Hetuesit policorë arrijnë në Prizren, pritet të nisë intervistimi i të dyshuarve për manipulim votash
Hetimet për dyshimet e manipulimeve në procesin e votimit kanë hyrë në fazën më serioze, pasi së shpejti pritet të nisë një operacion i gjerë intervistimesh ndaj personave të dyshuar për keqpërdorime gjatë numërimit të votave,
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se intervistimet do të zhvillohen në tri stacione policore, përkatësisht në “ALFA”, Lubizhdë dhe Suharekë, ku ekipet e hetuesve janë shpërndarë sipas planit operativ.
Sipas informacioneve, shumica e të ftuarve janë paraparë të paraqiten në orën 08:00, ndërsa një pjesë tjetër do të intervistohet në orën 10:00, në varësi të ndarjes së rasteve dhe përfshirjes së tyre në proces.
Burimet thonë se disa prej të dyshuarve tashmë kanë angazhuar edhe mbrojtës, ndërsa hetuesit do t’i ballafaqojnë me prova dhe materiale që dyshohet se dokumentojnë manipulimet, duke përfshirë edhe elemente të procesit të rinumërimit.
Hetimet lidhen me dyshimet për një skemë të keqpërdorimeve në numërimin e votave, ku është ngritur dyshimi se mijëra vota janë transferuar nga një kandidat për deputet te një tjetër, dukuri që ka shkaktuar reagime gjithandej dhe dyshime se ndërhyrjet kanë qenë të orkestruara.
Në këtë fazë të zhvillimeve, burimet paralajmërojnë se nuk përjashtohet mundësia që disa persona të ndalohen për 48 orë, nëse gjatë intervistimit rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje të drejtpërdrejtë në keqpërdorime.