Demarkacioni, krizë njëvjeçare

Aktuale August 14, 2016 - 08:09

Kosova qe një vit është zhytur në krizë të thellë politike, pasi që ka nënshkruar Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Opozita dhe disa deputetë të koalicionit qeverisës e fajësojnë Qeverinë për këtë krizë, duke thënë se ekzekutivi i vendit nuk i respektoi vendimet e Kuvendit

 

Më 26 gusht bëhet një vit prej se Kosova është futur në një krizë të thellë politike për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Subjektet opozitare patën deklaruar se me këtë Marrëveshje Kosova i humb rreth 8200 hektarë tokë, prandaj filluan protestat në rrugë dhe në Kuvend.

Tani opozitarët dhe disa deputetë të koalicionit qeverisës thonë se kriza është shkaktuar nga arroganca e Qeverisë, madje, sipas tyre, ekzekutivi i vendit ka mbajtur të fshehta disa dokumente për procesin e demarkacionit dhe nuk i ka marrë parasysh vendimet e Kuvendit.

Kështu ata thonë se Qeveria ka manipuluar me Kuvendin në vitin 2015 duke lejuar të nxjerrë një rezolutë me 25 qershor, me të cilën kërkohej të mos nënshkruhet Marrëveshja pa u sjellë në Kuvend materialet për demarkacionin, ndërsa dy javë më herët (më 10 qershor 2015) në mënyrë “sekrete” Komisioni për Demarkacionin e kishte nënshkruar Marrëveshjen.

Për më tepër sipas deputetëve, ish-presidentja Atifete Jahjaga, duke e ditur se po e shkel procedurën ligjore e ka autorizuar ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe atë të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, që ta nënshkruajnë Marrëveshjen.

Ata gjithashtu thonë se Qeveria nuk e ka respektuar rezolutën e Kuvendit, pasi ende nuk ua ka shpërndarë deputetëve materialet për këtë proces.

“Vetëvendosja” paralajmëron Qeverinë

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se gjatë kësaj periudhe opozitarët kanë argumentuar dëmet e shkaktuara nga Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Kosova tash e një vit po përballet me krizë ngase Qeveria e Kosovës ka nënshkruar faljen e mbi 8000 hektarëve Malit të Zi. Ne e kemi argumentuar vazhdimisht këtë gabim, dhe ekspertët e pavarur kanë ofruar fakte të shumta. Në fund, kur nën presionin qytetar dhe opozitar Qeveria vendosi të vijë në debat për këtë çështje, u vërtetua tërësisht që faktet dhe argumentet janë në anën tonë”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se megjithëse Qeveria ka humbur në debatin e 3 gushtit 2016, ajo po vazhdon të kërkojë ratifikimin. Por Krasniqi ka paralajmëruar Qeverinë se kriza do të thellohet nëse ratifikohet kjo Marrëveshje.

“Arroganca qeveritare me gjithë humbjen në debat, po insiston në këtë Marrëveshje që përbën tradhti kombëtare e shtetërore. Kjo do ta thellojë krizën edhe më shumë dhe do ta nxjerrë situatën nga kontrolli. Nëse Qeveria nuk tërhiqet do të përballet me rezistencë më të fuqishme se asnjëherë më parë. Kjo do të ndodhë edhe më 1 shtator nëse deri atëherë Qeveria nuk vendos të heqë dorë nga ky projekt”, ka theksuar Krasniqi.

Nitaj: Thaçi e Mustafa, përgjegjësit kryesorë për demarkacionin

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se e gjithë përgjegjësia për “hallakamën” e krijuar me demarkacionin është e Qeverisë, më saktësisht e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe e kryeministrit Isa Mustafa si dhe e Komisionit shtetëror për Demarkacion.

“Në një rezolutë të miratuar në Kuvend, ata e kanë pasur për detyrë, që të raportojnë për gjithë procesin në Kuvend, dhe siç e dini nuk e kanë bërë një gjë të tillë, derisa këtë Marrëveshje nuk e kanë bërë akt të kryer. Kanë kërkuar debat, pasi që kjo ishte nënshkruar, dhe vetëm për kaq, ata do të duhej të jepnin përgjegjësi”, ka deklaruar Nitaj.

Gjithashtu ai ka thënë se Qeveria ka mundur fare lehtë të dalë nga kjo ngatërresë. Sipas tij, ka mjaftuar që Mustafa t'i lërë deputetët në bindjet e tyre dhe të mos bëjë presion e kështu demarkacioni nuk do të ratifikohej. Nitaj ka thënë se pas dështimit të ratifikimit do të duhej të fillonte gjetja e zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Nitaj ka thënë se ende ka mundësi që të përmirësohen gabimet e bëra.

“Unë besoj që akoma ka kohë që Qeveria të reflektojë për këtë temë. Po shihet ashiqare që nuk ka gatishmëri që të "përpihet" ky version i demarkacionit. Le ta trajtojnë si të tillë dhe gjithçka do të rikthehej në normalitet”, ka thënë më tej Nitaj.

Veprimet e opozitës mundësuan të kuptohen dëmet e demarkacionit

Deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se kjo çështje ka mundur të zgjidhet për rreth dy javë, por Berisha thotë se arroganca e pushtetarëve ka bërë që kjo krizë të mos zgjidhet për rreth një vit.

