Ja sa miliona euro u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për zgjedhje

Zgjedhjet lokale 2017 November 29, 2017 - 20:21

Kosova në katër muajt e fundit ka shpenzuar nga buxheti i saj më shumë se 10 milionë euro, për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, zgjedhjet komunale të 22 tetorit dhe balotazhin e mbajtur në 19 komuna që u mbajt me 19 nëntor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kohë më parë ka miratuar raportin e shpenzimeve për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 11 qershor 2017. Sipas këtij raporti, kostoja e përgjithshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve është në shumën prej 4 milionë e 38 mijë e 768 euro, shkruan Indeksonline.

Ndërkaq zgjedhjet e rregullta komunale të 22 tetorit, kushtuan plot 5 milionë euro. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një prononcim të për Indeksonline, kishte thënë se procesi i përgatitjes kishte shkuar sipas planit dhe afateve.

Ajo ka treguar se shuma që pritej të kapin këto zgjedhje, sillet diku nga 4.5 deri në 5 milionë euro.

“Ne shumën e dimë tek në fund, por në krahasim me zgjedhjet e kaluara, aty sillen diku 4.5 deri në 5 milionë euro. Ajo gjithmonë varet në çfarë kohe mbahen, sa do të ketë raunde të dyta nëpër komuna, sa balotazhe, sa do të ketë në QNR rinumërime. Këto zakonisht e ndryshojnë shumën por ne i planifikojmë aty dikur 4.5 ose 5 milionë”, ka sqaruar ajo.

Daka ka shtuar se shuma më e madhe e mjeteve shkon për pagesat e komisionerëve.

“Shuma më e madhe si zakonisht shkon për komisionerët, pagesat e tyre janë pjesa më e madhe e shumës që shkon për zgjedhje. Shuma sillet aty 4.5 deri 5 milionë, por nuk do të thotë që do të bëhen aq, mund të ndodhë edhe më pak”, ka thënë ajo.

Ndërkaq balotazhi i zhvilluar në 19 komuna me 19 nëntor, llogaritet që ka marrë gjysmën e shumës së zgjedhjeve të rregullta të cilat kushtuan rreth 5 milionë euro.

Të rekomanduara