Opozita mirëpret Biden-in, edhe pse nuk i takon

Aktuale August 16, 2016 - 07:45

Opozitarët kosovarë e vlerësojnë shumë të rëndësishme vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë, ndonëse ky i fundit nuk do t’i takojë. Ata thonë se vizita e numrit dy të SHBA-ve në Kosovë është e shkurtër dhe sipas tyre, është normale që të kufizohet vetëm te drejtuesit e institucioneve

Partia më e madhe opozitare në vend, Lëvizja “Vetëvendosje”, nuk hatërohet pse numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nuk do t’i takojë gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, sot në mbrëmje do të arrijë në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Frashër Krasniqi, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se vizita e zëvendëspresidentit të SHBA-ve në Kosovë është e shkurtër dhe, siç ka thënë ai, është normale që të kufizohet te drejtuesit e institucioneve.

“Sipas gjasave, vizita e zëvendëspresidentit Biden në Kosovë do të jetë e shkurtër dhe është normale të kufizohet te përfaqësuesit e institucioneve”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se opozita vlerëson se zhvillimi i marrëdhënieve të mira me SHBA-të duhet të jetë orientim afatgjatë për shqiptarët.

“Ne mendojmë që ruajtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara duhet të jenë orientim afatgjatë i shqiptarëve, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet këtu, megjithëse kjo e fundit ka mjaft rëndësi mbi përfitimet që do të kemi nga kjo marrëdhënie”, është shprehur Krasniqi.
Ai po ashtu ka thënë se vizita e Biden-it në Kosovë nuk ndërlidhet as me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por, siç thotë ai, kjo mund të diskutohet, pasi që është tema më aktuale në vend.
“Nga ajo çfarë kemi kuptuar ne, arsyeja e vizitës së tij nuk lidhet fare me demarkacionin, por ajo mund të jetë pjesë e diskutimeve, meqenëse demarkacioni është tema kryesore në vend”, ka theksuar zëdhënësi i “Vetëvendosjes”.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së hënë ka tentuar ta marrë qëndrimin edhe të dy subjekteve tjera opozitare në lidhje me vizitën e Joe Biden-it në Kosovë, por ata nuk janë përgjigjur për këtë çështje.
Por, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se është nder për opozitën, por edhe për popullin e Kosovës, vizita e zëvendëspresidentit Biden. “Është nder që Biden e viziton Kosovën, me ç’rast Amerika shpreh mbështetjen e saj për rrugën dhe perspektivën euro-atlantike”, ka thënë Haradinaj për portalin “Indeksonline”.
Përndryshe, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, do të qëndrojë në Kosovë dhe në Serbi dhe se do të takohet me presidentët dhe kryeministrat e të dy vendeve, por nuk janë dhënë hollësi se cilat janë çështjet që do të diskutohen.

Ish-ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kroaci e Serbi, William Dale Montgomery, ka thënë ditë më parë për mediet rajonale se temat për të cilat do të flasë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, takimet me krerët shtetërorë në Kosovë e Serbi janë: stabiliteti rajonal, terrorizimi dhe dialogu Kosovë - Serbisë.

“Unë pres që Biden do të bëjë përpjekje për të nxjerrë përparime të mëtejshme në drejtim të Marrëveshjes së Brukselit... Tema e dialogut të jetë një pikë e rëndësishme e vizitës së Biden, por edhe tema të lidhura me terrorizimin global do të fliten”, ka thënë Montgomery për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Ai gjithashtu ka thënë se Biden është njeriu kryesor në administratën e Presidentit Barack Obama, për çështje të Ballkanit.

Sipas tij, “Ballkani mbart një hark të paqëndrueshmërisë që përfshin Maqedoninë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë”, prandaj, Montgomery thotë se, Biden tenton të luajë një rol konstruktiv me përpjekje për të zgjidhur këtë situatë.