Demarkacioni është kusht, s’ka dilema

Aktuale August 11, 2016 - 13:53

Pa ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE) dhe kjo është përfundimtare. Madje, pasojat e mosratifikimit të demarkacionit do të jenë edhe më të gjera. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin”, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Prandaj, Çollaku beson se te deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbizotërojë arsyeja dhe mbi të gjitha argumenti, duke vendosur në përputhje me interesat shtetërore dhe të qytetarëve të vendit.

“Mirëpo çfarëdo qoftë vendimi në Kuvend ne duhet ta respektojmë. Në rast të dështimit, atëherë sigurisht që do të ketë pasoja jo vetëm për vendin dhe jo vetëm për procesin e liberalizimi të vizave, por edhe më gjerë”, ka thënë Çollaku, duke shtuar se nëse Kosova e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë gjithçka do të mbetet në dorë të institucioneve të BE-së. Rrjedhimisht ai shton se deri më së largu deri në muajin nëntor qytetarët e Kosovës do të mundë të udhëtojnë pa viza. 

"Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë bërë të qartë se çështja e ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje është kusht i detyrueshëm për liberalizimin e vizave dhe këtu nuk duhet të kemi dilema askush. Në rast të mosratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi, sigurisht se jo vetëm që hapen dilema rreth vendimmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian, mirëpo shumë lehtë mund të ndodhë që Komiteti përkatës i Parlamentit Evropian fare të mos e shqyrtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kjo do të nënkuptonte se kjo çështje mbetet e hapur, nuk do të trajtohet dhe nuk do të ketë vendimmarrje gjatë këtij viti. Mirëpo, kjo është një çështje që i takon në tërësi institucioneve të Bashkimit Evropian. Ajo çka është përgjegjësi e jona, si spektër politik, si Kuvend i Kosovës që këtë çështje të mos e shndërrojmë në çështje të përçarjes, mirëpo të unifikimit dhe që sjell një konsensus të gjerë politik për ratifikimin e saj. Tani ka ardhur momenti i të vërtetës për këtë çështje dhe këtë të vërtetë mund ta konkretizojë vetëm Parlamenti i Kosovës me votën e tij. Mirëpo, çfarëdo qoftë ajo votë ne duhet ta respektojmë. Në rast të dështimit, atëherë sigurisht që do të ketë pasoja jo vetëm për vendin dhe jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe më gjerë. Megjithatë, edhe një herë po them se jam i bindur se te deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbizotërojë arsyeja, dhe mbi të gjitha argumenti dhe do të vendoset në përputhje me interesat shtetërore dhe të qytetarëve të Kosovës", ka thënë Çollaku. /ZERI/