Serbia synon t’i kthejë në Kosovë 11 mijë refugjatë nga Mali i Zi

Aktuale July 28, 2016 - 07:58

Gjatë një vizite të cilën kryetari i listës “Srpska”, Sllavklo Simiq, ua ka bërë refugjatëve serbë në Mal të Zi, këta të fundit kanë kërkuar të kthehen në Kosovë, “ndoshta jo në Gjakovë, Deçan e Pejë, por në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Graçanicë”

Tani kur janë duke u zhvilluar me intensitet të shtuar punimet në ndërtimin e vendbanimit “Lugina e diellit”, serbët janë në kërkim të familjeve serbe që do të duhej të ktheheshin për të jetuar në këtë vendbanim, për të cilin Serbia investon mbi 5 milionë euro.

Në këtë vendbanim me 300 shtëpi, ku do të vendosen 1500 serbë, kryesisht refugjatë që jetojnë në Serbi, por njëkohësisht edhe serbët e ikur nga Kosova e të cilët jetojnë jo vetëm në Serbi, por edhe në Mal të Zi, refugjatët serbë në Mal të Zi kanë kërkuar që të jenë pjesë e këtij projekti, të cilin shqiptarët e kanë cilësuar kolonizues.

LEXO EDHE: Historia na lidh me Hillary-n

E për t’ua matur pulsin serbëve të zhvendosur në Mal të Zi, saktësisht në Podgoricë dhe në Sutumore, ata i ka vizituar kryetari i listës “Srpska”, Sllavko Simiq, dhe kryetari i Shoqatës për Refugjatë, Milenko Jovanoviq, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas tyre, “në Mal të Zi aktualisht jetojnë rreth 11 mijë refugjatë nga Kosova.

Ata i kanë siguruar refugjatët serbë se për ta do të krijohen kushte për t’u kthyer për të jetuar në Kosovë, në pronat e tyre, por nëse nuk mund të krijohen kushte të sigurisë, atëherë për ta duhet të ndërtohen vendbanime në komunat me shumicë serbe”.

Jevtiq: Do të ndërtohen 10 “Lugina të diellit” në Kosovë

Madje, sipas ministrit për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, vendbanime të ngjashme sikurse është “Lugina e diellit” duhet të ndërtohen edhe në komunat tjera me shumicë serbe. Ai ka përmendur të paktën 10 të tilla e nëse realizohet kjo ide, atëherë në gjithë Kosovën mund të vendosen 15 mijë serbë.

“Atyre që duan të kthehen, këtë të drejtë përfundimisht duhet për t’ua dhënë. Nëse në këtë ambient ekzistues dikush nuk mund të kthehet në Gjakovë, në Deçan e në Pejë, mund të kthehen në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq e Graçanicë. Në këtë kuptim ne do të japim gjithçka prej vetes që të krijohen kushte për kthimin e tyre.  Projekti i ndërtimit të vendbanimit ‘Lugina e diellit’ në Zveçan është njëri prej atyre që parashikon kthimin, e unë gjatë takimit me refugjatët në Mal të Zi kam kuptuar se ka një numër i madh i të rinjve, kryesisht familjarë, të cilët duan ta vazhdojnë jetën pikërisht në veri të Kosovës e Metohisë dhe ata e kanë mbështetjen tonë”, ka thënë Simiq.

Simiq ka shtuar se është krejtësisht normale që një numër i njerëzve të zhvendosur kanë vendosur që të integrohen në vendet ku tani janë duke qëndruar, për shkak se, siç ka thënë ai, “përgjegjësit deri më tani nuk kanë krijuar kushte për kthim dhe riintegrim”.

“Në procesin e zgjidhjes së qëndrueshme të problemeve të refugjatëve duhet të jenë më të angazhuar se deri më tani dhe duhet të kyçen të gjitha subjektet relevante nga Podgorica, Prishtina dhe Beogradi”, ka thënë mes tjerash Simiq gjatë vizitës zyrave të refugjatëve në Podgoricë dhe Sutomore.

Dëbimi i shqiptarëve nga veriu

Ndryshe, projekti “Lugina e diellit”, i cili ka filluar të ndërtohen në hapësirën në mes të komunës së Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, në afërsi të lagjes “Kroi i Vitakut”, ka revoltuar shqiptarët e pjesës veriore, në veçanti rreth 12 mijë shqiptarët veriut të Mitrovicës, të cilën në shkurtin e vitit 2000 janë dëbuar nga pronat dhe banesat e tyre në veri të Mitrovicës. Ata ende nuk po mund të kthehen në pronat e tyre, pasi që administrata komunale e Mitrovicës së Veriut nuk u jep leje ndërtimi, ndonëse synojnë të ndërtojnë shtëpi në pronat e veta ku kanë jetuar me dekada të tëra.

Në anën tjetër administrata komunale e Mitrovicës së Veriut vazhdon t’i inkurajojë serbët që të ndërtojnë dhe ata i pajisin me leje.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka ripërsëritur shumë herë se në veri të Mitrovicës do të ndërtohet vetëm duke i aplikuar planet rregullative e të cilat, siç thonë shqiptarët e pjesës veriore, i diskriminojnë shqiptarët. Në këtë mënyrë, rreth 400 banesa të shqiptarëve akoma mbeten të uzurpuara nga serbët, ndërsa shumë shtëpi të rrënuara dhe të shkatërruara në veri nuk mund të rindërtohen dhe shqiptarët nuk mund të kthehen atje.