Haziri: LDK-ja bën marrëveshje vetëm me qytetarin, jemi në garë për t’i fituar edhe 8 komuna

Haziri: LDK-ja bën marrëveshje vetëm me qytetarin, jemi në garë për t’i fituar edhe 8 komuna

Zgjedhjet Lokale 2021 October 21, 2021 - 15:45

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kandidat edhe për një mandat në Gjilan, Lutfi Haziri, në një konferencë për media ka thënë se partia në të cilën bën pjesë marrëveshje politike bllok nuk do të ketë me askënd.

Haziri tha se në tetë komuna të Kosovës janë prijës për të fituar zgjedhjet lokale.

“Në tetë komuna të tjera jemi në kandidaturë dhe prijës për të fituar zgjedhjet lokale dhe natyrisht në gjashtë komuna tjera jemi determinues si parti e radhës për të përcaktuar rezultat zgjedhor. Marrëveshje politike bllok LDK-ja nuk do të ketë me askënd, marrëveshja jonë do të bazohet në parimin me marrëveshjen me qytetarët”, tha ai.

Sa i përket koalicionit me ndonjë parti, Haziri ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë zyrtare dhe as nuk kanë bërë ftesë për koalicion.

“Rregulla statutore e LDK-së është që koalicionet lidhen vetëm nga Kryesia Qendrore, natyrisht në nivele lokale mund të ketë zhvillime, kontakte joformale dhe interesime, por në këtë nivel nuk kemi ftesë zyrtare dhe as nuk kemi bërë ftesë zyrtare askujt për të ndërtuar marrëveshje koalicioni”, deklaroi Haziri.

Ne, tha ai, garojmë në katër komuna kundër LVV-së, në dy komuna kundër PDK-së dhe në dy të tjera kundër AAK-së.

“Askush me askënd nuk mund të hyjë në një garë të tillë”, theksoi ai.

Haziri foli edhe për deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit dje ka thënë se LDK-ja ka koalicion me Listën Serbe.

Sipas tij, tendenca për të rikthyer rolin e Listës Serbe në Prishtinë ose Gjilan është vlerësim i rrezikshëm politik.

“Tendenca me e rikthy rolin e Listës Serbe sikur që është në Prishtinë ose në Mitrovicë, ose në Gjilan, është vlerësim i rrezikshëm politik, sepse është komunitet i integruar në institucione, është komunitet i cili nuk nxjerr kamion dhe traktor me i blloku rrugët rajonale dhe komunale dhe është komunitet i cili është integruar me qetësi politike dhe i sheh punët e veta më shumë se sa punët politike”, tha mes të tjerash Haziri.

Ai tha se në Gjilan ka pasur koalicion me LVV-në, porse tani nuk mund të ketë me ta, sepse janë në garë balotazhi pikërisht me këtë parti. /Zëri