Riformatimi i Qeverisë, i vështirë

Aktuale August 17, 2016 - 07:49

Riformatimi i Qeverisë, i premtuar nga drejtuesit e koalicionit qeverisës, duket proces i vështirë për qeveritarët. Sipas tyre, ndryshimet në strukturë dhe në përbërje të ekzekutivit mund të prodhojnë efekte të ndryshme, prandaj thonë se nuk është proces i lehtë.

Megjithatë, partnerët e koalicionit pohojnë se është vlerësim i përbashkët i tyre se riformatimi duhet të ndodhë dhe shpresojnë që nuk do të ketë vonesa në këtë proces.
Në anën tjetër subjektet opozitare thonë se Qeveria “Mustafa” nuk duhet të riformatohet, por duhet të japë dorëheqje, pasi, sipas tyre, kjo Qeveri tashmë është shkelëse e Kushtetutës së vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas një takimi që ka zhvilluar me Komunitetin e Biznesit ka thënë se gjatë procesit të riformatimit të Qeverisë do të merren parasysh rekomandimet e këtij komuniteti.

“Në takim me Zyrën e Komunitetit të Biznesit, në Kuvendin e Kosovës, biseduam për hartimin e një agjende të përbashkët ekonomike dhe pako të reformave të domosdoshme. U pajtuam që gjatë procesit të riformatimit të Qeverisë, të dëgjohen dhe merren parasysh propozimet e komunitetit të biznesit. Po ashtu, diskutuam për nevojën e shtyrjes së afatit për shlyerjen e borxheve të bizneseve deri më 31 dhjetor 2016”, ka thënë Veseli.

Riformatimi, proces jo i lehtë

Ndërsa, Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se Qeveria “Mustafa” e ka trashëguar numrin e madh të dikastereve. Megjithatë, sipas tij, partnerët e koalicionit i kanë vlerësuar të nevojshme ndryshimet.

“Në aspektin e strukturës dhe numrit të dikastereve dhe çështjeve tjera të kësaj natyre kjo Qeveri është e trashëguar. Është vlerësim i përbashkët i palëve të koalicionit se ndryshime duhet bërë mu në këtë drejtim, duke pasur për qëllim shtimin e efikasitetit në qeverisje dhe uljen e shpenzimeve në të njëjtën kohë”, ka deklaruar Abdullahu.

Por Abdullahu ka thënë se riformatimi i Qeverisë nuk është proces i lehtë, prandaj, sipas tij, nuk mund të thuhet se kur do të përmbyllet. Ai gjithashtu ka thënë se disponimi brenda koalicionit për riformatim është shpresëdhënës.

“Për shkak se natyra e këtij ndryshimi dhe efekteve që mund të prodhohen nga këto ndryshime nuk është proces krejt i lehtë të përmbyllet. Edhe përkundër faktit se për shumë arsye nuk mund të themi konkretisht se kur do të përmbyllet ky proces. Disponimi dhe puna e deritashme në këtë drejtim janë shpresëdhënëse se ato nuk do të prolongohen, gjë që deri më tani kanë qenë të ndikuara në një masë edhe nga gjendja jo gjithmonë më e përshtatshme për ndryshime të tilla”, ka shtuar Abdullahu.

LVV: Riformatimi, tregti e votave për demarkacionin

Në anën tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se ky subjekt politik konsideron se Qeveria “Mustafa” nuk ka legjitimitet për të vazhduar mandatin deri në fund, pavarësisht emrave të rinj që mund të vijnë nga riformatimi i mundshëm dhe i përfolur që sa kohë.

“Përveç mënyrës se si ka ardhur deri të formimi i një koalicioni qeverisës si ky, duke bërë pazare edhe me Listën ‘Srpska’ dhe duke i lejuar asaj ndikim të jashtëzakonshëm, kemi thënë që kjo Qeveri e ka humbur tërësisht legjitimitetin pas vendimit të Kushtetueses që konstatonte se këta kanë shkelur rendin kushtetues”, është shprehur Krasniqi, duke thënë se në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, Qeveria e ka shkelur Kushtetutën duke dhënë hapësirë dhe duke u angazhuar maksimalisht për jetësimin “Zajednicës”. Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria po insiston t'i falë mbi 8000 hektarë tokë Malit të Zi.

Krasniqi ka thënë se partnerët e koalicionit qeverisës për qëllimet personale nuk zgjedhin e as nuk kursejnë mjet, prandaj ia thotë riformatimi mund të përdoret për të tregtuar vota për çështjen e demarkacionit.

“Është dëshmuar me rastin e Gjykatës Speciale, e cila u kthye në rivotim pasi nuk kaloi fillimisht, dhe me rastin e zgjedhjes së Thaçit kur u dhanë terminale e u bënë pazare të tjera, se këta e shohin Parlamentin si treg. Kështu që, edhe riformatimi mund të përdoret për të tregtuar vota për çështjen e demarkacionit, pasi që tashmë kemi disa qëndrime publike të disa deputetëve të mazhorancës kundër demarkacionit me Malin e Zi”, ka shtuar Krasniqi duke thënë se “Vetëvendosja” është e vendosur që demarkacioni të mos kalojë.

Kurse shefja e grupit parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë se “Nisma” vazhdimisht ka dhënë kritika për numrin e madh të ministrave. Megjithatë, Bajrami ka thënë se partitë në pushtet po e shfrytëzojnë numrin e madh të ministrive për t’i sistemuar militantët partiakë.

“Ne e dimë se për çfarë arsye i mbajnë një numër kaq të madh të dikastereve, vetëm e vetëm për t’i sistemuar njerëzit e tyre të afërt dhe pikërisht kryeministri Mustafa po e ndjek të njëjtën rrugë sikur ish-kryeministri Thaçi. Ju e dini që pikërisht pas vizitës së ndihmëssekretares amerikane Viktoria Nuland, kryeministri premtoi riformatim të Qeverisë, por ai në vend të zvogëlimit të kabinetit të tij emëron një ministre në dikasterin e drejtësisë”, ka potencuar Bajrami.

Deputetja e “Nismës” më tej ka thënë se konsideron që kjo Qeveri është duke qeverisur me vendin si shkelëse e Kushtetutës dhe si e tillë, sipas Bajramit, do të duhej jo të riformatohej, por do të dorëhiqej madje qysh nga dhjetori i vitit të kaluar.

Bajrami ka thënë se shpreson që deputetët nuk do ta japin votën për demarkacionin në këmbim të ndonjë posti ministror.

“Sa i përket votave për demarkacionin, dua të shpresoj që deputetët e pozitës të jenë në kryerjen e detyrës dhe obligimit kushtetues por edhe në zbatim të betimit të deputetit”, ka përfunduar Bajrami.