Sekuestrohen dokumente për “xhamitë e dyshimta”
Policia e Kosovës ka marrë dokumente dhe ka intervistuar disa nga personat që dyshohen për evazion fiskal dhe keqpërdorime në emër të ndërtimit të xhamive në komunën e Pejës. Gjithë kjo po bëhet me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore, derisa në këto momente nuk konfirmohet nëse mes të dyshuarve është edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri
Për dy ditë me radhë Policia e Krimeve Ekonomike ka marrë dokumente dhe ka intervistuar personat kyç që po dyshohen për evazion fiskal në emër të ndërtimit të xhamive në Pejë.
Por, në Policinë e Kosovës nuk konfirmojnë zyrtarisht se kush janë personat që po hetohen e as nëse në mesin e tyre është edhe kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri.
“Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit - Pejë, nën autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, është duke zhvilluar hetime paraprake lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e vetme të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.
Nuk konfirmohet nëse i dyshuar është edhe kryetari i Pejës
Kjo përgjigje është vënë një javë pas publikimit të një serie të shkrimeve në gazetën “Zëri” e që ndërlidhen me dyshimet për keqpërdorime në emër të ndërtimit të xhamive.
Por, burime në Policinë e Kosovës kanë thënë se Policia në këtë fazë nuk ka ndërmarrë veprime të bastisjeve, por vetëm ka grumbulluar dokumentacion dhe ka intervistuar disa persona që mund të kenë lidhje me dyshimet, që tashmë janë ngritur. “Bëhet fjalë për kompani, përfaqësues fetarë, si dhe persona të tjerë zyrtarë, si dhe përfaqësues të OJQ-ve që mund të kenë lidhje me këtë hetim”, ka thënë burimi i gazetës.
I pyetur nëse mes të dyshuarve që po hetohen është edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, i cili siç ka zbuluar gazeta “Zëri”, me para të donatorëve kishte udhëtuar në Dubai për të “hetuar” nëse investitorët që po ndërtonin xhami në territorin e Pejës ishin të dyshimtë.
Ndërkohë të njëjtëve ua kishte mundësuar marrjen e lejes ndërtimore për ndërtimin e xhamisë në Vitomiricë, edhe pse kishte refuzim prej Drejtorisë së Urbanizmit.
“Ende nuk kemi arritur në atë fazë hetimi”, ka thënë burimi brenda Policisë, duke mos përjashtuar që hetimet të orientohen edhe në atë pistë.
Gazeta “Zëri” një javë më parë ka raportuar qysh politikanë, hoxhallarë, përfaqësues të OJQ-ve fetare e kompani ndërtimi kanë bërë të mundur ndërtimin e një xhamie, duke shkelur rregullore e ligje me ndihmën e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Në krye të iniciativës për ndërtimin e kësaj xhamie në Vitomiricë si ndërmjetësues është Ramiz Zekaj, nga Instituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë dhe i njohur i kahershëm i kreut të Pejës.
Hetimet intensifikohen pas hulumtimit të gazetës “Zëri”
Zekaj është me prejardhje nga Peja, kurse aktualisht në Kosovë po ndërmjetëson në ndërtimin e pesë xhamive, duke përfshirë xhaminë në Vitomiricë të Pejës, xhaminë në Staradran të Istogut, xhaminë në Kralan të Gjakovës dhe një tjetër në Lumbardh të Deçanit. Shuma e tyre kap vlerat milionëshe.
Ndërkohë, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri kishte hedhur poshtë vendimin me shkrim të drejtorit të Urbanizmit të Komunës Salih Lajçi, i cili ia kishte refuzuar Bashkësisë Islame kërkesën për ndërtimin e xhamisë në Vitomiricë.
Më pas ai ka qëndruar në hotelin e donatorit nga Dubai, ku një natë kushton 250 euro. Nga vizita atje, siç ka thënë ai, ka ardhur në konstatim se donacionet janë “thjesht një zeqatë për me ndihmu në ndërtim të xhamive”.
Por, Ligji Nr. 02/L-31 për Liritë Fetare në Kosovë, në Nenin 12, liron të gjitha bashkësitë fetare nga tatimi ose kontributet e tjera të përgjithshme.
Kështu, duke u thirrur në këtë bazë ligjore një varg kërkesash janë bërë nga kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë Musli Arifaj për t’u liruar nga Tatimi për Vlerën e Shtuar (TVSH) gjatë furnizimit me materiale për xhaminë e Vitomiricës.
Por, Doganat e Kosovës kanë konfirmuar për “Zërin” se kanë hapur tashmë hetime se disa nga materialet dyshohet të mos kenë përfunduar në destinacion – ndërtimin e objekteve të kultit.