Aleancat sekrete para balotazhit
Foto: Driton Bublaku

Aleancat sekrete para balotazhit

Zgjedhjet lokale 2017 nëntor 01, 2017 - 07:55

Garës së balotazhit do t’i paraprijnë marrëveshjet publike, por edhe sekrete për përkrahje mes subjekteve politike në komuna të ndryshme të vendit. Disa nga kandidatët që janë në garë thonë se së shpejti do t’i zyrtarizojnë marrëveshjet, ndonëse nuk japin shumë detaje për koalicionet e mundshme. Ndërsa disa aleanca nuk do të bëhen publike nga frika se një veprim i tillë do të mundë t’i dëmtojë në komunat tjera, shkruan sot, gazeta Zeri.

Gjatë javës së ardhshme partitë politike pritet t’i konkretizojnë marrëveshjet për përkrahje në garën e balotazhit, e cila do të mbahet më 19 nëntor të këtij viti.

Përveç marrëveshjeve që do të bëhen publike, në disa raste kandidatët e partive që janë në garë pritet të arrijnë edhe marrëveshje të fshehta për përkrahje nga frika se marrëveshja publike me subjektet e caktuara politike do të mundë t’i dëmtojë në komunat të tjera.

Përveç Prishtinës, garë e fortë do të zhvillohet edhe në Prizren mes kandidatit të PDK-së Shaqir Totajt dhe atij të “Vetëvendosjes” Mytaher Haskukës.
Të dy këta kandidatë janë duke zhvilluar takime me partitë që nuk janë pjesë e garës së balotazhit për t’i përkrahur më 19 nëntor.

Ditë më parë Haskuka i “Vetëvendosjes” u takua me kreun e Degës së LDK-së në Prizren Haxhi Avdylin, por që nuk u konfirmua zyrtarisht nëse LDK-ja do ta përkrahë LVV-në në Prizren, ndonëse këto dy subjekte garojnë mes vete edhe në Prishtinë, në Gjilan, etj.

Kandidati i PDK-së në Prizren Shaqir Totaj ka bërë të ditur për “Zërin” se brenda kësaj jave do ta zyrtarizojë marrëveshjen me njërën nga subjektet politike, ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje se për cilin subjekt bëhet fjalë.

Totaj: Këtë javë bëjmë aleancë për Prizrenin

“Kam pasur kontakte me disa parti, të cilat nuk kanë hyrë në balotazh dhe me disa pritet të kontaktojmë. Janë bisedime konstruktive dhe po i hulumtojmë ku i kemi pikat takuese sa i përket programit. Nuk kemi limite sa i përket programit. Ne jemi në pozitë të avancuar pasi jemi fitues të rundit të parë dhe kemi një komoditet që t’i zgjedhim bashkëpunëtorët tanë dhe pres që brenda disa ditësh të arrijmë marrëveshje me një ose dy partnerë të koalicionit për të ardhmen e Prizrenit”. Ai nuk ka pranuar që t’i bëjë publike emrat e partive politike me të cilat ka biseduar. “Meqenëse jemi në fazën e bisedimeve nuk dua ta dëmtojë rezultatin e atyre bisedimeve, por po them që me disa jemi takuar e me disa pritet të takohemi dhe kjo marrëveshje do të ndodhë”, ka thënë Totaj.

Kurteshi: S’bëjmë marrëveshje të fshehta

Ndërkaq kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për komunën e Gjilanit, Sami Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se në Gjilan “Vetëvendosja” nuk do të bëjë marrëveshje të fshehura me partitë politike. “Partitë janë mësuar me koalicione të fshehura, por ajo bëhet përmes dy-tre personave dhe në katër sy, unë ty, ti mua… Ne nuk do të bëjmë ashtu, nëse bëjmë koalicione e bëjmë hapur”, tha ai. Ai më tutje tha se nëse LVV-ja i fiton zgjedhjet në Gjilan domosdo do të bëjë koalicion me njërën nga partitë, mirëpo para balotazhit ai ka thënë se personalisht nuk do të bëjë kurrfarë marrëveshje. “Ne synojmë t’i fitojmë zgjedhjet. Qytetarët i kanë dy alternativa: në një anë ‘Vetëvendosjen’ e në anën tjetër LDK-në. Nëse ne dalim fitues duhet të bëjmë koalicion, por ne si ‘Vetëvendosje’ nuk do të bëjmë koalicione të fshehura. Unë s’do të bëjë, por për LVV-në vendos Këshilli i Përgjithshëm në fund të fundit. Ne e kemi të qartë, është një ligj që duhet ta respektojmë”, ka thënë Kurteshi.

