Haziri kërkon zvogëlimin e Qeverisë

Aktuale July 30, 2016 - 08:26

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri në intervistën dhënë “Zërit” ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të reduktojë numrin e ministrive, pasi, sipas tij, një qeveri më e vogël do të ishte më efikase. Haziri në vazhdim thotë se në këtë formë do të kurseheshin para të konsiderueshme nga buxheti i shtetit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin për të pasur një qeveri me numër të madh të ministrive, prandaj, sipas tij, duhet të zvogëlohet numri i tyre në mënyrë që ekzekutivi të jetë më efektiv dhe të kursehen para të konsiderueshme. Haziri gjithashtu ka folur edhe për reformën zgjedhore, me ç’rast ka thënë se duhet të bëhet reformë rrënjësore e jo “kozmetike”. Ai gjithashtu ka thënë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ua ka falur deputetëve të kësaj partie që nuk e kanë votuar atë për kryeministër të vendit, pavarësisht se kishte thënë se nuk do t’i “amnistojë”. Në fund Haziri ka thënë se më shumë i jep gjasa daljes nga politika sesa marrjes së postit të kryetarit të LDK-së.

Zëri: Z. Haziri, është diskutuar mundësia e reduktimit të ministrive, a jeni ju pro dhe a do të shkaktonte përplasje mes partnerëve të koalicionit, sidomos ndaj atyre partive të vogla?

Haziri: Definitivisht mendoj se duhet të zvogëlohet në funksion të detyrave që ka Qeveria, të jetë qeveri e vogël, efikase dhe qeveri e cila ka ligj. Ligji për Qeverinë është mekanizmi kryesor, i cili rregullon detyrat dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë. Kosova është kabinet pa ligj edhe më tutje, ose me strukturë të padefinuar. Ne kemi filluar Qeverinë në historinë më të re të Kosovës më 11 ministri, e kemi përfunduar me 22 ministri. Prej një zëvendëskryeministri që kemi pasur më herët ka arritur në pesë, tash është tre. Kemi pasur një zëvendësministër në një ministri, tash kemi deri në katër zëvendësministra për një ministri, është shumë e madhe, glomaze dhe shpenzuese kjo Qeveri. Unë e mbështes idenë e kryeministrit për rishikim funksional, shkrirjen e shumë ministrive në ministri të rëndësishme për vendin, rishikimin e agjencive, departamenteve dhe zyrave që në njëfarë mënyre kam përshtypjen që po ushtrojnë funksione paralele të ministrave dhe të fillohet të detyrojë ushtrimin e një funksionimi më të madh në ushtrimin e detyrave të Qeverisë.

Zëri: A do të shkaktonte përplasje mes koalicionit?

Haziri: Formulat qeverisëse nganjëherë kërkojnë fleksibilitet, por ne nuk kemi komoditet që të lejojmë diçka të tillë. Kosova me këtë buxhet që e ka dhe me këtë planifikim të kornizës afatmesme në tri vjetët e ardhshme dhe me parashikim afatmesëm nuk lejohet asnjë lloj komoditeti që shpenzimet të jenë në këtë shkallë që janë, por duhet të ulen. Kryeministri është duke planifikuar që të gjitha kategoritë që janë shpenzuese dhe që shpenzojnë buxhet t’i ulin dhe t’i reduktojnë që Kosova ato mjete që ka t’i shpenzojë për bazën ekonomike, zhvillimore të këtij vendi. Është e paimagjinueshme, por e vërtetë, një ministri harxhon shumë mjete buxhetore, pavarësisht çfarë roli ka. A është Ministri e Diasporës, a e Kulturës, apo e Pushtetit Lokal, ata kanë një buxhet e cila duhet t’i mbulojë shpenzimet e gjithë zyrtarëve, jo shërbyesve civilë, por zyrave politike që kanë obligim të ushtrojnë detyra e që në kupolën e saj është ministri.

Zëri: Kush po e pengon miratimin e Ligjit për Qeverinë, me të cilin do të parashihej funksionimi i Qeverisë dhe numri i ministrive?

Haziri: Besoj se riorganizimi i Qeverisë dhe pajtueshmëria në parim ekziston mes partnerëve, e dërgon pastaj në draftim të Ligjit për Qeverinë.

Zëri: A i shihni zgjedhjet si dalje nga kriza politike, e cila thuajse po vazhdon prej dy vjetësh, menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2014?

Haziri: Unë nuk i shoh alternativë, nuk i shoh opsion të daljes nga situata. Ju e shihni se si e kemi botën afër nesh në çfarë tensioni, dy shtetet më të mëdha afër neve e shihni janë në gjendje të jashtëzakonshme dhe krejt problemet e pazgjidhura në raport që po flasim. Kosova duhet të fokusohet t’i zgjidhë problemet e brendshme me prioritet. Zgjedhjet sipas kalendarit ekzistojnë, por nuk janë zgjedhjet që e përmirësojnë situatën në raport me demarkacionin me Malin e Zi nëse e ndërrojmë strukturën e deputetëve, por vetëm e vonojmë. Nuk jam ithtar i vonesave. Jemi afër zgjedhjeve lokale dhe Kosova duhet domosdoshmërisht të rishikojë Ligjin për Zgjedhjet Lokale, Ligjin për Zgjedhjet Parlamentare dhe ta reformojë sepse ky ligj nuk po garanton përfaqësim.

