Amerika s’e bind opozitën

Aktuale August 19, 2016 - 07:48

Subjektet opozitare nuk kanë ndërruar qëndrim rreth Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, as pas mesazheve të nënpresidentit amerikan, Joe Biden, për ratifikim të saj

Mesazhet e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, për të ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk i kanë lëvizur subjektet opozitare nga qëndrimi kundër Marrëveshjes së 26 gushtit 2015. Opozitarët thonë se nuk mund të pranohet Marrëveshja me të cilën, sipas tyre, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Qeverisë shpresojnë që mesazhet e Biden-it për ratifikim të demarkacionit të merren parasysh nga opozitarët.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, duke folur për takimin e zëvendëspresidentin amerikan, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahës të parezervë të Republikës së Kosovës, por është shumë e qartë se Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj në raport me ratifikimin e demarkacionit si dhe lidhur me marrëveshjet e dialogut në Bruksel. Përkrahja e SHBA-ve do të jetë edhe më e fuqishme kur Kosova tregohet partner serioz në përmbushjen e obligimeve të saj ndërkombëtare”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.

Abdullahu: Të reflektojnë pas vizitës së Biden-it

Kurse këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, ka thënë për “Zërin” se refuzimi i mundshëm për të mos votuar pro demarkacionit edhe pas kësaj vizite, e cila, sipas tij, ka qenë konstruktive dhe e qartë në përçimin e mesazheve do të jetë joproduktiv për të gjithë dhe brengosës për shumë arsye.

“Në njërën anë kjo do të dëshmojë se mungesa e fleksibilitetit në politikëbërje te disa është më e fortë se arsyeja dhe pragmatizmi dobiprurës dhe në tjetrën se interesat e ngushta regjionale apo përfitimet afatshkurta nuk zbresin nën interesat gjeostrategjike dhe vitale që i ka Kosova. Ne duam të besojmë se nuk do të jetë kështu, se pas kësaj vizite do të ketë reflektim nga të gjithë”, ka deklaruar Abdullahu.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, ka thënë se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është e dëmshme, prandaj do të kundërshtohet edhe më tutje.

“Ne nuk do ta këmbejmë asnjë pëllëmbë të territorit me asgjë dhe nuk do ta shesim asnjë pëllëmbë të territorit për asgjë. Demarkacionin duhet ta ndalim me çdo kusht dhe me çdo mjet demokratik. Kjo Marrëveshje Demarkacioni është e korruptuar sepse është marrëveshje të cilën e ka nënshkruar koka e korrupsionit në Kosovë”, është shprehur Ymeri.

Sherifi: Biden, kërkesë ndryshe

Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se nënpresidenti amerikan, Joe Biden, nuk ka kërkuar që kjo Marrëveshje të miratohet si e tillë, por që procesi të kryhet.

“Biden nuk tha që duhet gjithsesi kjo Marrëveshje për Demarkacionin duhet të kalojë, por pasi që Hashim Thaçi vetë e përmendi që Kosova do t’i miratojë këto marrëveshje sepse ndryshe vendi mbetet i izoluar. Këtë nuk e tha Biden. Përkundrazi ai tha se Kosova do të ketë mbështetjen e SHBA-së dhe natyrisht që mbështesin përkushtimin e vendit. Ne si opozitë nuk po themi që nuk duhet demarkuar kufirin me Malin e Zi, por jo në këtë formë. Ne mendojmë që demarkacioni është kthyer në një çështje pothuaj të pakapërcyeshme. Biden nuk tha që duhet ratifikuar kjo Marrëveshje si e tillë”, ka theksuar Sherifi.

Ai më tej ka thënë se duhet kaluar pak kohë që të dy palët të mendojnë me koka të ftohta dhe se opozita po kërkon korrigjim të Marrëveshjes.

Ndërkohë, opinionisti Imer Mushkolaj ka thënë se nuk beson që mesazhet e nënpresidentit amerikan do të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve për demarkacionin. Sipas tij, periudha deri më 1 shtator kur do të votohet demarkacioni është dashur të shfrytëzohet për të arritur ndonjë marrëveshje.

“Nuk besoj se mesazhi i Biden-it do të ndikojë as tek opozita dhe as te koalicioni qeverisës. Kjo hapësira deri më 1 shtator kur Kuvendi do të vendosë për demarkacionin ka qenë më mirë që të shfrytëzohet për të provuar për të arritur një lloj konsensusi nacional për këtë çështje. Mirëpo, tani konsideroj që është gjithçka vonë dhe çdo përpjekje për ndryshim sado të vogël është e kotë”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Madje, sipas tij, çështja e demarkacionit nuk do të zgjidhet as më 1 shtator qoftë nëse ratifikohet ose jo kjo Marrëveshje.

“Ndoshta e vetmja zgjidhje është që të vendoset njëfarë moratoriumi në ratifikimin e Marrëveshjes për një kohë të caktuar dhe gjatë asaj kohe të punohet seriozisht që të përafrohen qëndrimet, të përmirësohet çka mund të përmirësohet dhe të shkohet tutje. Përndryshe çështja nuk zgjidhet më 1 shtator edhe nëse votohet, për shkak se flasim për një çështje të interesit nacional që mund të ketë pasoja më afatgjata”, ka përfunduar Mushkolaj.