Demarkacioni në Kuvend, këtë javë

Aktuale August 08, 2016 - 08:04

Këtë javë pritet që Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi të dalë për shqyrtim në seancë plenare, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe një grupi të ekspertëve.

Kuvendi i Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha dhe tensionimit të situatës, do ta qesë në shqyrtim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në një seancë plenare, e cila pritet të mbahet këtë javë. Pozita është e vendosur që të ratifikojë këtë Marrëveshje, derisa opozita bën thirrje për refuzimin e saj, përndryshe do të tensionohet situata.

Tashmë, materiali rreth këtij Projektligji u është shpërndarë deputetëve dhe vetëm pritet shqyrtimi i tij, në njërën nga seancat që do të vendosë Kryesia e Kuvendit. Të enjten, Kuvendi u gjuajt me armë antitank, ndonëse zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur nëse ky sulm ndaj institucionit më të lartë ligjvënës e përfaqësues ka të bëjë me demarkacionin me Malin e Zi. 

Shteti duhet t’i kryejë detyrat

Por, pavarësisht këtij akti dhe kundërshtimit të madh që partitë opozitare po i bëjnë Marrëveshjes për Demarkacionin, partitë në pushtet thonë se duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë. Nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se ata e kanë obligim që çështjet që i dërgon Qeveria t’i qesin në rend dite. Por nuk ka treguar se kur do të ndodhë kjo. “Kryesia ka detyrim ligjor dhe kushtetues që marrëveshjet bilaterale, të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës, me subjekte ose vende tjera, me kërkesë të saj ajo është e obliguar t’i vërë në rend të ditës”, ka thënë Haliti. Edhe deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, thotë për “Zërin” se demarkacioni është obligim që duhet ta kryejnë. “Pavarësisht situatave duhet të vazhdohet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë. Edhe demarkacioni është detyrë e jona. Ky është një obligim që duhet të kryhet”, ka thënë Kajtazi, duke shprehur preferencat e saj që kjo çështje të shkojë në Arbitrazh. “Shumë prej nesh kemi preferuar arbitrazhin, por është mirë që Projektligji e ka këtë pikë”, është shprehur ajo. Ndërsa, opozita ka paralajmëruar se mund t’i rikthejë mënyrat e deritashme të kundërshtimit, siç ishte gazi lotsjellës. E, deputetja Kajtazi thekson se vetëm përmes argumenteve duhet gjetur zgjidhje, e assesi përmes dhunës. “Unë mendoj që duhet të mbizotërojë logjika e shëndoshë për të gjithë atë që quhet biografi e plotë dhe vetëm si të tillë duke argumentuar ne duhet të arrijmë te zgjidhja e jo me mënyra të dhunshme që do të tensionojnë edhe me shumë situatën”, ka theksuar Kajtazi.

Të vendosur të mos e lejojnë ratifikimin

Mirëpo, në anën tjetër opozita assesi nuk po zmbrapset nga qëndrimet e saj për të mos lejuar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin. Tinka Kurti nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se subjekti i tyre politik është e vendosur të mos lejojë ratifikimin e saj. “Këta deputetë që janë betuar në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të integritetit territorial të Kosovës nuk mund ta votojnë këtë Marrëveshje e cila e cenon rëndë territorin e Kosovës. Për këtë, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ është e vendosur që të mos e lejojë ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje”, ka thënë Kurti, derisa e quan absurd insistimin e Qeverisë që ta përfundojë këtë proces. “Kur pakënaqësitë janë shumë të mëdha dhe argumentimi i ekspertëve tashmë ka fituar bindshëm, insistimi i Qeverisë për ratifikim të kësaj Marrëveshjeje është absurd dhe i dhunshëm”, është shprehur ajo, duke shtuar se nënshkruesi i kësaj Marrëveshjeje, Hashim Thaçi, nuk ka asnjë legjitimitet për të insistuar në këtë gabim.

Pozita e opozita të pajtohen për dërgim në Arbitrazh

Profesori universitar, Blerim Burjani, thotë se Kuvendi e ka të vështirë në këtë situatë të tensionuar të nxjerrë një qëndrim rreth kësaj teme, ta ratifikojë apo jo demarkacionin, pasi që kundërshtimet janë të mëdha. “Kam përshtypjen se koalicioni aktual dëshiron ta ratifikojë Marrëveshjen pa luajtur asnjë shkronjë të Marrëveshjes, derisa opozita duket të jetë e painteresuar për unitet dhe qëndrim të përbashkët. Unë mendoj se është e rrugës të shqyrtohet në Kuvend Marrëveshja dhe nëse nuk ka pajtim të plotë për këtë linjë kufitare, duhet të ketë pajtim të pjesshëm, nëse vlerësojnë palët, ndërsa pjesa tjetër e papajtueshme t’i përcillet Arbitrazhit për të vendosur”, ka thënë Burjani, duke shtuar se subjektet politike duhet të takojnë banorët e linjës kufitare me Malin e Zi dhe të qëndrojnë afër tyre për të mos lënë përshkallëzim të tensioneve të mundshme.