“Arroganca dhe kokëfortësia e Isa Mustafës dhe e partnerit të tij të koalicionit ka bërë që kjo çështje tash e 12 muaj të mos zgjidhet, përderisa ka pasur mundësi që brenda dy javësh të zgjidhet dhe të harrohet deri më tani. Por unë besoj se prapa kësaj kokëfortësie të votave,  qëndron ndonjë projekt që opinioni nuk e di, sepse të insistosh t’i japësh tokë një shteti tjetër dëshmon se problemi nuk është kaq sipërfaqësor”, ka potencuar Berisha.

Ai gjithashtu është shprehur i bindur se kjo Marrëveshje nuk do të ratifikohet, ndërsa ka thënë se veprimet e opozitës kanë mundësuar që të kuptohen dëmet e Marrëveshjes së 26 gushtit të vitit të kaluar.

“Veprimet e opozitës, gazi lotsjellës, protestat, peticioni kanë arritur të krijojnë një hapësirë dhe të mos lejojnë që të kryhet shpejt siç dëshironte Qeveria të ratifikohet. Pra hapësira e krijuar ka bërë që disa deputetë të mazhorancës të informohen me këtë proces dhe tani kanë dalë kundër kësaj Marrëveshjeje. Unë jam i bindur se kjo Marrëveshje më 1 shtator nuk do të ratifikohet”, ka përfunduar Berisha.

Muja: Pushteti duhet t’i sqarojë disa çështje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, ka thënë se Qeveria ka fshehur shumë dokumente nga deputetët.

“Unë kam kërkuar si deputet duke falë krejt gabimet procedurale që janë bërë në relacion me Kuvendin si institucioni më i lartë mbikëqyrës i ligjeve dhe i Qeverisë që është bërë në këtë rast e që Qeveria e Kosovës ka fshehur shumë dokumentacione karshi deputetëve. Po mundohet që pa qartësim të plotë ta kalojë demarkacionin duke harruar që edhe në ligjin që po mundohen me e sjellë në pikën 11 të Marrëveshjes nuk ka fuqi ligjore e ndërkombëtare që mundet me e ndryshua nëse ne e kalojmë në Parlament”, ka deklaruar Muja, pasi, sipas tij, nuk lihet hapësirë të ankesës për lëshimet e mundshme nëse palët sjellin fakte të mjaftueshme për t’i diskutuar.

“Prandaj pika 11 e Marrëveshjes duhet të përmirësohet në të dy institucionet shtetërore, duhet të shtohet fjalia që nëse palët sjellin fakte të reja dhe nuk mund të merren vesh në mënyrë miqësore, atëherë i lihet rruga edhe interpretimit në arbitrazh ndërkombëtar”, ka shtuar Muja.

Deputeti, Muja më tej ka thënë se Qeveria ka mundësi ta sjellë në Kuvend materialin, në mënyrë që të diskutohet në mënyrë të qetë e të argumentuar dhe të shihen pikat kontestuese. Ai gjithashtu ka thënë se pushteti duhet të japë sqarime në disa pyetje.

“Pse Qeveria manipuloi me Kuvendin në vitin 2015 duke lejuar të nxjerrë një rezolutë me 25 qershor, kur e ka ditur që më 10 qershor Komisioni e ka përmbyllur me nënshkrim procedurën. Pse presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga, duke e ditur se po e shkel procedurën ligjore e ka autorizuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe atë të Punëve të Brendshme që ta nënshkruajnë Marrëveshjen? Pse materiali origjinal nuk është sjellë asnjëherë në Kuvendin e Kosovës që të analizohet? Pse nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2015 nuk e shfrytëzoi Qeveria ta trajtojë këtë material në Kuvend para se Mali i Zi ta ratifikonte Marrëveshjen”, ka theksuar Muja.

12 muaj humbje për Kosovën

Profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se Kosova ka humbur shumë gjatë këtij viti për shkak të moszgjidhjes së kësaj çështjeje.

“Kosova ka humbur shumë gjatë këtyre 12 muajve. Qytetarët kanë humbur shumë, për shkak të kësaj krize, e cila është shkaktuar për mosgatishmërisë e palëve për t’u ulur dhe për t’i diskutuar mosmarrëveshjet... Pushteti duhet të tregohet fleksibil më shumë sesa opozita. Por mendoj që të dyja palët kanë bërë veprime jo të drejta. Humbjet janë si për procesin e liberalizimit ashtu edhe në zhvillime të brendshme”, ka vlerësuar Burjani.

Ai më tej ka thënë se arbitrazhi ndërkombëtar mund të jetë opsion për zgjidhjen e krizës nëse nuk i merr votat e nevojshme kjo Marrëveshje.

“Pas debatit të 3 gushtit, u vendos që më 1 shtator të mbahet seanca e votimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit. Nuk e di nëse do të kalojë pasi nuk janë të sigurta votat, por arbitrazhi ndërkombëtar mund të jetë një mundësi. Megjithatë, edhe kjo e ka koston e vet, prandaj duhet të mendohet mirë se si duhet të veprohet”, ka shtuar Burjani.