Zëri: Po mendoni për mbylljen e listave apo...?

Haziri: Unë jam për një reformë sistemore, jo reformë kozmetike. Ka ardhur koha që të kemi një kod zgjedhor që definon mirë mënyrën e zgjedhjes së presidentit njëherë e përgjithmonë, mënyrën e zgjedhjes së deputetëve në Kuvend, kryetarëve të komunave dhe asamblistëve. Duhet ta bëjmë një kod konsensual, e reformojmë sistemin zgjedhor dhe mandej hyjmë në një proces të besueshëm, kredibil dhe të pranueshëm për krejt. Ashtu siç e kemi parë këto 17 vjet në Kosovë, prej zgjedhjeve më të mira në regjion kemi kaluar në zgjedhjet më të këqija që i kanë vlerësuar mekanizmat ndërkombëtarë. Kemi dy anë të medaljeve brenda dhjetë vjetëve që askund nuk ndodhin përkundër rekomandimit që kanë ardhur nga Brukseli për zgjedhjet e fundit që i japin sharmë këtij procesi.

Zëri: A është mbytje e demokracisë mbyllja e listave?

Haziri: Mbyllja e listave e adreson përgjegjësinë tek lidershipi partiak, sepse mandej në listat e hapura partitë duhet të përpilojnë lista kandiduese dhe aty vjen në shprehje demokracia e brendshme. Por lista e hapur nuk është treguar e mirë, unë e kam udhëhequr procesin bashkë me Fatmir Limajn për hapjen e listave, kur kemi reformuar procesin zgjedhor, kam besuar se qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin preferenca mes deputetëve, por e keni parë çka ka ndodhur, nuk ka qenë vota ajo që e ka përcaktuar, kanë qenë komisionarët që kanë përcaktuar se kush është deputet e kush jo. Duhet të eliminohet kjo mundësi që individë ta manipulojnë procesin.

 Mustafa i amnistoi deputetët e LDK-së që s’e votuan për kryeministër

Zëri: Z. Haziri, cila është situata brenda LDK-së, kemi parë kohëve të fundit shumë akuza në drejtim të kryetarit Isa Mustafa?

Haziri: LDK-ja po e kalon atë rrugën, le të themi tranziconit politik të Kosovës, në atë rrugën që ende po e identifikon, është postrugoviste dhe postindependente. Edhe më tutje ne kemi këto dy shtylla që i kemi përballuar si procese politike. Postrugoviste do të thotë që LDK-ja e Ibrahim Rugovës nuk mund të jetë më e njëjta pa prezencën e tij fizike, por ideologjia e tij është trashëguar dhe ideologjia e tij mund të transmetohet në mënyra të ndryshme nga strukturat e LDK-së. Postindependente ka qenë rruga e LDK-së, shpallja e pavarësisë dhe ai mision sublim është arritur, është përmbyllur dhe ne tash po punojmë në ndërtimin e misionit të ri, mision atlantik, mision integrues, evropian dhe roli ynë edhe brenda faktorit shqiptar mbetet me peshë të njëjtë. Trauma e vitit 2006, një Kuvend i cili u atakua, u përça dhe la pasojat e veta natyrisht se është diçka që neve na është dashur ta kthejmë gjendjen e vitit 2006. Por edhe më tutje duhet të punojmë që të unifikojmë të gjitha strukturat, gjitha zërat që dallojnë. Në rastin tonë ne jemi më demokratikë se partitë tjera, sepse më lehtë e përballojmë, kur deputeti i LDK-së nuk e voton kandidatin për kryeministër që jep LDK-ja.

Zëri: Por, kryeministri Isa Mustafa nuk ua ka falur këtë veprim?

Haziri: Kryeministri ua ka falur si duket, nëse e shihni procesin është një amnisti që e ka shkarkuar. Nuk e votojnë kandidatin për president nga partneri i koalicionit, nuk mund të jesh partner serioz ose kredibil kur nuk e respekton marrëveshjen sa herë që nuk të konvenon diçka ose nuk votojnë në ligje dhe vendime të rëndësishme kur Grupi Parlamentar, Kryesia apo vetë kryetari i LDK-së e vendos në organet e veta. Por është ajo që ne besojmë se në proces jemi duke ecur, procesin e rikthimit të LDK-së nuk mund ta ndalin. Po them rikthimin e LDK-së sepse ka pasur dy faza të rëndësishme, e para, faza e luftës kur LDK-ja është luftuar në mënyrë sistemore të zhbëhet dhe të humbë rolin e saj në pavarësi. LDK-ja është ringjallur si feniksi në vitet 1999-2000 me tërë strukturat e veta. Dhe në gjendjen postrugoviste, sepse vetë vdekja e Rugovës LDK-në e dërgon në zhbërje vetvetiu. Atë që nuk munden ta bëjnë të tjerët, kanë për ta bërë njerëzit e vet. Por edhe ajo tendencë ka dështuar, por traumat ne po i shërojmë, duke i përballuar me metoda politike, me durim.

