Manipulimi me vota, nisin hetimet edhe në Dragash
Prokuroria Themelore në Prizren ka iniciuar hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë nisur në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pas pranimit të informatave publike që lidhen me dyshime për parregullsi në këtë proces. Vendimi për inicimin e hetimeve është marrë me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Në njoftim thuhet se aktualisht organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore në Komunën e Dragashit, ndërsa rasti lidhet me dyshime për kryerjen e veprave penale që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të votimit.
Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se, duke marrë parasysh interesimin e madh të opinionit publik dhe mediave, gjatë ditës pritet të publikohet një komunikatë shtesë, pas përfundimit të intervistimit të personave të dyshuar në Polici, me informacione të detajuara mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore. /Zëri