kodin telefonik. Deri më tash nuk është përmendur ky kushtëzim nga ana e Listës Serbe”, ka thënë Burjani. Ai thotë se një kusht i tillë nga Lista Serbe do të dëmtonte raportet shqiptaro-serbe. “Nëse do të ketë qëllim të tillë Lista Serbe atëherë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk do të shpejtohej. Kam përshtypjen se Serbisë nuk i konvenon vendosja e këtyre dy kushteve për shkak të trendit pozitiv që ka në integrimet evropiane”, ka përfunduar Burjani.

Seanca për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi është caktuar që të mbahet më 1 shtator. Kundërshtimit të opozitës i janë bashkuar edhe disa deputetë nga koalicioni qeverisës. Nëntë është numri i tyre deri më tani, por që mund të shtohet edhe më shumë në ditët e ardhshme.