Zëri: Kur thoni LDK-ja është në rrugë reformuese, a i bie që shpejt do ta shohim një udhëheqje të re të LDK-së, me një kryetar të ri, me njerëz të rinj në Kryesi...?

Haziri: Duhet kuptuar sikur çdo organizatë tjetër politike edhe LDK-në. Natyrisht ekzistojnë strukturat e organizuara dhe është kodi i punës, rregullat e punës dhe programi. Nuk ka në asnjë vend, nëse keni dëgjuar diku që ka vende të falura, që ka dhurata. Është qesharake njerëzit në politikë të mendojnë që babadimri ekziston. Në politikë ka konkurrencë, konkurrencë lokale, ka aktivizim politik, ka mendim politik. Servilitetet politike, hapjen e dyerve, lëshimin e vendeve gjeneratë pas gjenerate, nuk ka ndodhur askund dhe as këtu s’mund të ndodhë dhe nuk presim të ndodhë. LDK-ja ka dy gjenerata të mëdha brenda saj, gjenerata e themeluesve dhe gjenerata e atyre që u janë bashkuar themeluesve. Unë jam nënkryetar aktualisht, por nga 46 vjetët e mia jo të plota duhet t’i zbresim 27 vjet që jam me LDK-në. Kur kam hyrë në LDK, themeluesi i saj Ibrahim Rugova ka qenë 43-vjeçar. Tash pretendojnë njerëzit se duhet të hyjnë të rinj në politikë, nuk duhet të harrojnë një fakt që themeluesit e LDK-së moshën mesatare kanë qenë nën 40 vjet dhe e kanë sjellë LDK-në deri këtu. Janë disa ende në jetë, disa janë larguar si të pakënaqur pas luftës për shkak të dallimeve që kanë qenë mes strukturave të luftës. Tash krejt këta që duan dhe mund të kontribuojnë janë mundësi e mirë të japin kontributin në LDK. Mënyra se si kanë ardhur deri të mundësia për t’iu dhënë fjala, për t’iu dëgjuar fjala edhe për të qenë të kandiduar dhe për të qenë të zgjedhur, secili prej tyre e di saktë rrugën e vet të shkurtër të arritjes. Ne jemi parti që nuk jemi në rrugë të gjatë për kuadrat e reja, nuk ka rrugë më të shkurtër sesa ajo që ofron LDK-ja njerëzve që duan të kontribuojnë në LDK. Por ne jemi duke ndërtuar gjeneratën e dytë të njerëzve. Dua të përsëris edhe një herë, njerëzit që kanë hyrë për oxhaku në LDK vështirë do ta kenë të gjejnë derën të dalin. Politika e ka një rregull, mënyra se si hyn në politikë do të dalësh nga politika, është rregull i pashkruar. Ai që ka hyrë në LDK në kohën e Ibrahim Rugovës për oxhaku, ai nuk është më sepse nuk e ka shtyllën që ka qejf ta ketë, ai që ka hyrë përmes derës tjetër, Fatmir Sejdiu apo Isa Mustafa është njëjtë, ne nuk jemi parti e individit.

Zëri: Në çfarë rrethanash mund të jeni kryetar i LDK-së?

Haziri: Unë do të vazhdoj të jem në Gjilan deri në zgjedhjet e ardhshme, kjo është ajo që unë u kam premtuar qytetarëve të Gjilanit. Po dua të jem konsekuent atë që e kam thënë gjithmonë, nuk kam çka i jap as çka i marr më shumë. Unë në LDK jam rritur dhe krejt jetën e kam pasur të lidhur me këtë parti. E kam lidhur misionin e jetës sime me këtë. Definitivisht jam prej atyre që politika e ka lodhur, sepse kam kaluar kohën e paraluftës, kam qenë i organizuar ushtarakisht, kam qenë në burg dhe kam udhëhequr Komunën, shumë institucione, në nderimin e paqes, në stabilitet, në menaxhim të krizave, konflikteve dhe kur mua më ka lodhur, gjeneratat e tjera janë të dërrmuar nga politika dhe duhet të mendojmë edhe ne opsionin dalës. Unë gjithmonë e kam opsionin dalës sesa opsionin për të mbetur në politikë. Por, natyrisht që nuk tërhiqem nga kandidaturat derisa nuk e vendosi daljen, por nuk kam ambicie për pozitë të tillë.