Elezi: Javën tjetër përfundon rinumërimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të plotë të të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh, të përmbyllet gjatë javës së ardhshme.
Përfundimi i këtij procesi, të nisur më 13 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’i hapte rrugën këtij institucioni për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, ka shkruar Elezi në Facebook.
Më tej, ai ka shpjeguar se pavarësisht se procesi i rinumërimit i heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, megjithatë, kjo është një e drejtë e subjekteve politike dhe kandidatëve, andaj KQZ do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të përmbyllë të gjithë procesin zgjedhor.
“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shkruar ai.
Javën e ardhshme, më 28 janar, bëhen një muaj nga dita e zgjedhjeve kur qytetarët e Republikës së Kosovës votuan në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Shpallja e rezultateve ishte planifikuar të bëhej deri më 19 janar, megjithatë, KQZ vendosi për rinumërim pas një verifikimi të kryer në 33 vendvotime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.
Sipas KQZ-së, meqenëse kemi të bëjmë me një proces që përfshin të gjitha vendvotimet, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit në QNR dhe jo nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit.