Kosova kampione e korrupsionit

Aktuale August 21, 2016 - 09:55

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, i cili në tre vitet e fundit thuajse nuk ka ndryshuar fare, Kosovën e rendit në krye të listës së vendeve më të korruptuara në rajon. Në këtë drejtim vendi ynë qëndron më keq se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Niveli i lartë i korrupsionit në prokurimin publik është shndërruar në “kancer” të buxhetit të shtetit.

Brenda vitit dyshohet se shuma të mëdha parash të buxhetit përfundojnë në xhepa të zyrtarëve të korruptuar të prokurimit. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i cili në tre vitet e fundit thuajse nuk ka ndryshuar fare, Kosovën e rendit në krye të listës së vendeve më të korruptuara në rajon.

Në këtë drejtim vendi ynë qëndron më keq se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se niveli i korrupsionit në vend edhe më tutje vazhdon të jetë i njëjtë sikurseve viteve të kaluara, pavarësisht premtimeve të shumta institucionale për ta luftuar atë.

Artan Canhani nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se aferat korruptive në fushën e prokurimi publik në Kosovë vazhdojnë të jenë ndër çështjet kryesore në diskursin e diskutimeve nëpër media, raporte dhe publikime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Në mungesë të inspektimit, 2 milionë euro më shumë

Sipas tij, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit nuk ka ndryshuar në tri vitet e fundit.

“Herën e fundit kur është publikuar ky indeks, Kosova ka qenë në vendin 103 si më e korruptuar nga gjithsej 168 shtete dhe qëndron më keq krahasuar me vendet e rajonit, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi”, ka thënë ai.

Sipas tij, aktualisht për shkak të vlerës së lartë të parasë në qarkullim, keqmenaxhimet më të mëdha në vlerë ndodhin në nivelin qendror.

“Për shembull një raport i monitorimit të Ministrisë së Infrastrukturës ka shpërfaqur që mungesa e inspektimit të ofertave para dhënies së kontratave i ka kushtuar buxhetit gati 2 milion euro nga një vlerë e përgjithshme e kontratës prej 9 milionë eurosh. Mirëpo, menaxhimi i dobët është evident edhe në nivel lokal, ku p.sh., një toner për printer paguhet dy herë më shumë sesa në tregun me pakicë”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Canhasi më tej thotë se një nga mënyrat se si do të tejkalohej ky problem është rritja e transparencës përmes prokurimit elektronik.

Sipas tij, ndryshimet e fundit të legjislacionit të prokurimit janë inkurajuese dhe tregojnë për disa përpjekje për të rregulluar më mirë këtë fushë.

“Procedura e ‘kuotimit të çmimeve’ për blerje më pak se 10,000 euro që shfrytëzohej së tepërmi nga institucionet për të shmangur procedurat e hapura, është rregulluar dhe tani tenderët duhet të publikohen. Gjithashtu janë bërë ndryshime që mundësojnë largimin apo suspendimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit në rast të ndonjë aktakuze kundër tyre. Këto dhe ndryshime tjera japin shpresë që fusha e prokurimit do të rregullohet në vitet në vijim. KDI-ja do të vazhdojë që të matë nëse ky përmirësim përkthehet edhe në praktikë”, ka thënë ai.

Rexhepi: Faturën po e paguan populli

Edhe Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se mënyra e shpenzimit të parasë publike është problemi më i madh i vendit.

Sipas tij, secilin vit investimet publike sillen rreth 500 milionë euro, ndërsa në anën tjetër në Kosovë nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, e as punësim.

“Shumë hulumtime dhe analiza kanë treguar për korrupsion dhe mosrespektim të ligjit gjatë prokurimit. Madje këtë e thotë edhe auditori i përgjithshëm. Por, e kotë. Shteti po funksionon sipas skenarit të thënë e të dëgjuar në aferat e përgjimeve të telefonatave ndërmjet ‘shefave’, të cilat shpenzime i paguan populli i mjerë”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, buxhetin po e dëmtojnë procedura favorizuese e korruptive gjatë prokurimit, por në anën tjetër edhe mungesa e llogaridhënies.

Edhe Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, ka thënë se prokurimi publik është fusha më e zhytur në korrupsion për shkak se, sipas tij, nuk ka qarkullim tjetër të parasë, pos përmes këtij mekanizmi.

“Përmes tij, lidhen strukturat politike dhe bizneset, sepse ndryshe ato s’mund të marrin tenderë. Përderisa sistemi është i korruptuar, nuk është për t’i fajësuar shumë bizneset, sepse të vetmen mundësi për të marrë tender e kanë të korruptojnë ndonjë politikan. Ky dikaster lidhet edhe me politikën edhe me biznesin. Ne në ‘Çohu’ kemi bërë një hulumtim, të gjeturat e të cilit tregojnë se bizneset që financojnë partitë politike, ose fushatat zgjedhore marrin tenderë”.