Qeveria do të duhej t’i hapte 100 mijë vende pune

Aktuale August 20, 2016 - 08:30

Qeveria e Kosovës gjatë këtyre dy vjetëve të fundit do të duhej t’i krijonte 100 mijë vende të reja të punës, në bazë të premtimeve të fundit elektorale nga partnerët e koalicionit qeverisës. Por, shumë pak vende të punës janë hapur në gjysmën e mandatit të ekzekutivit

Po t’i mbanin premtimet parazgjedhore dy partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK), gjatë dy vjetëve të fundit në Kosovë do të duhej të hapeshin 100 mijë vende të reja pune, nga 200 mijë sa ishin premtuar gjatë një mandati 4-vjeçar të ekzekutivit.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në qershor të vitit 2014, PDK-ja kishte premtuar se po të drejtonte Qeverinë gjatë një mandati qeveritar do t’i hapte 200 mijë vende të reja punës, përderisa 120 mijë i kishte premtuar LDK-ja e kryeministrit Mustafa.

Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, shumë pak vende pune janë hapur deri më tani, madje edhe më pak se që janë hapur në mandatet e qeverive të mëparshme.

Përpos vendeve të reja të punës, dy partitë më të mëdha në vend kishin premtuar edhe shndërrimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), si dhe liberalizimin e vizave për kosovarët, premtime këto që ende nuk janë plotësuar etj.

Abdullahu: Mosrealizimi i premtimeve për punësim, shkak i krizës politike

Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, thotë për “Zërin” se ndikimi i krizës politike që ka karakterizuar vendin viteve të fundit, ka ndikuar edhe në efikasitetin e Qeverisë.

“Situata me tensione të herëpashershme, apo thënë ndryshe pa normalitet të mjaftueshëm apo të paqëndrueshëm sa duhet... vazhdimisht ndikojnë në efikasitetin e qeverisjes dhe politikave zhvillimore...”, është shprehur Abdullahu.

Gjithashtu ai ka vlerësuar se kriza të tilla politike, “reduktojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjeve të ndryshme si premisa për progres në fusha të ndryshme”, ka thënë Abdullahu.

Zeka: S’ka punësim pa fuqizimin e sektorit privat

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për “Zërin” se rritja drastike e punësimit gjatë katër vjetëve, nëse nuk fuqizohet sektori privat është e pamundur.

Ai thotë se kanë përsëritur kërkesat për përmirësimin e politikave fiskale që do të ishin në funksion të zhvillimit ekonomik.

Pos tjerash Zeka thotë se është propozuar që të hiqet dogana për lëndën e parë dhe futjen në fuqi të pushimeve tatimore, të cilat do të ndikonin dukshëm në përmirësimin e pozitës konkurruese të bizneseve dhe inkurajimin e investimeve të reja.

Gjithashtu, sipas tij, investimet e huaja në vend nuk po shënojnë ndonjë rritje të dukshme, e cila do të përmirësonte perspektivën e punësimit. 

“Kompanitë e huaja duan që në mjedisin e investimeve të kenë mundësi të barabarta dhe trajtim fer, ku asnjë grup nuk gëzon trajtim preferencial”, ka përfunduar Zeka.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se premtimet për një numër kaq të madh të vendeve të reja të punës janë vetëm deklarime elektorale, por, siç thotë ai, nuk janë pjesë e programit qeveritar.

“Vende të punës gjeneron vetëm sektori privat, kurse Qeverisë i takon vetëm të ndërtojë shtetin ligjor, funksional, të sigurt, treg të konkurrencës, pa korrupsion, pa keqpërdorime dhe konkurrencë të shëndoshë”, shprehet Rexhepi.

Sipas tij, përmes buxhetit të shtetit është absurde të mendohet se do të hapen gjithë ato vende të reja të punës, të cilat ishin premtuar në fushatë.

Dështimet me FAK dhe me liberalizim të vizave

Sa i përket mosrealizimit të premtimit për shndërrimin e FSK-së në FAK, opinionisti Imer Mushkolaj thotë për “Zërin” se këtu po ndikon partneri i koalicionit qeverisës, Lista “Srpska”, e cila, siç thotë ai, është dorë e zgjatur e Beogradit.

“Rrjedhimisht, ky subjekt ka për të bërë kushtëzime, se çfarë mund të jenë ato nuk dihet. Por kjo ka mundur të zgjidhet më herë, gjë që tani është e diskutueshme, sepse premtimet e dhëna pa mbulesë siç bëjnë këta, kanë bërë të mos zgjidhet si çështje, çfarë dëshmon paaftësinë e klasës politike për të menaxhuar probleme të mëdha”, është shprehur Mushkolaj.

Ai ka shtuar se njësoj si me FSK-në, Qeveria e Kosovës po dështon edhe me procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.