Shtohen kërkesat për dokumente personale (VIDEO)

Aktuale July 28, 2016 - 18:11

Me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë nga diaspora janë shtuar edhe kërkesat për pajisje me dokumente personale.

Në Komunën e Prishtinës në ofiqari dukshëm janë shtuar kërkesat për kurorëzime ndërkaq në Qendrat për Pajisje me Dokumente pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme kërkesat për tu pajisur me letërnjoftim e pasaportë janë rritur përreth 30 për qind.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta, ka thënë për “Zërin”, se vërehet shtimi i numrit të kërkesave për tu pajisur me dokumente personale, por që sipas saj, administrata e Komunës tani në këtë sezon punon edhe të shtunave.

“Në zyrat e ofiçarisë në Komunën e Prishtinës vërehet një numër i shtuar i qytetarëve për të nxjerr edhe dokumentet personale por edhe për të bërë termin të kurorëzimeve. Siç thatë edhe ju, bashkatdhetarët kanë filluar të vijnë por edhe sezoni i verës gjithmonë rezulton me numër pak më të madh të kurorëzimeve. Por ne në Komunën e Prishtinës në administratë këtë e kemi të rregulluar dhe të mbuluar mirë sepse orari i punës është prej 08:30 deri në orën 17:30 dhe të shtunave prej orës 09:00 deri në orën 12:00. Pra punojmë edhe gjatë kohës së pauzës, kemi të mbuluar sportelet e ofiqarisë kështu që qytetarët nëse preferojnë të vijnë dhe ti marrin dokumentet personalisht mund të vijnë në këtë kohë”, ka deklaruar Mullafazliu-Bejta.

Ajo thotë se për të gjithë qytetarët të cilët nuk duan të presin në rend, në dispozicionin e tyre është edhe “E-Kiosku”, por Mullafazliu Bejta thotë se edhe sistemi i pritjes ka ndikuar shumë që të mos shkaktohen pritje të gjata e tollovi.

“Përndryshe ju e dini se në Komunën e Prishtinës e kemi në funksion edhe “E-Kioskun”, i cili është në funksion për qytetarët 24 orë për të nxjerrë të gjitha dokumentet personale. Gjithsesi se ka ndihmuar edhe pse në administratë ju e dini se e kemi të vendosur edhe sistemin e pritjes së radhës i cili gjithashtu ka ndihmuar mjaft, por meqenëse administrata punon vetëm prej orës 08:30 deri në orën 17:30, por qytetarët të cilët kanë nevojë të pajisen me dokumente personale pas kësaj kohe, shërben edhe “E-Kiosku”, por edhe për ata qytetarë të cilët preferojnë të mos presin aspak në radhë, atëherë mund të shërbehen me “E-Kioskun”. Me ndërrimin e qeverisjes lokale, një prej risive të cilat janë vendosur në zyrat e ofiqarisë është edhe aplikimin online për dokumente personale. Pra nëse keni adresë të saktë mund të aplikoni për dokumente personale përmes ueb faqes dhe brenda 48 orëve do të pajiseni me dokument personal të cilin ua sjell në shtëpi Posta e Kosovës”, ka deklaruar Mullafazliu-Bejta.

Ndërkaq, në Qendrat për Pajisje me Dokumente kërkesat për pajisje me letërnjoftim e pasaportë janë shkuar përreth 30 për qind.

Rroksana Qarri, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka thënë për “Zërin”, se Qendra për Pajisje me Dokumente, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme edhe për periudhën kur bashkatdhetarët tanë vijnë në Kosovë, pasi që siç deklaroi ajo, në këtë periudhë numri i aplikimeve rritet dukshëm.

“ Në tre javët e korrikut krahasuar me tre javët e qershorit 2016 numri i aplikimeve për dokumente është rritur 20-30 %. Stafi i Qendrave për Pajisje me Dokumente është mjaftë profesional dhe tanimë i mirë trajnuar për të përballuar edhe fluksin e aplikuesve që vijnë nga diaspora dhe për të ofruar shërbime të shpejta dhe cilësore. Procesi nga aplikimi, prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve te palët po behet brenda afatin kohor të  paraparë me ligj”, ka deklaruar.

Qarri po ashtu ka treguar MPB ofron edhe mundësinë për pajisje me dokumente idenfikimi edhe me procedurë të përshpejtuar.

”Ne kemi edhe procedurën  e përshpejtuar të aplikimeve në kuptimin kohor, kjo  gjë po i ndihmon qytetarët  / bashkatdhetarët të pajisen me dokumente  brenda  3 ditëve e nëse ka ndonjë urgjencë edhe brenda ditës”, ka treguar Qarri.

Mirëpo, taksta për pajisje me letërnjoftim përmes procedurës së përshpejtuar është  60 euro ndërkaq për pasaportë për personat mbi moshën 18-vjeçare është 80 euro.

Gjergj Krasniqi, një bashkatdhetarë ka thënë për “Zërin”, se është pajisur me letërnjoftim me procedurë të përshpejtuar. Sipas tij, në krahasim me vitet e kaluara, kësaj radhe pritja dhe procedurat kanë qenë shumë në rregull.

“ Unë sapo e mora letërnjoftimin. E kam marrë për dy ditë sepse kam aplikuar për procedurë të përshpejtuar dhe kësaj radhe jam i kënaqur me pritje e procedura, por në të kaluarën nuk ka qenë kështu”, ka deklaruar Krasniqi.

Gjatë periudhës 01.06.2016 deri më 15.07.2016 në Qendrat për Pajisje të Dokumenteve kanë aplikuar dhe pajisur me letërnjoftime 34,795 persona, ndërsa 23.946 persona kanë aplikuar dhe janë pajisur me pasaporta.