PZAP-i hedh poshtë ankesat e LDK-së e të PDK-së

Zgjedhjet lokale 2017 December 05, 2017 - 07:49

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP-i) të hënën ka publikuar vendimet për ankesat që janë paraqitur nga partitë politike kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve komunale.

PZAP-i ka marrë vendim që t’i hedhë poshtë të gjitha ankesat nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila kishte dërguar ankesa për komunën e Prishtinës, të Dragashit dhe të Kamenicës.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe me ankesat e dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që dërgoi ankesa për komunën e Prizrenit, të Rahovecit e të Klinës.

Pas këtij vendimi zyrtarë nga LDK-ja kanë treguar për Zërin se do të dërgojnë ankesë në Gjykatën Supreme për të parë nëse ky vendim i PZAP-it është i vlefshëm apo jo. Të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe PDK-ja.

Ndërkohë, partitë politike kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit do të vendosë brenda 72 orëve.  

Mulë Desku, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-i), ka treguar për gazetën Zëri se PZAP-i ka marrë vendim që ankesat e dërguara nga Lidhja Demokratike e Kosovës për komunën e Prishtinës, të Dragashit dhe të Kamenicës, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja për zgjedhjet lokale ka vendosur që këto ankesa t’i hedhë poshtë, duke i cilësuar si të palejueshme, të pabazuara dhe të dërguara pas afatit të caktuar.

“PZAP-i ka shqyrtuar dhe ka vendosur të gjitha apelet e paraqitura kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve komunale të 22 tetorit 2017 për rundin e dytë për kryetarë të komunave, të mbajtura më 19.11.2017. PZAP-i lidhur me apelet e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur si në vijim: Apeli për komunën e Prishtinës, një pjesë e apelit është hedhur si e palejueshme dhe një pjesë e apelit është refuzuar si i pabazuar, apeli për komunën e Dragashit është refuzuar si i pabazuar, apeli për komunën e Kamenicës është hedhur si i pasafatshëm”, ka njoftuar Desku.

Ndërsa për ankesat e PDK-së për komunën e Prizrenit, të Rahovecit e të Klinës ka treguar që po ashtu janë hedhur poshtë, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të palejuara.

“PZAP-i lidhur me apelet e paraqitura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur si në vijim: Apeli për komunën e Prizrenit është hedhur si i palejuar, apeli për komunën e Rahovecit, një pjesë e apelit është hedhur si e palejueshme dhe një pjesë e apelit është refuzuar si i pabazuar, apeli për komunën e Klinës është hedhur si i palejuar”, ka sqaruar Desku.

Po ashtu PZAP-i ankesën e kandidatit të pavarur për komunën e Shtimes e ka hedhur poshtë.

“Apeli i paraqitur nga kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Shtimes është hedhur si i palejuar”, përfundoi Deksu.

Ndërkohë Haki Rugova, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas vendimit të PZAP-it për t’i hedhur poshtë ankesat e këtij subjekti politik për Komunën e Prishtinës, të Dragashit e të Kamenicës, i tha gazetës Zëri se këtë vendim do ta dërgojnë në Gjykatën Speciale për ta parë nëse është i vlefshëm apo jo.

“Tashmë është instanca tjetër, Gjykata Supreme dhe do të shohim, por ka afat deri nesër të dorëzohet një ankesë e tillë. Kjo ankesë dorëzohet sepse duhet të bëhet vlerësimi se a vlen apo nuk vlen”, ka theksuar Rugova.

Kurse nga PDK-ja kanë deklaruar për gazetën Zërise do ta shqyrtojnë së pari vendimin e PZAP-it dhe pastaj do të vendosin nëse do ta dërgojnë në Gjykatë Supreme apo jo.

 

Të rekomanduara