DnV-ja thotë se në dy qendra të votimit po raportohet për probleme me rrymë
Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se dy orë para përfundimit të procesit të votimit janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit, ndërsa në një vendvotim tjetër është evidentuar problem me mospërputhjen e kodeve në fletëvotime.
Sipas DnV-së, pas dhjetë orësh nga hapja e vendvotimeve, procesi zgjedhor në përgjithësi po zhvillohet i qetë, ndërsa është vërejtur një rritje e interesimit të qytetarëve për të votuar. Dalja në votime deri në orën 17:00 ka arritur rreth 38,9 për qind, pothuajse e njëjtë me zgjedhjet e 9 shkurtit, kur në të njëjtin interval kohor pjesëmarrja ishte rreth 39 për qind.
Rajonet me dalje më të lartë në votime janë komunat me shumicë serbe me rreth 47 për qind, të pasuara nga rajoni i Prishtinës me rreth 43 për qind.
DnV ka evidentuar edhe disa parregullsi gjatë procesit të votimit. Një ndër më të shpeshtat mbetet vështirësia e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë. Këto probleme janë raportuar në rreth 70 për qind të vendvotimeve, ndërsa në 15 për qind të tyre janë shënuar deri në 30 raste të tilla.
Sa i përket votimit me asistencë, DnV-ja thekson se trendi ka mbetur i ngjashëm me orët e mëngjesit, por i shtrirë në më shumë vendvotime. Në 9 për qind të vendvotimeve janë raportuar raste të mosevidentimit të votimit me asistencë.
Po ashtu, në 75 për qind të vendvotimeve, komisionerët kanë kërkuar dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me asistencë, ndërsa në 55 për qind të vendvotimeve votimi me asistencë nuk është lejuar pa këto dokumente, pavarësisht insistimit të votuesve.
Probleme janë raportuar edhe me votimin me dokumente të pavlefshme. Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 30 për qind të vendvotimeve, ndërsa në 10 për qind të tyre janë evidentuar raste të identifikimit me dokumente jo valide.
DnV-ja ka raportuar edhe për raste të izoluara të fotografimit të votës, duke e cilësuar këtë dukuri si cenim të fshehtësisë së votimit dhe potencialisht të lidhur me blerjen e votës, frikësimin e votuesve apo shtrembërimin e vullnetit të tyre. Deri në orën 17:00 janë shënuar gjithsej 21 raste të tilla, të evidentuara në rreth 3 për qind të vendvotimeve.
Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e procesit deri në mbylljen e vendvotimeve dhe do të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të ri.