
Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, PDK-ja dorëzon tri ankesa në PZAP
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota, ose 42.30 për qind.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, ose 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, ose 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota, ose 7.06 për qind. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota, ose 4.26 për qind.
E certifikimi i këtyre rezultateve siç duket do të zgjasë edhe më shumë, pasi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tashmë janë dorëzuar tri ankesa.
Në një përgjigje për Telegrafin, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë bërë të ditur se ankesat janë dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
“PZAP-i deri më tani ka pranuar tri ankesa për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Këto tri ankesa janë parashtruar nga subjekti politik PDK”, thuhet në përgjigjen e PZAP-it.
PZAP-i gjithashtu ka bërë të ditur se afati për parashtrim të ankesave, përfundon sot në orën 17:00.
Për shqyrtimin e ankesave dhe marrjes së vendimit sipas Ligjit të ri për zgjedhjet, PZAP-i ka afat që këtë ta bëjë brenda 96 orëve nga parashtrimi i ankesës.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24 sosh, LDK-ja 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK – Nisma tetë vende.