Tetë deputetë të koalicionit, kundër demarkacionit

Aktuale August 13, 2016 - 08:09

Deputetët e “padëgjueshëm” të PDK-së dhe të LDK-së mund t’ia pamundësojnë “koalicionit të elefantëve” ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Koalicioni qeverisës i ka gjithsej 87 deputetët (duke llogaritur në deputetët e pavarur Blerim Shala dhe Margarita Kadriu), por në bazë të qëndrimeve që janë shprehur deri tani janë të paktën katër deputetë të PDK-së (Nait Hasani, Labinotë Demi-Murtezi, Raif Qela dhe Shaip Muja) dhe katër të LDK-së (Shpejtim Bulliqi, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Besa Gaxherri), të cilët mund ta pamundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes së 26 gushtit 2015.
Përveç këtyre, votë kundër demarkacionit mund të pritet edhe nga deputetët e PDK-së, Xhavit Haliti, Adem Grabovci e Flora Brovina, të cilët kanë shprehur dyshime për Marrëveshjen. Gjithashtu, flitet edhe për votë kundër nga dy deputetët tjerë të LDK-së, Anton Quni e Adem Salihaj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë për “Zërin” se Kryesia e kësaj partie në takim me kryetarët e degëve i ka dhënë mbështetje Marrëveshjes së 26 gushtit, megjithatë ai thotë se ka deputetë të LDK-së që ende kanë dilema ose që janë kundër. Megjithatë, Rugova thotë se dilemat janë hequr dhe se opozita, apo individë të opozitës, por edhe të tjerë nga pushteti nuk janë të brengosur për kufijtë e Kosovës, por sipas tij, ndoshta e kanë për privilegje të veta, për pozicionime të ndryshme.

“Unë jam i prirë të besoj në veprimin unanim, do të thotë në veprimin e përbashkët të Lidhjes Demokratike. Në fund të fundit të gjithë janë deputetë që kanë marrë vota nga anëtarësia e LDK-së dhe disponimi i anëtarësisë dhe i elektoratit të LDK-së është pro kësaj Marrëveshjeje. Duhet të respektohet edhe vullneti i atyre që i kanë votuar”, ka shtuar Rugova.

Edhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka dalë me qëndrim se kjo parti do të jetë unike në votimin e demarkacionit. Megjithatë, deputeti i kësaj partie, Shaip Muja, i cili është deklaruar se në këtë formë çfarë është Marrëveshja nuk do ta mbështesë, ka thënë për “Zërin” se kjo PDK nuk ka ende qëndrim unik. Madje, ai thotë se as partneri tjetër i koalicionit LDK nuk është unik në këtë çështje.

“Partia Demokratike ende nuk ka prononcim të qartë lidhur me demarkacionin dhe kjo që po thuhet në media nuk është e qëndrueshme, sepse për qëndrim unik vendos Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Kurse sa i përket Lidhjes Demokratike sipas informacioneve që rrjedhin, as ata nuk janë unikë dhe nuk janë qartësuar”, është shprehur Muja.

Ai më tej ka thënë se Qeveria përmes formave të ndryshme të shantazheve po përpiqet ta ratifikojë këtë Marrëveshje.

“Po mundohet që pa qartësim të plotë ta kalojë demarkacionin duke përdorur format e shantazheve siç janë vizat, problemet tjera të sigurisë lokale e globale”, ka shtuar më tej Muja. Ai gjithashtu ka thënë se mbetet në ndërgjegjen e deputetëve se si do të votojnë.

Profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se është e qartë se brenda PDK-së dhe LDK-së ka mospajtime për demarkacionin, pavarësisht asaj që e thonë drejtuesit e këtyre subjekteve për unifikim të qëndrimit të deputetëve të tyre.

“Është e qartë se as PDK-ja dhe as LDK-ja nuk kanë qëndrime unike, pasi janë një grup i deputetëve nga këto dy parti që janë shprehur kundër Marrëveshjes së 26 gushtit të vitit të kaluar. Kështu aktualisht koalicioni qeverisës nuk i ka të sigurta 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje”, ka vlerësuar Burjani.