Nëse kalon demarkacioni, pa viza në nëntor
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, thotë për “Zërin” se përfundimisht pa demarkacion, nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën. Ndërsa, nëse miratohet Marrëveshja në Kuvend, atëherë prej nëntorit të këtij viti mund të lëvizim lirshëm në BE
Pa ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE) dhe kjo është përfundimtare. Madje, pasojat e mosratifikimit të demarkacionit do të jenë edhe më të gjera. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin”, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Prandaj, Çollaku beson se te deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbizotërojë arsyeja dhe mbi të gjitha argumenti, duke vendosur në përputhje me interesat shtetërore dhe të qytetarëve të vendit.
“Mirëpo çfarëdo qoftë vendimi në Kuvend ne duhet ta respektojmë. Në rast të dështimit, atëherë sigurisht që do të ketë pasoja jo vetëm për vendin dhe jo vetëm për procesin e liberalizimi të vizave, por edhe më gjerë”, ka thënë Çollaku, duke shtuar se nëse Kosova e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë gjithçka do të mbetet në dorë të institucioneve të BE-së. Rrjedhimisht ai shton se deri më së largu deri në muajin nëntor qytetarët e Kosovës do të mundë të udhëtojnë pa viza.
Zëri: Z. Çollaku ku jemi aktualisht me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës?
Çollaku: Këtij procesi të tejzgjatur, i cili Kosovës i ka marrë shumë kohë dhe shumë përpjekje për katër vjet të tëra, në të cilin është punuar në plotësimin e kritereve të cilat kanë qenë shumë të ashpra në rastin e Kosovës, tashmë po i afrohet fundi. Siç e kemi thënë edhe në të kaluarën, ky vit është vendimtar për lëvizjen e lirë dhe pa viza për qytetarët e Kosovës në zonën Shchengen. Sa i përket kritereve, të gjitha janë plotësuar, përjashto ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila edhe pse në mënyrë jo të drejtë është vendosur si kërkesë dhe si kriter eksplicit nga ana e Komisionit Evropian, prandaj unë shpresoj se shumë shpejt edhe kjo çështje do të përmbushet nga ana e Kuvendit të Kosovës. Duke shpalosur hapat dhe veprimet nga fillimi i muajit shtator, Komisioni Evropian paralelisht me Këshillin e Bashkimit Evropian është duke trajtuar edhe rastin e Kosovës. Dhe tani Komiteti përkatës, për Punë të Brendshme, ai për të Drejta Civile në Parlamentin Evropian, tashmë e ka të qartë se më 5 shtator do ta mbajë takimin e vet punues, ku edhe pritet të votohet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pas miratimit në Parlamentin Evropian, vendimi përfundimtar pritet të merret në një seancë tjetër plenare. Paralelisht do të vazhdojnë edhe diskutimet në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian, mirëpo të gjitha këto procedura unë jam optimist se në rastin më të mirë do të arrijnë të shterohen, jo më larg sesa tetori eventualisht nëntori i këtij viti.
Zëri: Pra ju po thoni se demarkacioni është kushti i fundit dhe më i rëndësishmi para liberalizimit të vizave?
Çollaku: Kjo çështje, ky kriter ka qenë i padrejtë që nga fillimi. Është një kriter që është vendosur në mënyrë të njëanshme nga ana e Komisionit Evropian dhe si i tillë duhet patjetër të përmbushet në mënyrë që ne të mos i japim arsye asnjë shtetit të BE-së, apo parlamentari të BE-së me apo pa dashje të zvarrisë vendimmarrjen në kuadër të institucioneve të Bashkimi Evropian. Kështu që tani ka ardhur koha, që Kuvendi i Kosovës të marrë vendimin e merituar në përputhje me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës. Unë mendoj që të dy çështjet edhe pse në mënyrë të padrejtë janë të ndërlidhura, siç është çështja e shënimit të vijës kufitare dhe çështja e liberalizimit të vizave janë çështje të interesit nacional dhe unë besoj se deputetët e Kosovës, me përgjegjësinë më të lartë të tyre, me vetëdijen më të lartë të tyre, morale dhe shtetërore, dhe politike, do t’u japin përgjigje të merituar këtyre dy çështjeve.
