Komuna e Gjakovës po vazhdon të vuaj pasojat e keq menaxhimit të qeverisjes së kaluar

Aktuale July 28, 2016 - 19:51

Për shkak të borxheve të trashëguara nga ish – qeverisja, përmbaruesit kosovarë kanë tërhequr njëanshëm rreth 500 mijë euro nga buxheti i komunës së Gjakovës vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2016, me një trend të rritjes së vazhdueshme të kësaj dukurie, njofton kumtesa për media, transmeton "Zeri.info".

Kjo është bërë e ditur nga drejtori komunal për Buxhet dhe Financa Teki Shala, i cili sot ka raportuar para bordit të drejtorëve në lidhje me pasqyrën financiare për gjysmën e parë të vitit 2016. Sipas drejtorit Shala, një trend i tillë është në rritje, pasi vetëm gjatë muajit të fundit janë në procedurë të tërheqjes së njëanshme edhe të 200 mijë eurove tjera, gjë që e deri me tani e përgjithëson shumën në rreth 700 mijë euro.  “Kjo gjë na vështirëson realizimin e projekteve të planifikuara, pasi në mungesë të mjeteve do të detyrohemi që shumë projekte të ndërpriten”, ka thënë drejtori Shala.
Tërheqja e një anshme e mjeteve nga ana e përmbaruesve është më e madhja gjatë 3 viteve të fundit, në periudhën e njëjtë kohore, pasi në vitin 2014 janë tërhequr 300 mijë euro dhe në vitin 2015 janë tërhequr 200 mijë euro.

Në këtë raport, drejtori Shala ka dhënë edhe lajme të mira në aspektin financiar, siç është rritja e inkasimit të të hyrave, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është më e madhe për rreth 29 për qind. Sipas drejtorit Shala, gjatë periudhës janar – qershor 2016, është realizuar 98 për qind e planifikimit të të hyrave. Ndikim pozitiv në këtë realizim kanë pasur të hyrat nga tatimi në pronë, segment i cili ka pasur rritje gjatë kësaj periudhe kohore.
Komuna e Gjakovës ka pasur rezultate të kënaqshme edhe në shpenzimin e buxhetit të paracaktuar, pasi gjatë periudhës 6 mujore ka shpenzuar 102 për qind të buxhetit, thuhet me tej në njoftim.

Në mbledhjen e sotme të bordit të drejtorëve janë diskutuar edhe një sërë pikash tjera, me ç ‘rast është formuar edhe një komision komunal që do të merret me implementimin e rekomandimeve të dala nga raporti i auditorit. Lidhur me këtë, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se këto rekomandime janë të obligueshme dhe si të tilla duhet të Merren shumë seriozisht. Ajo ka shtuar se komisioni që do t’i implementojë këto rekomandime do të përbëhet nga drejtorët komunal dhe nga auditori i brendshëm ndërsa e tërë puna duhet të kryhet në një afat të shkurtë kohor.
Në vazhdim të mbledhjes së bordit komunal, është raportuar edhe për ndarjen e bursave nga komuna e Gjakovës, me ç ‘rast, drejtoresha komunale e Arsimit, Diana Çarkagjija ka bërë të ditur se komisioni ka ndarë bursa për 41 përfituesit e parë, ndërsa për 9 bursa të mbetura do të shpallet edhe një tjetër konkurs ditëve në vazhdim./Zeri/.