AAK-ja në mbështetje të kandidatit të LVV-së për balotazhin në Viti

AAK-ja në mbështetje të kandidatit të LVV-së për balotazhin në Viti

Zgjedhjet Lokale 2025 November 07, 2025 - 11:41

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në balotazhin e së dielës në Viti.

Lajmin për arritjen e koalicionit e ka bërë të ditur kandidati i AAK-së për kryetar të Vitisë, Labinot Bislimi, transmeton Zeri.info.

Marrëveshja është nënshkruar sot në mëngjes, pasi, siç ka thënë Bislimi, “u përafruan vlerat, idetë dhe programet”.

“Pas konsultimeve disa ditësh ndërmjet dy degëve, Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet, Pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona, Sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe ia zgjatem dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi. Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vet pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë që me emër thërrasim Sokol Haliti”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Sipas tij, AAK-ja, Dega në Viti nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndajë proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë së keqes.

“Ajo ka pasur dhe gjithmonë do të ketë qëndrime dhe pozicione politike duke ju përgjigjur situatave të kohës. Situata e tanishme kërkon guxim, mobilizim dhe pozicionim. Ky koalicion e shpreh edhe njëherë guximin tonë për të qenë pjesë e proceseve politike; për t’i ndihmuar dinamikat shoqërore dhe për t’i shtyrë përpara vlerat, idetë dhe projektet e nevojshme për qytetarët e komunës sonë”, shkroi ai. /Zëri