Hiqet barrikada vetëm në jug të urës së Ibrit, jo edhe në veri

Aktuale August 15, 2016 - 08:17

Barrikadat u hoqën në pjesën jugore të urës së Ibrit, por në pjesën veriore vazhdojnë të ruhen nga Policia dhe KFOR-i

Barrikada në urën kryesore të Ibrit e vendosur nga serbët në korrikun e vitit 2011, pas aksionit të dështuar të njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU për t’i marrë pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjakë, fillimisht me rërë e të përforcuar me beton, e pastaj me vazo me drunj pishe, që serbët e kanë quajtur “Parku i paqes”, është larguar të dielën në orën 10:00 por vetëm në pjesën jugore.

Por pjesa tjetër ende ka mbetur në anën veriore. Largimi i barrikadës, për të cilën serbët betoheshin se nuk do ta lejojnë kurrë, ka shënuar fillimin e punëve për rivitalizimin e urës kryesore të Ibrit, sipas marrëveshjes së fundit në mes të Edita Tahirit, ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës, dhe Marko Gjuriqit, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në këtë mënyrë, ura lirohet pas 16 vjetësh të mbajtur peng nga serbët, të cilët nëpërmes të të ashtuquajturave “Roja të urës” keqtrajtonin shqiptarët që merrnin guxim ta kalonin e urën.  

Makineria e kompanisë kosovare-maqedonase “Sintek-K-ing”, e cila është angazhuar nga BE-ja për t’i kryer punimet në rivitalizimin e urës, ka larguar vazot me drunj pishe të thara krejtësisht dhe i ka dërguar në jug të Mitrovicës.

Në vendin e ngjarjes nuk kanë dalë fare zyrtarë të komunës së Mitrovicës veriore, e as kryetari Goran Rakiq, ndërsa në jug të urës është shfaqur me shumë disponim dhe i hareshëm kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri.

“Sot është ditë e mirë për Mitrovicën, është mirë që po hapet ura. Sot po bëhet e mundshme që të bashkohen qytetarët e të lëvizin lirshëm me rivitalizimin e urës. Ura do të hapet tërësisht. Mendoj se është zgjidhur edhe çështja e kufijve, marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare është që të ndërtohet xhamia në pjesën ku ka qenë”, ka thënë Bahtiri, i cili duke shprehur keqardhjen e tij pse aty nuk ndodhet edhe homologu i tij nga veriut, Goran Rakiq, tha se ka informacione se kryetari i Mitrovicës së veriut ndodhet jashtë Mitrovicës.

Ai ka përsëritur se punët në rivitalizimin e urës do të zgjasin 4 muaj dhe se ajo do të jetë e hapur për lëvizje të qytetarëve dhe të automjeteve, më 20 shkurt 2017.

Zyra e BE-së në Kosovë, nëpërmes një komunikate, ka vlerësuar se ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në mes të komuniteteve.

Sipas zyrës së BE-së, rivitalizimi i urës do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej.

“Me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje, Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorë dhe për automjete në të dyja drejtimet sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor për të cilin janë dakorduar të dyja palët në qershor 2015. Bashkë me të dy kryetarët e komunave, një grup punues do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në ato komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, në pajtueshmëri me mandatet e tyre përkatëse, do të sigurojnë mjedis të qetë dhe të sigurt”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Zyrës së BE-së në Kosovë.  

Dhe derisa BE-ja dhe shqiptarët shprehen me optimizëm se hapja e urës vetëm sa do t’i bashkojë njerëzit, skeptik është treguar kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq.

Ai ka lëshuar një komunikatë, të shtunën, një ditë para fillimit të punimeve për rivitalizimin të urës, nëpërmes të cilës ka sqaruar se në të njëjtën kohë me fillimin e punëve në rivitalizimin e urës do të fillojnë punët edhe në rivitalizimit dhe ndërtimin e zonës së këmbësorëve në rrugën kryesore “Mbreti Peter” në veri të Mitrovicës, që shtrihet deri te ura.

“Ashtu edhe siç është parashikuar me marrëveshje, punët që financohen nga BE-ja me rreth 1 milion euro do të zgjasin katër muaj, në mënyrë që ura, fillimisht për këmbësorë e pastaj edhe për automjete, të hapet më 20 janar të vitit që vjen. Me marrëveshje për rivitalizim planifikohet që nga të dy anët e urës të stacionohen punktet e KFOR-it, të EULEX-it, Policisë së Kosovës, të cilat do ta sigurojnë gjithë hapësirën rreth urës për t’i penguar incidentet eventuale, ndërkaq zona e këmbësorëve do të mbrohet me një ‘kaskadë’ shtesë, që të mos mund të ndodhë që ndonjë njeri qëllimkeq me automjet të hyjë në zonën e këmbësorëve, ndërsa rregullimi i komunikacionit majtas dhe djathtas nga ura do të bëhet nga pushteti lokal”, ka sqaruar Rakiq, i cili ka shtuar se duke pasur parasysh incidentet e shumta gjatë 17 vjetëve të fundit, gjegjësisht të dhënat se gjatë 17 vjetëve kanë ndodhur rreth 120 sulme të dhunshme të shqiptarëve të jugut të qytetit mbi serbët e veriut, gjatë të cilave janë vrarë 2 serbë dhe janë plagosur qindra të tjerë, do të kërkohet garanci nga BE-ja për serbët e veriut, pas hapjes së urës.

“I ftojmë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht të BE-së, ashtu edhe siç kanë premtuar, që të jenë garanci e sigurisë së serbëve, të cilët me të drejtë brengosen për hapjen e urës. Por, rivitalizimi dhe hapja e urës është dëshmi se pala serbe respekton dhe realizon marrëveshjet e arritura në Bruksel, gjë që nuk mund të thuhet për palën tjetër, e cila edhe më tutje dëshiron të ngrejë tensione”, ka thënë Rakiq, i cili të dielën nuk ka dalë fare tek ura.

Ai ka mbajtur qëndrimin e tij se Suhadolli mbetet edhe më tutje pjesë e Mitrovicës së veriut, ndërsa rrjedha e lumit Ibër vijë ndarëse në mes të veriut dhe jugut.

Ndryshe investimet e përgjithshme për rivitalizimin e urës kanë koston prej 1.2 milion eurosh dhe ato i ka siguruar BE-ja.

Rivitalizimi nënkupton rikonstruktimin e urës, por edhe hapjen e tërësishme të saj për lëvizje të njerëzve dhe të automjeteve, më së largu deri më 20 janar 2017.