Biden 'shuplakë' Qeverisë për korrupsionin
Luftimi i korrupsionit dhe ndërprerja e zvarritjes së çështjeve, të cilat janë me rëndësi nacionale për Kosovën, janë mesazhet kryesore ta cilat klasa politike e Kosovës duhet t’i marrë nga vizita e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden. Kështu kanë thënë analistët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare për gazetën “Zëri”. Sipas tyre, kërkesat e Biden-it janë të qarta. Ai kërkon që ta bëjë politikën kosovare më të vetëdijshme për obligimet që ka karshi qytetarëve të saj.
Analisti Vigan Qorrolli, në një prononcim dhënë “Zërit”, ka thënë se Biden-i bëri thirrje Kosova të mos e çojë kohën dëm, apo duke shpenzuar demokracinë.
“Nuk duan të shpenzojnë më tepër kohë duke e parë se kjo elitë politike nuk ka përgjigje për korrupsionin në vend, për dialogun e pafund me Serbinë, për dialogun e brendshëm politik me opozitën, deri tek absurditete që zgjidhen lehtësisht dhe pa nevojë për ndërhyrje nga jashtë, si demarkacioni me Malin e Zi apo sjellja me pakicat joshqiptare në Kosovë”, ka thënë Qorrolli. Ai shton se mesazhi më i qartë i Biden-it qëndron në kërkesën për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit, aty ku Kosova është më e dobëta. “Pa këto dyja dhe pa efikasitet gjyqësor në këtë drejtim, nuk ka integrime dhe as bërje të shtetit më të mirë dhe më demokratik”, ka thënë Qorrolli.
Ndërkohë në anën tjetër, analisti Halil Matoshi ka thënë se nënkryetari i SHBA-së, Joe Biden, ia ka adresuar Qeverisë së vendit - kastës aktuale politike - kritikën më të rëndë që dikush ia ka bërë ndonjëherë. "Mund të ecni përpara vetëm nëse e luftoni pandëshkueshmërinë, krimin dhe korrupsionin. Nuk ka rrugë tjetër për Kosovën. Dihet kush e ka instaluar në Kosovë kulturën e mosndëshkimit dhe dihet kush vazhdon të jetë i pandëshkueshëm”, ka thënë Matoshi. Ai ka shtuar se megjithatë SHBA-së i intereson paqja në rajon. “Natyrisht qe SHBA-së i intereson paqja në rajon, përkatësisht dialogu permanent mes Kosovës dhe Serbisë (deri në njohjen e Kosovës nga Serbia), si dhe joshjen e Beogradit zyrtar brenda orbitës së BE-së dhe heqjen përfundimtare nga ndikimi gjeopolitik rus”, ka përfunduar ai.
Krejt në fund profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dashnim Ismajli, ka thënë se vizita e nënkryetarit Biden, ishte një vizitë e mirëseardhur për shtetin e Kosovës. “Kosova ka ende nevojë për këso vizita të cilat çojnë sinjale edhe ndërkombëtare. Sadopak edhe përmes raportimeve të mediave ndërkombëtare Kosova faktorizohet dhe merr pozicion strategjik”, ka thënë Ismajli. Ndërkohë, edhe ai thotë se porosia që nënkryetari amerikan la është vazhdimi i implementimit të marrëveshjeve. “Vetë vizita e Biden-it në Kosovë është mesazh për klasën politike kosovare. Nuk duhet të humbet kohë më sepse ndryshe vetëm tregojmë paaftësi. Normalisht për demarkacionin ai iu beson ekspertëve shtetërorë. Iu beson institucioneve dhe kjo është shumë e natyrshme dhe e mbështet këtë proces. Thotë sa më shpejt Kosova ta kalojë demarkacionin aq më shpejt e sheh edhe progresin. Nëse e tejzgjatim demarkacionin i kemi lënë anash çështjet tjera ekonomike dhe të shtetit ligjor”, ka thënë Ismajli. Megjithatë, ai shton se vizita e tij do të ishte edhe më e fuqishme sikur nënkryetari amerikan të ishte më i drejtpërdrejtë. “Rol të rëndësishëm sikur të ishte pak më i vrazhdë apo më i drejtpërdrejtë për t’i edukuar elitën tonë politike se me korrupsion apo me kriminalitet nuk mund të arrijnë objektiva të larta dhe nuk mund t’i konkurrojnë botës demokratike. Këtë me siguri ua ka thënë prapa perdeve”, ka përfunduar Ismajli.