Minoritetet, “Po” demarkacionit

Aktuale August 12, 2016 - 07:54

Deputetët që përfaqësojnë partitë minoritare në Kuvendin e Kosovës pritet që më 1 shtator ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, partia e së cilit përfaqëson komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se vendimi për Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk duhet të prolongohet, pasi që, siç është shprehur ai, mund të krijojë situata paqëndrueshmërie në vend.
Sipas tij, çështja e demarkacionit, si çështje nacionale, ka nevojë për konsultime shtesë, si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë shoqëror.
“Mendoj se kjo çështje, është çështje nacionale, gjithmonë ka nevojë për konsultime dhe koordinime shtesë, gjithëpërfshirëse edhe nga aspekti praktik edhe nga aspekti shoqëror”, është përgjigjur ai në pyetjen nëse e përkrah Marrëveshjen për Demarkacion ashtu siç është prezantuar nga Komisioni qeveritar. Ai ka shtuar se është e nevojshme të vlerësohen të gjitha të dhënat, të prezantuara nga të gjithë të interesuarit, për të marrë vendimin. “Duhet të vlerësohen të gjitha argumentet nga palët e interesuara për këtë çështje të rëndësishme. Në këtë aspekt, ne do të konsultohemi edhe më tutje përbrenda komunitetit, edhe Grupit 6 Plus”, ka pohuar ai.

Komisioni për përcaktimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, sipas ministrit Yagcilar, ka ofruar faktet e nevojshme, që, siç thotë ai, i bënë të votojnë pro Marrëveshjes. “Kemi kohë deri më 1 shtator, kemi një bindje se Komisioni ka ofruar argumente pro përkrahjes së Marrëveshjes”, është deklaruar Yagcilar, duke shtuar se nuk kanë mundur ta marrin rolin e komisionit dhe të vlerësojnë gjithë elementët shkencorë dhe të dokumenteve relevante, por do të veprojnë dhe votojnë sipas bindjes së tyre.
“Ne do të veprojmë dhe votojmë sipas bindjes sonë, bazuar në argumente të ofruara nga komisioni, si dhe nga ana e ekspertëve të cilët mendojnë ndryshe nga komisioni”, është shprehur kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës.

Ai është deklaruar se Marrëveshja është shumë e rëndësishme, për të cilën palët duhet të dakordohen, ta pranojnë atë, të jetë e zbatueshme dhe që ajo të krijojë stabilitet dhe partneritet midis shteteve dhe popujve. “Vendimi për Marrëveshjen nuk duhet të prolongohet pa kufi kohor, sepse mund të krijohen situata të paqëndrueshme”, ka potencuar ai.

Për dallim nga përfaqësuesit e komunitetit turk, deputetët e Listës “Srpska” kanë vendosur që të mos deklarohen për media, derisa kjo Marrëveshje të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës.

Nenad Rashiq, deputet i “Srpska”-s, ka thënë për “Zërin” se për këtë çështje ka diskutuar edhe grupi i tyre parlamentar. “Kemi pasur një takim të grupit parlamentar, në të cilin është vendosur që asnjëri nga anëtarët e grupit të mos prononcohet për media në lidhje me demarkacionin, sepse ende nuk dihet se si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Rashiq.

Deputetët minoritarë nuk janë përfshirë në debatet për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, për të cilin që një vit përplasen fort deputetët e pozitës dhe opozitës. Përpos opozitës që nuk do ta votojë demarkacionin me Malin e Zi, me pretendimet se Kosovës po i humben 8000 hektarë tokë, edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës kanë dalë hapur kundër kësaj Marrëveshjeje.