Policët serbë ia plaçkitin miliona euro diasporës

Aktuale August 09, 2016 - 08:12

Mbi 3 milionë euro mendohet të jetë shuma, të cilën autoritetet kufitare serbe ua kanë plaçkitur qytetarëve kosovarë brenda vetëm tremujorit të fundit. Kjo si pasojë e nisjes së një fushate plaçkitëse nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve nga Kosova dhe të atyre kosovarëve të cilët jetojnë jashtë vendit.

5 deri në 10 euro janë tarifat të cilat serbët kanë nisur ta kërkojnë nga kosovarët pa kurrfarë arsyetimi në këmbim të lejimit për të kaluar kufirin. Sikur kjo plaçkë të mos mjaftonte kosovarët e dëmtuar i kanë rrëfyer “Zërit” se edhe trajtimi që po u bëhet është jashtë çdo norme etike dhe zyrtare. “Po na fyejnë, bërtasin dhe në fund po na plaçkitin”, i ka rrëfyer “Zërit” Arlind Imeri, i cili jeton në Zvicër por që ka ardhur me veturë në Kosovë për pushime. Për gjithë këtë problem dhe shqetësim të kosovarëve ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka zgjedhur heshtjen.

500 mijë vetura kaluan kufirin për tre muaj

Rreth 500 mijë automjete, duke përfshirë këtu kamionë, vetura, autobusë, kanë hyrë dhe kanë dalë nga kufiri Kosovë – Serbi vetëm brenda tre muajve të fundit. Në të dhënat që “Zëri” ka marrë nga Policia Kufitare e Kosovës tregojnë se 494.492 automjete kanë hyrë dhe kanë dalë brenda periudhës maj, qershor, korrik.

Në këto automjete kanë qarkulluar rreth 1.3 milion persona për tre muaj. Në bazë të një matematike të thjeshtë nëse llogarisim se të gjitha veturat që kanë hyrë dhe kanë dalë në kufi me Serbinë kanë paguar vetëm nga 5 euro, atëherë del se shuma e cila u është vjedhur mërgimtarëve kosovarë është rreth 3 milionë euro vetëm për tre muajt e fundit.

Disa prej këtyre personave kanë rrëfyer hajninë dhe keqtrajtimin, i cili po u bëhet nga autoritetet serbe.

“U afruam te kufiri kur polici serb pa fije turpi m’i kërkoi 5 euro. Kur e pyeta përse, më tha se keni para ju në Zvicër”, rrëfen Arlind Imeri.

Keqtrajtimi i tij nga ana e policit serb nuk përfundon aty. Imeri tregon se si është fyer dhe më pas është detyruar që të presë në kufij për më shumë se një orë.

“Nisi të më quante mustaqe. Më tha hajde mustaqe më jep dokumentet dhe pesë euro. Dokumentet ia dhashë, ndërsa për para i thashë nuk kam para për ju. Atëherë ai u nervozua dhe më tha ta parkoj veturën. Aty kam pritur së paku një orë për të marrë mbrapa dokumentet e veturës”, tregon Imeri.

Ai thotë se nuk ka qenë i vetmi që në mbrëmjen e 23 korrikut është keqtrajtuar nga po ai polic kufitarë serb. “Para meje kanë qenë edhe dy vetura, njëra me tabela gjermane, tjetra me tabela të Belgjikës. I kam parë që i kanë dhënë para të dy veturat të njëjtit polic. Madje shoferi i veturës nga Belgjika gjatë kohës sa po prisja më tha se pa para nuk do të më lëshojnë nga aty”, rrëfen Arlindi.

Arlindi nuk është i vetmi që ka rrëfyer për “Zërin” problemet, të cilat autoritetet serbe po ua bëjnë në kufi. Edhe Arif Berisha, i cili jeton në Zvicër, i ka thënë “Zërit” se këtë vit policia kufitare serbe ka nisur ta ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve. “Unë kam udhëtuar edhe më parë me veturë nëpër Serbi. Ka ndodhur ndonjëherë që t’u jap ndonjë para, mirëpo gjithmonë janë munduar si tërthorazi t’i kërkojnë ato. Këtë herë kanë qenë fare të hapur dhe u kam dhënë 20 euro për ta kaluar kufirin”, rrëfen Berisha. Ai u bën apel autoriteteve kosovare që ta ngrenë këtë çështje edhe në një nivel më të lartë, pasi që vjedhja që po u bëhet atyre është jashtë çdo norme. “Shpresojmë që ky problem të merret vesh dhe të bëhet publik. Atëherë ndoshta edhe autoritetet në Kosovë do ta ngrenë zërin për ne dhe do të gjejnë një zgjidhje për këtë punë”, thotë Berisha.

Ndërkohë “Zëri” ka siguruar edhe një dokument, i cili u jepet kosovarëve për të kaluar kufirin e për të cilin serbët i kanë marrë 10 euro qytetarit nga Kosova me inicialet N.O. Ai thotë se pesë euro ka paguar dokumentin dhe pesë policin. “Normalisht dokumenti ishte pesë euro, mirëpo polici më kërkoi edhe pesë euro për të”, rrëfen N.O.

Hesht Edita Tahiri

Vjedhja që po u bëhet qytetarëve kosovarë duket se nuk po i bën përshtypje ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Pavarësisht insistimit të gazetës që të marrë një prononcim nga ajo qoftë me telefon, SMS apo e-mail, duke kontaktuar edhe me vartësit e saj, Tahiri ka zgjedhur heshtjen. Si duket apeli i qytetarëve kosovarë, që problemi i tyre të ngrihet në një më të lartë, do të jetë i kotë dhe për muajt e ardhshëm ata do të vazhdojnë të vidhen edhe për disa miliona euro tjerë nga autoritetet serbe