LVV-ja në Mitrovicë me akuza ndaj Hamzës së PDK-së, ky i fundit mohon gjithçka

LVV-ja në Mitrovicë me akuza ndaj Hamzës së PDK-së, ky i fundit mohon gjithçka

Zgjedhjet Lokale 2021 September 19, 2021 - 22:06

Gara për të parin e Mitrovicës ka nisur të nxehet qysh në ditët e para të fushatës parazgjedhore.

LVV-ja në Mitrovicë sot publikoi një video ku shihen kandidati i PDK-së për këtë komunë, Bedri Hamza, i shoqëruar nga Sami Lushtaku, Ganimete Musliu e të tjerë, në një tubim, por që nuk dihet se ku dhe kur është mbajtur i njëjti, raporton Zeri.info.

Në atë tubim, që duket së është mbajtur në një tendë, degjohet muzikë shqipe me sharkia e të shtëna armësh kur i këndohet "ushtarëve të Sami Lushtakut". E aty shihet edhe Hamza teksa duartroket pikërisht në momentin kur dëgjohen të shtënat me armë.

Me këtë rast, LVV-ja ia kujtoi një deklaratë Hamzës kur tha se "nëse e fsheh krimin, je pjesëmarrës në krim", duke e pyetur se a e ka raportuar këtë rast në organet e drejtësisë.

"Po Bedri, nëse fsheh krimin je pjesëmarrës në krim, sepse duhet me denoncuar krimin! Gjuajtja me armë në vende publike është krim dhe mos lajmrimi i rastit në polici është vepër penale, sipas paragrafit 1.9 - neni 378 të Kodit Penal të Kosovës. Pyetje, a e ke denoncuar gjuajtjen me armë në vend publik apo vetëm i ke duartrokitur armëve? Ky rast dhe shumë të tjera si ky, janë fytyra e vërtetë e PDK-së që bashkëjeton me krimin", u tha në postimin e LVV-së, Dega në Mitrovicë, në Facebook.

E Hamza, në një prononcim për Kallxo.com, tha se nuk e di ku ka qenë ai tubim, teksa shtoi se takimi nuk është mbajtur në Mitrovicë e as është organizuar nga ai. /Zëri