Demarkacioni është kusht, s’ka dilema
Zëri: Marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi përveç tensioneve edhe ka ndarë klasën politike. Madje ka edhe deputetë nga koalicioni që hapur kanë shprehur votën e tyre kundër ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje. A po rrezikohet procesi i liberalizimit me mosvotim të demarkacionit?
Çollaku: Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë bërë të qartë se çështja e ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje është kusht i detyrueshëm për liberalizimin e vizave dhe këtu nuk duhet të kemi dilema askush. Në rast të mosratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi, sigurisht se jo vetëm që hapen dilema rreth vendimmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian, mirëpo shumë lehtë mund të ndodhë që Komiteti përkatës i Parlamentit Evropian fare të mos e shqyrtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kjo do të nënkuptonte se kjo çështje mbetet e hapur, nuk do të trajtohet dhe nuk do të ketë vendimmarrje gjatë këtij viti. Mirëpo, kjo është një çështje që i takon në tërësi institucioneve të Bashkimit Evropian. Ajo çka është përgjegjësi e jona, si spektër politik, si Kuvend i Kosovës që këtë çështje të mos e shndërrojmë në çështje të përçarjes, mirëpo të unifikimit dhe që sjell një konsensus të gjerë politik për ratifikimin e saj. Tani ka ardhur momenti i të vërtetës për këtë çështje dhe këtë të vërtetë mund ta konkretizojë vetëm Parlamenti i Kosovës me votën e tij. Mirëpo, çfarëdo qoftë ajo votë ne duhet ta respektojmë. Në rast të dështimit, atëherë sigurisht që do të ketë pasoja jo vetëm për vendin dhe jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe më gjerë. Megjithatë, edhe një herë po them se jam i bindur se te deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbizotërojë arsyeja, dhe mbi të gjitha argumenti dhe do të vendoset në përputhje me interesat shtetërore dhe të qytetarëve të Kosovës.
Zëri: Çka mbetet nëse ratifikohet Marrëveshja?
Çollaku: Pas ratifikimit, atëherë tërësisht përgjegjësia e vendimmarrjes është në duart e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, asnjë deputet i Parlamentit Evropian, më nuk do të ketë asnjë lloj arsye, asnjë lloj argumenti, për ta zvarritur dhe vonuar vendimmarrjen sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Përsëri nuk mund të themi ne se kur saktësisht do të merret një vendim i tillë, por çfarë është e rëndësishme është fakti se më Bashkimi Evropian nuk mund të na thotë se Kosova nuk do ta fitojë liberalizimin e vizave për shkak se nuk i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga ana e Komisionit Evropian. E me ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje heqim çdo dilemë, dhe heqim çdo pikëpyetje, e cila ende ekziston në institucionet e Bashkimit Evropian dhe te shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
BE-ja do t’i mbajë premtimet
Zëri: A mund të themi se qytetarët e Kosovës kanë ende shpresë për të lëvizur pa viza brenda vitit 2016?
Çollaku: Personalisht jam shumë i bindur dhe unë do të doja shumë që të kisha mundësi të jepja data dhe sikur një gjë e tillë do të varej nga ne, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, mirëpo meqë vendimmarrja merret nga institucionet e Bashkimit Evropian, që janë institucione shumë të komplikuara, dhe nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e duke marrë parasysh kontekstin shumë të vështirë që është duke operuar Bashkimi Evropian, me krizën e refugjatëve, sulmet terroriste, e shumë çështje tjera që ndërlidhen me funksionimin e Bashkimit Evropian unë nuk mund të jap një datë të saktë. Mirëpo, në rast se gjatë këtij viti, nuk merret vendimi dhe në rast se deri në fund të këtij viti qytetarët e Republikës së Kosovës nuk lëvizin të lirë përkundër faktit që ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, atëherë ky do të ishte një dështim jashtëzakonisht i madh për Bashkimin Evropian në Kosovë, për kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe për vetë të ardhmen tonë evropiane. Bashkimi Evropian nuk mundet të japë zotime, të cilat nuk mund t’i mbajë. Megjithatë, në këtë fazë unë them se edhe Bashkimi Evropian do të mbajë zotimin e vet, fjalën e vet dhe premtimin e vet, dhe fundja e fundit do të implementojë atë që është zotuar të implementojë sepse ky ka qenë një proces i dyanshëm. Na janë dhënë detyrat, i kemi kryer detyrat dhe tani është koha që ne të shpërblehemi për përmbushjen e këtyre detyrave dhe obligimeve që kemi marrë përsipër.