Guterresi dënon sulmin e Banjskës dhe kërkon që autorët të dalin para drejtësisë

Guterresi dënon sulmin e Banjskës dhe kërkon që autorët të dalin para drejtësisë

Aktuale April 19, 2024 - 10:00

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në raportin gjashtëmujor mbi punën e UNMIK-ut bëri thirrje që organizatorët e incidentit në Banjskë të sillen para drejtësisë pa vonesë dhe që dialogu i sponsorizuar nga BE-ja të vazhdohet urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit, transmeton Zeri.info.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut është caktuar për 22 prill, ndërsa Guterresi në raportin që i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024, ka theksuar se ka progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së, por se tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës u rritën dhe se situata në veri të Kosovës mbeti e brishtë.

Guterresi përshëndeti progresin e arritur në fund të vitit 2023 në zbatimin e marrëveshjeve, duke përfshirë zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë e vitit 2022 dhe ofrimin e lirisë së lëvizjes së automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai thekson se angazhimi i vazhdueshëm konstruktiv është i nevojshëm për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes, sepse është i domosdoshëm për të parandaluar tensione dhe konflikte të reja.

“Dënoj fuqishëm incidentin e rëndë të sigurisë që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë, që çoi në humbjen tragjike të jetëve dhe bëj thirrje që hetimi të përfundojë dhe organizatorët të dalin para drejtësisë pa vonesë”, tha Guterresi në raport, transmeton Zeri.info.

Ai theksoi se është i shqetësuar për zbatimin e rregulloreve të reja për transaksionet në valutë dhe cash për dinarin, të cilat, sipas tij, kanë prekur të drejtat ekonomike dhe sociale të popullsisë minoritare, veçanërisht grupeve vulnerabël.

Guterresi bëri thirrje që çështja të diskutohet urgjentisht në një dialog nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe të sigurohet që të drejtat e të gjitha komuniteteve të prekura të respektohen dhe mbrohen. /Zëri