Përplasje për vjedhje votash në KQZ, kryetari Radoniqi vendos pauzë disa minutëshe

Përplasje për vjedhje votash në KQZ, kryetari Radoniqi vendos pauzë disa minutëshe

Zgjedhjet Lokale 2021 October 23, 2021 - 11:48

Anëtarë të partive politike në KQZ kanë adresuar akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit për vjedhje të votave në disa vendvotime.

Debat i ashpër u zhvillua ndërmjet Sami Kurteshit nga VV-ja dhe përfaqësuesit të LDK-së, Florian Dushi sa i përket mundësisë për manipulimin e votave në zgjedhjet e 17.

Në mbledhjen e KQZ-së e cila po mbahet sot kryetari i saj Kreshnik Radoniqi ka kërkuar nga këta anëtarë që të mos bëhen akuza politike.

Sami Kurteshi anëtar i KQZ-së nga LVV-ja ka thënë se në vendvotimin në Harilaq të Fushë Kosovës ka pasur përpjekje të hapur për vjedhje votash. Madje ai tha se Policia ka arrestuar njerëz për shkak të shkeljes së kodit të zgjedhjeve.

Kurteshi tha se kjo ka zbehur besimin në QNR, e cila sipas tij përpiqet të mohojë këtë tentim vjedhje.

“Kanë ardhur policia dhe ka arrestuar njerëz që kanë pas përpjekje me vjedh vota. Një anëtar i KQZ-së, një komisionar i PDK-së si dhe një i LDK-së”. Sipas tij, përkundër kësaj ky vendvotim është numëruar.

Ndaj Kurteshit ka replikuar përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani. Ai kërkoi që akuzat politike me komisioner të atij apo këtij subjekti nuk ka nevojë të bëhen.

“Në mbledhjen e kaluar ne kemi kërkuar që ky vendvotim të shkoj në hetim. Nuk njohim se kush komisionar i kujt është. Nuk dëshirojmë asnjë votë të preket, asnjë vendvotim të mos preket. Kam insistuar që të ketë hetim”, tha Elshani.

Përplasjet në mbledhjen e KQZ-së me akuza e kundër akuza për vjedhje votash kanë quar në vendimin e kryetarit Radoniqi që të kërkojë pauzë të mbledhjes.

Madje që në fillim të mbledhjes, Radoniqi ka kërkuar nga anëtarët e KQZ-së që të dëgjojnë njëri-tjetrit dhe të shmangin përplasjet pa fakte e me ngjyrime politike./Zëri