Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar
Foto: Laura Hasani

Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

Zgjedhjet 2025 December 07, 2025 - 10:35

Të shtunën në mesnatë është përmbyllur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Lajmi është njoftuar të dielën paradite nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat nga procesi i regjistrimit, derisa vlerësimi i të gjitha aplikimeve pritet të përfundojë gjatë ditës.

“Është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71,900, ndërkaq janë refuzuar rreth 6,700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5,900 aplikime”, njoftoi Elezi.

Ai tregoi se pjesa më e madhe e votuesve të regjistruar kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës dhe vetëm një pjesë për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51,000 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2,500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi. /rtk