Në shtator përzgjidhet kompania për depolitizimin e bordeve

Aktuale August 17, 2016 - 07:58

Në mesin e muajit shtator do të përzgjidhet kompania angleze, e cila do të mbikëqyrë përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Kështu i kanë konfirmuar gazetës “Zëri” zyrtarë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, një ditë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Kuvendin e Kosovës, që i dedikohet fuqizimit dhe pavarësimit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve dhe agjencive të pavarura në vend.

Merita Salihu, zyrtare për informim në këtë Ambasadë, po ashtu ka thënë për “Zërin” se ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë buxheti për kompaninë fituese, pasi që, sipas tyre, një gjë e tillë nuk dihet deri në seleksionimin përfundimtar. “E kemi të pamundur të japim një shifër gjersa procesi tenderues të jetë kompletuar dhe kompania të përzgjidhet”, ka thënë ajo.

Zyrtarë të Ambasadës britanike kanë shtuar se qëllimi i projektit është të forcojë qeverisjen e mirë, transparencën dhe llogaridhënien në institucionet e Kosovës. Po ashtu, sipas tyre, qëllimi i projektit është të luftojë nepotizmin dhe t’u jepet mundësia njerëzve që sipas meritës të caktohen në pozita kyçe. “Përmes këtij projekti, ne kemi për qëllim të luftojmë nepotizmin dhe korrupsionin përmes identifikimit të kandidatëve bazuar në meritë dhe profesionalizëm dhe jo mbi baza partiake dhe lidhje tjera”.

Sipas memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar të hënën mes ambasadorit britanik, kryeministrit Mustafa, si dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është rënë dakord, që Ambasada e Britanisë së Madhe ta financojë një kompani që do të menaxhojë procesin e rekrutimit në pozita të larta të institucioneve të Kosovës. Kjo kompani do të paraqesë një listë të shkurtër të kandidatëve më të kualifikuar për këto pozita.

Pastaj, institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për të zgjedhur kandidatin më të mirë nga lista. Në deklaratën e ambasadorit Ruairi O’Connell, të botuar në ueb-faqen zyrtare të Ambasadës, ai shprehet se nëse projekti do të ketë sukses, ai do të tregojë se Kosova ka hapur një kapitull të ri. Me këtë rast ai ka përmendur edhe përgjimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të përfshirë në afera nepotike së fundi. Ndër të tjera ai ka thënë se “punësimi për t’i bërë nder dikujt, apo për t’i kthyer borxhin dikujt, është gabim. Një shtet nuk funksionon në këtë mënyrë. Nepotizmi është kancer i cili vret shtetin”, ka shtuar ambasadori O’Connell.

Me rastin e nënshkrimit të memorandumit, ambasadori britanik u shpreh se nëse praktika të tilla të punësimit vazhdojnë të aplikohen, ato do ta shkatërrojnë Kosovën.