Abdixhiku për zgjedhjet: Për LDK-në 14 shkurti ishte mësim, 17 tetori krenari

Abdixhiku për zgjedhjet: Për LDK-në 14 shkurti ishte mësim, 17 tetori krenari

Zgjedhjet Lokale 2021 October 19, 2021 - 10:15

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka lavdëruar procesin zgjedhor të së dielës.

Abdixhiku ka thënë se me zgjedhjet e së dielës, si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve.

Në lidhje me partinë që drejton, ai ka thënë se 17 tetorin do ta kujtojnë me krenari, ashtu siç kujtojnë si mësim 14 shkurtin kur ishin mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, transmeton Zeri.info.

“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë - dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë”, ka shkruar Abdixhiku.

Shkrimi i plotë:

Procesi zgjedhor përfundoj, e po përfundon edhe numërimi zyrtar i votave të fundit të rregullta e me kusht padallim.

Si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve. Një standard që e marrim si të qenë por që në thelb është vlerë. Fitues, për këtë, jemi të gjithë.

I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm - me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre padallim.

Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë - dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë.

Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi.