Nuk dihet ende se sa do të zgjasë fushata për balotazh
Foto: Laura Hasani

Nuk dihet ende se sa do të zgjasë fushata për balotazh

Zgjedhjet Lokale 2021 October 19, 2021 - 14:22

Ende nuk dihet se sa do të zgjasë fushata për 21 komunat që pritet të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka thënë sot se në lidhje me kohëzgjatjen e fushatës për raundin e dytë pritet të vendos KQZ_ja.

Elezi ka thënë se në QNR pasi janë pranuar materialet zgjedhore nga të gjitha vendvotimet po bëhet futja në sistem e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatët për kryetar.

Pas përfundimit të procedurave në QNR do të ketë listë të veçantë të të dhënave nga votat me kusht, nga personat me aftësi të veçanta dhe ato nga diaspora.

“Pasi të përfundojnë të gjitha këto aktivitete në QNR do të fillojmë me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe atyre të ardhura me postë. Planifikojmë ta përmbyllim si proces gjatë kësaj jave. KQZ është i përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave, për të shpallur dhe certifikuar rezultatet e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi. /Zëri