Deputetëve të AAK-së e të 'Nismës' u rrezikohet mandati

Aktuale July 27, 2016 - 07:39

Deputetët e AAK-së dhe të “Nismës” tash e pesë muaj janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit. Nëse nuk marrin pjesë në ndonjë seancë gjatë muajit gusht, ata rrezikojnë ta humbin mandatin për shkak të mospjesëmarrjes në seanca për gjashtë muaj me radhë

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të “Nismës për Kosovën” rrezikojnë ta humbin mandatin për shkak të mospjesëmarrjes në seanca të Kuvendit.

Deri më tani janë bërë pesë muaj prej se këto dy subjekte janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit dhe nëse deputetët e tyre nuk marrin pjesë në ndonjë seancë gjatë muajit gusht, atëherë plotësohet kushti për t’iu marrë mandati.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e AAK-së dhe të “Nismës” thonë se nuk shqetësohen nëse do ta humbin mandatin, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ata sqarojnë se arsyeja e bojkotimit të punës së Kuvendit është shumë më e rëndësishme sesa mandati i tyre si deputetë.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Kosovës, mandati i deputetit përfundon nëse deputeti mungon për gjashtë muaj me radhë në seancat e Kuvendit.

Me këtë rast sipas Rregullores, nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen kryetarit të Kuvendit, i pari i legjislativit e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore.

Ndërsa pas rekomandimit të Komisionit, kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit dhe Kuvendi vendos për çështjen në mbledhjen e radhës.

Lekaj: E kemi hallin e Kosovës, jo të mandatit tonë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë për “Zërin” se humbja e mandatit të deputetit është e parëndësishme në krahasim me arsyen e bojkotit të Kuvendit.

“Sa i përket mandatit të deputetit, kjo është shumë e parëndësishme nëse e krahasojmë me arsyen pse ne po e bojkotojmë punën e Kuvendit qe disa muaj. Marrëveshja për demarkacionin do të duhej të procedohet në Kuvend dhe të votohet në atë mënyrë që e shpëton Kosovën nga cungimi territorial, t’i thuhet ‘jo’ ratifikimit”, ka deklaruar Lekaj.

Më tej deputeti i AAK-së ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk e kanë hallin e mandatit të tyre, por hallin e Kosovës.

“Pra sa më shpejt që t’i thuhet ‘jo’ kësaj marrëveshjeje do të shpëtojë Kosova, sepse nuk e kemi hallin e mandatit tonë, por të Kosovës, për çka edhe jemi betuar që do ta mbrojmë integritetin e sovranitetin e vendit. E jo t’i shohim interesat e ngushta personale e partiake”, ka përfunduar Lekaj.

Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se nuk është e rëndësishme nëse deputetët e këtij subjekti politik do ta humbin mandatin.

“Pak rëndësi ka për ne si deputetë nëse e humbim mandatin. Ne jemi të interesuar që të mos e humbim Kosovën, siç është e interesuar Qeveria e Isa Mustafës. Përndryshe mandati i deputetëve të opozitës është dytësor në raport me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, është shprehur Berisha.

Ai madje ka thënë se nuk beson që Komisioni për Mandate dhe Imunitete si dhe deputetët në seancë plenare do të bien në atë nivel që të vendosin për t’ua marrë mandatin deputetëve opozitarë.

“Ne me veprimet tona jemi në protestë ndaj marrëveshjeve të dëmshme që ka bërë kjo Qeveri dhe jemi në krye të detyrës. Unë besoj që Komisioni për Mandate dhe deputetët në seancë do të bien në nivel që ta votojnë marrjen e mandatit, pasi e dinë se misioni ynë është në përputhje me Kushtetutën dhe betimin që e kemi dhënë”, ka thënë më tej Berisha.

 Krasniqi: Në seancë vendoset për mandatin e deputetit

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili e mbikëqyr punën e Kuvendit, ka thënë se në rast se deputetët opozitarë nuk marrin pjesë në punën e Kuvendit për gjashtë muaj, atëherë në seancë plenare të Kuvendit vendoset nëse këtyre deputetëve do t’iu merret mandati ose jo.

“Autoriteti i fundit që vendos nëse duhet t’iu merret ose jo mandati deputetëve është seanca plenare dhe duhet të votojnë deputetët e Kuvendit, nëse një deputetit duhet t’i merret mandati për shkak të mosprezencës në punimet e Kuvendit për më shumë se gjashtë muaj. Që do të thotë se Kuvendi mund të vendosë që këtyre deputetëve të AAK-së dhe ‘Nismës’ të mos ua marrë mandatin dhe kështu të vazhdojë bojkoti nga ta”, ka theksuar Krasniqi.

Ai më tej ka sqaruar se nëse vendoset që këtyre deputetëve t’u merret mandati, ata do të zëvendësohen nga bashkëpartiakë që janë në radhë për nga numri i votave në listat e atyre partive.

“Por edhe nëse ka një vendim për t’iu marrë mandati, ulëset e këtyre deputetëve zihen nga kolegët e tyre që janë në listat e njëjta të subjekteve politike, që do të thotë se do të ketë deputetë të rinj dhe të cilët do të mungojnë e që nuk është se këto vende do të plotësohen në Kuvend”, ka sqaruar më tej Krasniqi.

Përndryshe, në nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit. Në raste të veçanta, Kuvendi i Kosovës mund të vendosë ndryshe”.

Ndërsa në nenin 25 të Rregullores së Kuvendit sqarohet procedura e marrjes së mandatit të deputetit.

“Deputeti i Kuvendit e humb mandatin, nëse... në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen kryetarit të Kuvendit, kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit, kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”, thuhet në këtë nen.

Ndërsa, në pikat në vijim të këtij neni sqarohet se deputeti mund t’ia paraqesë Kuvendit me shkrim argumentet për t’i treguar arsyet bindëse për mospjesëmarrje në mbledhje dhe i lejohet t’i drejtohet Kuvendit, nëse dëshiron.

Deputetët e AAK-së dhe “Nismës” janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit në shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë dhe Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.