KQZ certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të raundit të dytë

Zgjedhjet lokale 2017 December 07, 2017 - 13:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetar të Komunave: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Podujevë, Shtime, Suharekë, Vushtrri dhe Malishevë, ndërsa certifikoi rezultatin përfundimtar të Rivotimit për Kryetar të Komunës së Parteshit, raporton "Zeri.info".

Kurse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Kllokotit dhe u bë e ditur se nga koha e shpalljes fillon të rrjedhë afati 24 orësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.  

Ndërsa, lidhur me përgatitjet për organizimin e rivotimit të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Istogut, që do të mbahet më 17 dhjetor, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi paraqiti para anëtarëve raport lidhur me ecurinë e këtyre përgatitjeve.

Lidhur me konfirmimin dhe verifikimin e votuesve nga jashtë vendit (2 dhjetor – 6 dhjetor) për komunën e Istogut, ai bëri të ditur se janë gjithsejt 85 votues që kanë dërguar dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe se janë konfirmuar. Ndërkaq, votuesit e regjistruar jashtë Kosovës (16 korrik – 23 gusht 2017) që nuk kanë dërguar dëshmi zyrtare shtesë do të kthehen si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil. /ZERI


 

Të rekomanduara