Aliu: Bëjmë aleancë, por s’ka asgjë konkrete

Kurse Agim Aliu, kandidati i PDK-së për Ferizajn, i cili është në garë me kandidatin e LDK-së Muharrem Sfarqën, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se po has në përkrahjen e qytetarëve, të cilët në rundin e parë votuan për kandidatët që nuk arritën të futen në balotazh. Por ai nuk e përjashton mundësinë e bërjes aleancë me ndonjë nga subjektet politike, mirëpo që tash për tash, siç ka thënë ai, nuk ka asgjë konkrete. “Ne jemi duke hasur gjithnjë e më shumë në përkrahjen qytetare dhe në përkrahjen e atyre qytetarëve që nuk e kanë votuar programin tim në rundin e parë dhe të cilët në garën e balotazhin nuk i kanë kandidatët e tyre. Por sigurisht ne do të shohim forma të bashkëpunimit edhe me subjektet politike. Ende nuk kemi diçka konkrete, por në ditët në vijim do të shohim se si do të bëhen edhe format e bashkëpunimit, duke i përfshirë të gjitha subjektet që nuk janë pjesë e balotazhit”.

Ndërkaq Valdete Idrizi, kandidatja e PDK-së në Komunën e Mitrovicës, e cila në rundin e dytë të zgjedhjeve garon me Agim Bahtirin e AKR-së, ka thënë se nuk është takuar dhe nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë nga subjektet politike që nuk arritën të futen në balotazh. “Tash për tash koalicionin e kemi veç me qytetarët e Mitrovicës. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar. Tash për tash nuk ka asnjë marrëveshje konkrete me askënd. Zyrtarisht nuk ka asgjë përveç bashkëpunimit me qytetarë”, ka thënë ajo.

Potera: S’kam marrëveshje me shkrim, kam mbështetje morale

Ndërsa Ajet Potera, kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për Komunën e Podujevës, ka thënë për gazetën “Zëri” se përveç takimeve që po zhvillon me anëtarë e udhëheqës të PDK-së ai është ftuar për takime edhe nga anëtarë të partisë së rivalit të tij në Podujevë Agim Veliut. “Jam duke takuar udhëheqës të partive, mirëpo edhe asamblistë të partive të ndryshme. Kemi një mbështetje prej tyre. Nuk është ndonjë marrëveshje me shkrim, por kryesisht jemi duke bërë takime me ta. Disa i kemi kontaktuar dhe disa të tjerë na kanë kontaktuar për të na mbështetur. Madje më kanë thirrur edhe nga LDK-ja dhe i kam takuar, por numri më i madh i takimeve ka qenë me PDK-në”, ka thënë ai.

Më tutje Potera ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje me shkrim ende, por vetëm mbështetje morale. Ai sqaroi se pas këtyre takimeve do të konsultohet me qendrën e lëvizjes “Vetëvendosje” në Prishtinë për të vendosur se me kë do të bashkëpunojnë.

“Unë kam kontaktuar në qendër në Prishtinë dhe më kanë thënë se varësisht se në çfarë përfundime vini me udhëheqësit ose me kryetarët e partive, pastaj konsultohemi. Por, deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje me shkrim me përjashtim të mbështetjes morale dhe nevojës për ndryshim”, ka thënë Potera.   

Murati: Jodomosdoshmërisht aleancat sjellin fitore

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se pavarësisht aleancave që partitë politike krijojnë para balotazhit kjo nuk nënkupton që do të marrin përkrahjen e elektoratit të atyre subjekteve. “Kemi raste nga e kaluara që pavarësisht faktit se janë krijuar marrëveshje mes subjekteve politike votuesit kanë votuar në mënyrë të ndryshme. Pra edhe kësaj radhe do të ketë bashkëpunime ndoshta edhe të heshtura, por jodomosdoshmërisht elektorati do të votojë në atë mënyrë. Pasi që në rundin e dytë është një numër më i vogël i njerëzve që dalin në votim dhe rreziku për të mos dalë në zgjedhje në rundin e dytë është i madh”, ka thënë ai.