Lista Serbe voton në grup, politologët shprehin shqetësime për zgjedhjet
Foto: REL

Lista Serbe voton në grup, politologët shprehin shqetësime për zgjedhjet

Zgjedhjet 2025 December 28, 2025 - 09:30

Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe raportohet se ka votuar në grup, një praktikë që kishte ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve lokale më 12 tetor dhe që konsiderohet e jashtëligjshme.

Kreu i partisë, Zlatan Elek, ka bërë thirrje për një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik, ndërsa ekspertët dhe politologët shprehin shqetësime për mundësinë që kjo të ndikojë në votën e lirë të qytetarëve serbë të Kosovës.

Lista Serbe edhe në këto zgjedhje, si në ato lokale, ka votuar në grup. Kreu i kësaj partie, Zlatan Elek, ka thënë se pret që këto zgjedhje të jenë të qeta dhe demokratike. Ai ka bërë apel te qytetarët serbë të Kosovës që të dalin sa më shumë në numër për të votuar.

“Sot është një ditë e lumtur, ditë pune dhe zgjedhje. Siç po e shihni, një numër i madh qytetarësh ka ardhur në vendvotime. Pres që këto zgjedhje të jenë të qeta dhe demokratike. Apeloj te qytetarët tanë që në numër sa më të madh të dalin e të votojnë dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur ata që do t’i përfaqësojnë nesër, përkatësisht përfaqësuesit e tyre të drejtë,” ka thënë ai.

Politologu Dorajet Imeri në RTK tha se kjo është e kundërligjshme dhe, sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin çdo masë.

“Nuk është për t’i penguar atyre të drejtën e votës, por për t’u siguruar që të kenë një votë të lirë e demokratike,” tha ai.

Sipas tij, Lista Serbe i mban nën trysni serbët e Kosovës, duke pamundësuar votën demokratike.

“Kjo është një e keqe e madhe, por nuk mund të përfundojë nëse nuk ka dakordësi të madhe institucionale. Një herë e përgjithmonë duhet të jepen, përveç ndëshkimeve, edhe mësime që nuk guxon të ndodhë e njëjta. Në të kundërtën, do të duhej të përsëritej mbajtja e zgjedhjeve,” tha ai.

Imeri ka treguar se një ditë më parë kishte parë shumë vetura me targa serbe, që sipas tij kanë ardhur enkas për procesin zgjedhor.

“Për shkak të kolonave dje, ndoqa një rrugë alternative dhe më ra të kaloj në disa fshatra me shumicë serbe. Pashë një numër të madh makinash me regjistrim të Serbisë, që kanë ardhur enkas për të votuar. Uroj të mos jenë dikush tjetër që nuk është vetëm udhëtar, dikush që mund të ushtrojë trysni tek votuesit serb dhe të përcaktojë rezultatin. Jam i bindur që kjo ka ndodhur, sidomos në javën e fundit. Kjo që po përmendi është një alarm që institucionet e rendit dhe të sigurisë të reagojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në kohë reale. Nuk mundet një subjekt politik i dirigjuar nga një vend tjetër të përcaktojë rezultatin zgjedhor,” tha ai.

Edhe më 12 tetor, në zgjedhjet lokale, Lista Serbe pati votuar në grup, gjë që ishte konsideruar e jashtëligjshme.